Ka përfunduar të premten fushata e përvitshme ndërkombëtare e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj gruas. Në Shqipëri fushata u zhvillua me moton ”Dhuna është krim. Familje pa dhunë, shoqëri në paqe”.
18 gra të vrara nga bashkëshorti, i dashuri apo babai i tyre si pasojë e dhunës ekstreme të ushtruar ndaj tyre. Shifra tronditëse është dy herë e gjysmë më e lartë se vitin e kaluar. Ajo publikohet nga Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim, një organizatë kjo jo fitimprurëse me seli në Tiranë. Drejtorja e kësaj Qendre, Mirela Arqimandriti thotë se fushata e sivjetme u nis pikërisht nga ky fakt i rëndë.
“Numri i grave të vrara nga burrat sivjet është vërtet alarmant. Shoqëria civile është ngritur në këmbë veçanërisht gjatë 16 ditëve të fushatës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas. Kemi firmosur një peticion drejtuar Parlamentit dhe organeve zbatuese që dhuna në familje të quhet krim dhe të ndëshkohet si vepër penale” thotë Mirela Arqimandriti. /albeu.com/