I përditësuar)- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi menjeherë pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha dhënë në Mynih të Gjermanisë, se modeli ynë ekonomik bazohet në standarte liberale.
Kryeministri nënvizoi se “Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18 %, rritje në distancë më të lartën në Evropë”. Kreu socialist zgjodhi faqen e tij në rrjetin social Twitter, për t’iu përgjigjur në distancë kryeministrit.
Shumë shkurt, ai i drejtohet drejtëpërdrejtë kryeministrit, ndërsa me nota ironie deklaron se Berisha bën vendin tonë qesharak, sikundër flet për një model suksesi imagjinar.
“Flet në mes të Gjermanisë për 18% rritje ekonomike e për një model suksesi imagjinar që e bën Shqipërinë të duket si s’ka më keq nëpër botë!
KM vijon ta bëjë qesharak vendin tonë duke eksportuar jashtë shtetit fjalimet e tij groteske për ekonominë. Turp i pamerituar për Shqipërinë”, përfundon reagimin Rama.
Kreu i PS-së Rama, nënvizon më tej se ndryshimi është i domosdoshëm në Shqipëri.
“Këto shfaqje brutale të marrëzisë në pushtet janë alarm për ndryshimin e domosdoshëm! Shqiptarët meritojnë një qeveri të denjë e të drejtë”.
Jo pak herë, Rama ka zgjedhur faqet e tij të internetit për t’iu përgjigjur akuzave apo kritikave të kryeministrit Sali Berisha.
*********
Kryeministri Berisha u shpreh sot se modeli ekonomik i Shqipërisë do të vazhdojë të bazohet në standarde liberale, të cilat do zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në mbyllje të vizitës së tij në Mynih, në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do bëjë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike.
Sipas kryeministrit, Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18%, rritje më e larta në Evropë.
“Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në këtë kontekst, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksat të larta, i cili përjeton vështirësi serioze, dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin” ka shtuar më tej kryeministri.