Mëngjesin e sotëm, faqet kryesore online të disa ministrive në Shqipëri janë hakuar. Faqet e hakuara janë ajo e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Transportit, e Ministrisë së Brendshme, e Energjisë, Ministrisë së Integrimit, Ministrisë së Zhvillimit Urban, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Jashtme e Ministrisë së Jashtme Franceze.
Sulmi në fjalë është bërë nga “RedAnons_Al Justice”, të cilët kanë parashtruar edhe arsyet e sulmit të tyre.
“Arsyeja e këtij sulmi të përgjithshëm bëhet në një kohë ku kryeministri dhe qeveria, po mundohen të centralizojnë të gjithë pushtetin në duart e tyre.
Kjo është e papranueshme, sepse kjo qeveri u ka borxh shqiptarëve besimin. E gjithë administrata duhet të jetë shërbëtore e popullit dhe jo anasjelltas”, thuhet ndër të tjera, në mesazhin e hakerave.
Ndërkaq, ata kanë prezantuar 13 pika kryesore të pakënaqësive, që i ka bërë të sulmojnë këto faqe. “ResAnons_Al Justice” shtojnë ndër të tjera se reforma në arsim është e papranueshme për realitetin shqiptar dhe se kërkojnë që pr/ligji për regjistrimin e numrave IMEI të celularëve të hidhet poshtë.
“Kujdes nga ajo çfarë dëgjoni në media, besoni vetëm kur ministrat i thonë me gojën e tyre. Ftojmë që gjyqësori shqiptar të bëhet i varur nga BE për shembull, duke marrë shembullin e EULEX.
Të bëhen amendamentet e nevojshme në taksimin e pagave për të mos u lënë vend abuzuesve. Të fillojnë procedimet penale ndaj të gjithë zyrtarëve të qeverisë së kaluar që kanë shkelur ligjet.
Të pushohen nga puna të gjithë të paaftit e AKSHI-t. Të publikohen informacionet mbi RTSH, paratë që grumbullohen nga taksat tona, sa % merr RTSH dhe sa % shkon në arkën e shtetit.
Të ulet paga me 50% e të gjithë deputetëve, (kr)ministr(it)ave dhe zv/ministrave, të cilët kanë të paktën 1 biznes të madh, ose kanë të deklaruar pasuri monetare dhe të patundshme që kapin një shifër të caktuar, e cila është tepër e lartë”, janë disa prej kërkesave të hakerave. /albeu/