Në po atë gozhdë
Njëherë e një kohë, shkoi Lakuriq Nata të blinte një pikturë në ankandin e ekspozitës “Pikturat e kohës.” Fluturoi e fluturoi por nuk po i ndali mendja tek asnjëra, ndaj u var sipas zakonit të fisit me kokë poshtë në tavan.
“Zot i madh! Brilante!” – prej aty, kokëposhtë, ai shqoi një pikturë të mrekullueshme titulluar “Pamje nga ferma” të cilën pa hezituar e bleu. Pastaj gjithë qejf shkoi dhe e vari në hyrje të fermës së tij në një vend që mund ta shihte kushdo sa herë hynte. Piktura me inicialet e kaligrafuara “fnq” majtas-lart u admirua nga gjithë banorët e fermës.
Shkuan shumë kohë deri kur në fermë, për të pikturuar disa punë, ja mbriti piktor Bufi me gjithë veglat e veta. E para gjë që pa piktor Bufi sa zbriti ishte një piktura e tij varur në hyrje por me kokë poshtë. “Zot i madh! Injorantë!” shfryu piktor Bufi dhe një ta kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë.
Në mesnatë duke u kthyer për në fermë Lakuriq Nata sheh se një krah i padukshëm e kishte kthyer pikturën e tij me kokë poshtë. “Ç’injorantë!” – shfryu Lakuriq Nata dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë.
Mbas mesnate piktor Bufi vendos të fluturojë njëherë rreth e rrotull por duke dalë sheh se një krah i padukshëm e kishte kthyer pikturën e tij me kokë poshtë. “Ç’injorantë!” – shfryu Bufi dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë, e një të ngjitur një shënim në krah: “Ju lutem, mos e ktheni pikturën time me kokë poshtë! Buf.”
Atë mbrëmje, sapo del, Lakuriq Nata e vë re pikturën e kthyer me kokë poshtë dhe shënimin krah saj. “Ç’injorantë!” shfryu Lakuriq Nata dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë, një të hequr shënimin e piktor Bufit e një të ngjitur shënimin e tij: “Ju lutem, mos e ktheni pikturën time me kokë poshtë! Lakuriq Nata.”
Mbas pak del dhe piktor Bufi, vë re pikturën e kthyer me kokëposhtë dhe shënimin krah saj. “Ç’injorantë!” shfryu Bufi dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë, një të hequr shënimin e Lakuriq Natas, një të kryqëzuar flatrat e një të pritur të shihte atë që i kthente pikturën me kokë poshtë.
Lakuriq Natan nuk e zinte ajri, se mos përsëri ja kthenin pikturën e tij me kokëposhtë, ndaj u kthye shpejt, dhe pa atje ngrefosur një Buf, që ja kishte kthyer pikturën e tij me kokëposhtë e i thotë:
- Kush je ti që kthen pikturën time kokëposhtë?
- Kush je ti që kthen pikturën time kokëposhtë?
- Jo, kush je ti që kthen pikturën time të mrekullueshme kokëposhtë?
- Jo, kush je ti që kthen pikturën time të mrekullueshme kokëposhtë?Unë pyeta i pari, përgjigju!
- Mirë pra, mëso se unë jam piktori i kësaj pikture, Bufi, ja lexoje në qoshen djathtas poshtë, tani më thuaj ti kush je, që e kthen pikturën time me kokëposhtë.
- Mirë pra, mëse se unë jam pronari i kësaj pikture, Lakuriq Nata, - dhe një të kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë, dhe i thotë Bufit – dhe lexo në qoshen majtas lart inicialet fnq të piktorit të pikturës sime.
- Kjo është piktura ime e mrekullueshme dhe drejt varet kështu – tha Bufi e një ta kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë.
- Kjo është piktura ime e mrekullueshme dhe drejt varet kështu – tha Lakuriq Nata e një ta kthyer pikturën drejt në po atë gozhdë.
Vazhduan kështu për gjithë natën sa prishën qetësinë e banorëve të fermës, të cilët njëri pas tjetrit filluan të dalin, e të pyesin secili me gjuhën e vet “Ç’bëhet kështu? Ç’bëhet kështu? Ç’bëhet kështu?” pambarim.
Lakuriq Nata dha variantin e tij. Piktor Bufi dha variantin e tij. Kafshët e fermës vendosën që të mblidhen e të gjejnë një zgjidhje pa praninë e palëve, Lakuriq Natas dhe piktor Bufit.
Në mbledhjen e parë me unanimitet u pranuan:
Së pari, piktura “Pamje nga ferma” është e mrekullueshme.Së dyti, përderisa palët, si Lakuriq Nata ashtu dhe piktor Bufi, e varin pikturën në po atë gozhdë, mbetet të zgjidhet vetëm kush është pozicioni “drejt” dhe kush është pozicioni “kokëposhtë” i pikturës “Pamje nga ferma”.
Mirpo që nga mbledhja e parë kanë kaluar qindra, mijra, mbledhje të tjera dhe kafshët e fermës ende nuk e kanë zgjidhur kush është pozicioni drejt i pikturës “Pamje nga Ferma”. Në fermë vazhdojnë të dëgjohen përnatë zhurma të frikshme që s’janë gjë tjetër vetëm se kthimi i pikturës së mrekullueshme drejt në po atë gozhdë.
Jeta e kafshëve të fermës është kthyer në ferr të vërtetë, kryetar Gjel Kikiku i thërret mbledhjet që pa gdhirë, zëvendëskryetar Gomar Pëllima ju jep nga një pushim të shkurtër në drekë, ndërsa sekretare Kukuvajkë Kukuja si lë rehat duke i pyetur “Ku ku, ku ku, ku ku?” Dhe sapo ata bien të flenë, ... gërrrr, Lakuriq Nata vendos pikturën drejt në po atë gozhdë , ...ggggër, Bufi vendos pikturën drejt në po atë gozhdë, ja mbani vesh, ... gëëëër...
Ju po gërhisni? Lum si ju.
Kafshët e fermës prej atëhere jetojnë të hidhëruara.