WikiLeaks njoftoi sot se ka rifilluar publikimin, e ndërprerë në tetor për shkak të mungesës së fondeve, me dokumente që tregojnë spiunazhin e kryer nga qeveritë për qytetarët e tyre falë teknokologjive të dhëna nga industrialistë të specializuar në mbikëqyrjen.
Gjatë një konference shtypi, themeluesi i saj Julian Assange foli për fillimin e publikimit të qindra dokumenteve të siguruara nga 160 industrialistë nga 25 vende të specializuara në mbikëqyrjen dhe interceptimin e telekomunikacioneve. Ato tregojnë se si këto sisteme u bënin të mundur qeverive të mbikëqyrnin individët nëpërmjet celularëve të tyre, mesazheve elektronike dhe të dhënave të hedhura në internet.
"Po publikojmë sot më tepër se 287 dosje që tregojnë realitetin e një industrie mbikëqyrjeje në shkallë të gjerë, një industri që u shet pajisje si demokracive dhe diktaturave për të spiunuar popuj të tërë", deklaroi themeluesi i WikiLeaks në Londër.
Paralelisht me këtë, në Paris, faqja e internetit Owni.fr publikoi në partneritet me WikiLeaks rreth 1 100 dokumente që vijnë nga industrialistë, ndër të cilët një shoqëri franceze me emrin Amesys, që ka bërë tregti me regjimin e ish-liderit libian Muamar Kadafi.
Mesazhet elektronike të shtatë opozitarëve libianë në mërgim, të cilët banojnë në Mbretërinë e Bashkuar, janë spiunuar në këto vende, me anë të sistemit të interceptimit dhe të mbikëqyrjes i shitur Libisë së kohës së Kadafit nga shoqëria Amesys.
Dokumentet e publikuara sot nga WikiLeaks përfshijnë manuale spiunazhi të shitura në të kaluarën regjimeve autoritare të botës arabe si Siria, Libia, Tunizia dhe Egjipti. Aktualisht, Julian Assange ndodhet në arrest shtëpie në Britaninë e Madhe, në pritje të përgjigjes për apelin e bërë kundër vendimit për ekstradimin në Suedi, ku ai pritet të përgjigjet për akuza për përdhunim dhe agresione seksuale.