Grupet civile për të drejtat e njeriut në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një hetim ligjor për mbledhjen e informacioneve mbi myslimanët shiitë nga policia e Nju Jorkut.
Kërkesa ka ardhur pasi një memorandum i brendshëm u publikua duke treguar rritjen e përgjimeve të komunitetit shiit të Mollës së Madhe.
Ditën e premte, komuniteti mysliman u mblodh përpara selisë së Departamentit të Policisë së Nju Jorkut për të protestuar kundër këtyre zbulimeve. Krerë të lartë të policisë insistojnë se policia ka ndjekur rrugë ligjore në operacionet e saj.
Memorandumi, pjesë e një raporti të vitit 2006, tregonte zgjerimin e operacioneve të përgjimit të policisë së Nju Jorkut mbi xhamitë shiite dhe qendrat islamike të qytetit.
Ai i adresohej komisionerit të policisë Ray Kelly, i cili të enjten e cilësoi memorandumin si një “plan të rastësishëm” në rast të një konflikti ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, edhe pse një gjë e tillë nuk përmendej në dokument.
Dokumenti u publikua nga “Associated Press”, si pjesë e një seri raportimesh mbi përgjigjen e policisë së Nju Jorkut ndaj fenomenit të terrorizmit.
Komisioneri i policisë Ray Kelly ndodhet gjithashtu nën presion për shfaqjen e tij në “Xhihadin e Tretë”, një film dokumentar për myslimanët.