Aktorja spanjolle Penelope Cruz i është bashkuar luftës për ndalimin e tregtimit të lëkurës së kafshëve. Lajmin e ka bërë të ditur organizata “Personat në favor të trajtimit etik të kafshëve” (PETA).
PETA ka zbuluar një pankartë gjigande 21 metra të lartë jashtë Madison Square Garden, në Nju Jork, në të cilën Cruz paraqitet me sloganin “Ktheji kurrizin lëkurave”.
“Penelope Cruz është renditur në shumë lista si një nga femrat që vishet më mirë në botë, por kurrë nuk ka mbajtur veshje lëkure”, deklaron zëvendëspresidentja e PETA-s, Lisa Lange.
Lange shtoi: “Nuk mund të gjenim një personazh më të përshtatshëm se Penelope Cruz për fushatën tonë. Është një grua moderne e me shumë klas, e cila ka një paraqitje që të vret, por që për të arritur këtë nuk ka vrarë qënie të tjera.”
PETA ka mbështetjen edhe të shumë personazheve të tjerë të njohur si Zonjat e Para të Amerikës dhe Francës, Michelle Obama dhe Carla Bruni, ashtu si edhe të këngëtares Pink, aktoreve Charlize theron, Eva Mendes dhe Pamela Anderson apo të prezantueses Oprah Winfrey.