Zëra të njohur si Eugent Bushpepa, Vedat Ademi, Era Rusi, Valon Shehu dhe shumë të tjerë sjellin hitet më të mira muzikore ndër vite, shqiptare dhe të huaja.
Ne i perceptojmë ata si njerëzit që nxitin argëtimin tonë. Po për artistët e skenave të natës, a mund të ketë argëtim nga kjo punë e përnatshme?
“Në fillim ishte pasion, nuk mund ta quaja punë. Të këndosh “live” është shkollë më vete që të mëson që në çfarëdo gjendjeje të jesh të këndosh mirë për të kënaqur publikun”, shprehet këngëtarja Era Rusi.
Cdo natë në skenë shënon vazhdimësinë e punës së një këngëtari që, përveç festivaleve dhe koncerteve, zgjedhin këtë si një mundësi për të zhvilluar profesionin.
“Kur argëtohet publiku argëtohem edhe unë, ndërsa në ditët e pushimit më pëlqen që të shkoj për të dëgjuar kolegët. Jam partizane e muzikës live”, tregon këngëtarja.
Jeta e natës është shumë e kufizuar jo vetëm nëpër rrethe, por edhe në Tiranë ku ka një përqendim më të madhe të popullsisë dhe bizneseve argëtuese.
Miniskenat me zerat profesionist që ngrihen mbrëmjeve sipër tyre, janë ndër të paktat mundësi që na ofrohen për të kaluar cilësisht një natë jashtë.