Vendimi i Gjykatës të Lartë së Frankfurtit, në procesin kundër kosovarit Arid Uka, i cili ka pranuar se ka vrarë dy ushtarë amerikanë, do të shpallet më 10 shkurt.
Lajmin e përcollën gjerësisht mediat kosovare mëngjesin e së premtes. 21-vjeçari rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm, pas sulmit të motivuar nga ekstremizmi fetar.
Në vitin 2011, ai qëlloi ndaj një autobuzi që transportonte një grup ushtarësh nga aeroporti i qytetit drejt një baze ushtarake, veprim që i kushtoi jetën dy marinsave dhe plagosi dy të tjerë.
Gjatë procesit, kosovari i arrestuar në vendngjarje pranoi se u ndikua nga propaganda e publikuar në internet dhe se nëpërmjet veprimit u hakmorr për padrejtësitë dhe “masakrat” e kryera nga ushtria amerikane në Afganistan.
Megjithatë, në seancat e mëparshme Uka ka treguar pendesë dhe i ka kërkuar ndjesë familjes së viktimave.
Jogen Veingarten, prokurori i çështjes kërkoi dënimin maksimal, duke argumentuar se vrasja jo vetëm ka qenë e shumëfishtë, por edhe brutale. Sipas tij, Uka përbën një kërcënim për shoqërinë nëse do të lihet i lirë.
Nga ana e saj, avokatja e tij mbrojtëse ka pranuar fajësinë, por mbrohet duke thënë se 21-vjeçari nuk ka qenë tërësisht i ndërgjegjshëm në kryerjen e aktit kriminal. “Ai ishte një njeri në efektin e propagandës. Një militant xhihadist, nuk do të ishte penduar kurrë”, tha avokatja në fjalën e saj përmbyllëse përpara dhënies së vendimit.