Të tregojmë historinë tonë në 100 objekte. Projekti, i konsideruar si shumë interesant, ka kërkuar përpjekjet e 100 kuratorëve dhe katër vjet punë. Rezultati? Përmbledhja e parë e historisë së botës përmes 100 objekteve më domethënëse që njeriu ka realizuar ndonjëherë. Të gjitha të ruajtura në “British Museum” dhe pothuajse të gjitha kanë përshkruar rrugët që kalojnë që nga ishujt e largët skocezë, e deri tek aborigjenët australianë. Qëllimi është i qartë: rikthimi në origjinë dhe një “fotografi” e historisë së njerëzimit në këto objekte. Pasi radioja e “BBC” disa muaj më parë transmetoi një emision radiofonik mbi projektin e “British Museum”, që shënoi dëgjues rekord, “BBC” dhe “British Museum” kanë vendosur të transformojnë këtë ide edhe në një libër: “A history of world in 100 objects”, që pritet të dalë në Britaninë e Madhe, por në të njëjtën kohë i ezauruar në SHBA. Sigurisht, ideja origjinale për të prezantuar 100 objekte vetëm me zërin e radios bëri për vete shumë njerëz. Më shumë se 20 milionë dëgjues hartuan në imagjinatën e tyre këtë listë që do t’u fliste për origjinën. Mund të thuhet se dhe muze të tjerë më përpara në botë kanë provuar të luajnë me temën e 100 objekteve, por asnjë nuk ka arritur të tërheqë interes aq sa kjo nismë britanike. Shkrimet e para të njeriut në pllaka guri, grafitë, maska azteke, por edhe karta e kreditit ‘Visa’. Sipas Neil MacGregor, drejtor i muzeut, “në të gjithë muzetë e tjerë të botës, piktura europiane, sidomos ajo perëndimore errëson gjithçka përreth. Por ndryshe nga muzetë e tjerë enciklopedikë, këtu tek ne nuk është Europa që dominon. Ky është një vizion i rëndësishëm”. Objektet, modeste apo të lavdishme, përfaqësojnë historinë imigruese të 4 mijë vjetëve politikë dhe pushtet, historinë sociale dhe sjelljet njerëzore. Disa prej tyre vijnë edhe nga parahistoria, si guri i vjetër me majë i përdorur për të ndarë drurin në dy pjesë miliona vjet më parë, i gjetur në një krahinë të largët të Tanzanisë. Po ashtu, nuk mungon aty as një thërrmues në formë zogu i gjetur në lumin “Ankora”, në Guinenë e Re. “Gjithçka që hamë sot, nga drithërat tek perimet, e ka origjinën rreth 10 mijë vjet më parë. Ishte një epokë e re e zbutjes së kafshëve, fuqive hyjnore dhe katastrofave natyrore të paimagjinueshme”, - vazhdon më tej MacGregor. Për një gravurë të mrekullueshme të David Hockney të vitit 1966, që paraqet dy njerëz të shtrirë në një krevat, njëri përkrah tjetrit, MacGregor thotë: “Arrin të ngjallë pyetje të diskutueshme mes kufirit të asaj që mund të pranohet dhe asaj që nuk mund të pranohet në histori, kufijtë e tolerancës dhe lirisë individuale, por më tepër edhe evoluimin e shoqërisë përgjatë mijëra vjetëve”. Një tjetër objekt i zgjedhur është një llambë e vogël plastike e madhe sa një filxhan kafeje, që ushqehet me energji diellore. Çmimi: 45 dollarë, plus karikuesi. Mund t’ju duket banale? “Është një nga ato objektet në gjendje të ndryshojë gjërat. Mund të ndriçohet një dhomë, dhe një familje nuk është më e varur nga elektriciteti. Por mund të përdoret, për shembull, edhe për të naviguar në internet; ‘të ndezësh’ dijen universale. Të duket pak?”. Ideja e 100 ditëve lindi pas bashkëpunimit të MacGregor me ‘BBC’-në, që në programe të ndryshme tregojnë historinë e objekteve të veçanta të koleksionuara në muze. Atë që as ai dhe as redaktorët e kulturës nuk e prisnin, ishte entuziazmi i publikut për historinë e treguar në formë fragmentesh, copëza guri, objekte plastike. Ideja ishte për t’i dhënë vizitorëve një çelës lexues: të nisesh nga një pjesë, për të nxjerrë një përfundim. Është një horizont i ri që hapet në kulturën europiane, por që shtrihet në çdo epokë. “Një kryqëzim i paprecedentë mes historisë, gjeografisë dhe temave të mëdha”, - thotë MacGregor. Është bukur të befasohesh nga magjia e objekteve të vogla, që nga fijet e fildishit nga ishin bërë këpucët e faraonëve, e deri tek monedhat e para të emetuara mbi tokë. Kjo tregon qartë se përse libri është daunloduar plot 24 milionë herë nga sajti i internetit të ‘BBC’.
Burimi : Gazeta Shqip