Gjykata e Arbitrazhit Sportive (CAS), vendosi që të pezullojë për dy vjet çiklistin Alberto Contador, dy herë fitues i Turit të Francës, pasi u verifikua përdorimi prej tij i substancave të ndaluara.
Gjithashtu, spanjolli i hiqet titulli i tretë i fituar, ai i vitit 2010 dhe të gjitha fitoret që ka arritur apo mund të arrijë deri në 5 gusht të 2012-s.
Pezullimi do ta pengojë që të marrë pjesë edhe në Turin e Francës së 2012-s, në atë që konsiderohet si evenimenti më i madh në vitin kalendarit të garave çiklistike.
29-vjeçari u konsiderua fajtor për përdorimin e substancës të quajtur klenbuterol, me qëllim përmirësimin e rendimentit të tij sportiv. Titulli i vitit 2010 do t’i kalojë luksemburgasit Andy Schleck, i cili përfundoi në vendin e dytë në Turin e 2010-s.
Midis titujve të rëndësishëm që rishpërndahen, është edhe ai i Xhiros së Italisë 2011, që gjithashtu i kalon të dytit më të mirë, vendasit Michele Scarponi.
Contador fillimisht u shpall i pafajshëm në shkurt 2011, por Agjensia Botërore Anti-Doping (ËADA), dërgoi çështjen në apelin e CAS-it.
Në vendimin e marrë nga gjykata, shkruhej se pas shqyrtimit të çështjes nga ekspertët përkatës, u arrit në rezultatin se substanca nuk mund të ishte marrë në forma të tjera, siç mund të kishte qenë konsumi ushqimor.