I ftohti siberian ka goditur veçanërisht Serbinë, ku të paktën 11 mijë persona janë aktualisht të bllokuar, ndërsa bilanci i viktimave, zyrtarisht shtatë, është ende i paqartë.
Siç njoftojnë shërbimet e emergjencës, situata është veçanërisht e rënduar në zonat malore pranë kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi, ku dëbora ka arritur një trashësi prej deri dy metrash dhe shumë shtëpi janë të mbuluara.
Predrag Mariç, udhëheqësi i operacioneve të shpëtimit lajmëroi se 14 bashki janë në alarm, për shkak të kushteve atmosferike.
Helikopterët kanë transportuar disa persona me nevojë shëndetësore në zona të sigurta, ndërsa nga ajri janë shpërndarë batanije dhe ushqime.
Rreshjet e dëborës përfshinë të gjithë territorin serb që prej datës 7 janar dhe që prej atëherë nuk kanë pushuar. Parashikimet flasin për rreshje të tjera në ditët në vijim.
Ndërkohë, i ftohti që ka pushtuar të gjithë kontinentin, vetëm në 24 orët e fundit ka shkaktuar 20 viktima në Ukrainë, kryesisht të pastrehë, duke rritur bilancin në mbi 60 të vdekur prej të ftohtit në një javë.
Në Kazakistan, temperaturat kanë zbritur deri në rekordin -52 gradë celcius, ndërsa ngrica po krijon probleme të shumta edhe në Turqi, Gjermani, Poloni e vende të tjera të Europës Veriore.