Humbja e Interit ndaj Lecces, e para në kampionat pas shtatë fitoreve rresht, ka bërë që tek zikaltërit të shpërthejë çështja Snejder.
Hollandezi ka debatuar në fushë me Obin dhe Pazzinin dhe më pas ka kërkuar shpjegime nga Claudio Ranieri kur tekniku vendosi që ta zëvendësonte pas përfundimit të pjesës së parë. Marrëdhënia me ambjentin interist duket se është në krizë dhe në qershor lamtumira nuk do të ishte edhe shumë surprizuese.
Problemi është tërësisht teknik. Hollandezi është një organizator i mirëfilltë, por Ranieri ka gjetur formacionin ideal që është 4-4-2 dhe me të cilin ka arritur 7 fitore radhazi në kampionat duke ringritur Interin e duke i ngjallur njëkohësisht shpresat për një fitore të Scudetto-s.
Mungesa e numrit 10 për shkak dëmtimi ka bërë që skuadra zikaltër të mësohet pa të dhe tashmë që ai është rikthyer Inter duhet të përshtatet me lojën e Snejder.
“Snejder është një lojtar i rëndësishëm dhe nuk mund ta vë të luajë në krahë. Preferova të kaloja në skemën 4-4-2 pas pjesës së parë sepse me këtë skemë ekipi është mësuar dhe arrin të shprehet më mirë”, deklaroi Ranieri pas ndeshjes ndaj Lecce të humbur me rezultatin e ngushtë 1-0 në transfertë.