Një grup shkencëtarësh të institutit të teknologjisë në Massachusetts pretendojnë se kanë gjetur “Gralin e Shenjtë” të shkencës, në një gjethe artificiale që falë aftësisë së saj mund të shndërrojë çdo shtëpi në një stacion të prodhimit të energjisë.
Kjo gjethe, që ka madhësinë e një letre bixhozi, riprodhon në mënyrë gati të përkryer procesin e fotosintezës tek bimët, ku drita e diellit dhe uji kthehen në energji. Ndryshimi i vetëm është se energjia e prodhuar është 10 herë më e madhe se ajo e një procesi natyral.
Gjethja artificiale futet në një vazo me të paktën katër litra ujë dhe përmes katalizatorëve të saj të përbërë prej nikeli dhe bakri, prodhon reaksion kimik duke e shndërruar ujin në komponetët e saj fillestar, hidrogjen dhe oksigjen. Pasi elementët ndahen, ato dërgohen në një bërthamë që i kthen këto elementë në energji. Sipas testimeve, në vazon me 4 litra ujë, kjo gjethe vijon të prodhojë energji për 45 orë rresht, me të njëjtin intensitet.
Shkencëtarët shpresojnë që kjo shpikje, që bazohet në një koncept të zhvilluar edhe më parë, do ti garantojë atyre suksesin e vërtetë. Ata shprehen se gjethja artifciale mund të përdoret në vendet në zhvillim, ku problemi i enegjisë është çështje e ditës. /Telegrafi/