Zbulohet planeti “si Toka”
Shkencëtarët besojnë se kanë zbuluar planetin më të ngjashëm për nga madhësia dhe forma me Tokën, i cili me shumë gjasa, sipas tyre strehon jetë.
Planeti është zbuluar nga teleskopi i NASA-s, Kepler dhe është pagëzuar me emrin Kepler 186f. Ai ndodhet 500 vite dritë larg Tokës në një sistem më të vogël se sistemi ynë diellor dhe në distancë më të afërt me yllin vet, por në zonën që astronomët e cilësojnë si ‘zona e jetës’.
‘Zona e jetës’ quhet e gjithë fasha e orbitës së një planeti që nuk është as larg dhe as afër nga ylli i tij, por mjaftueshëm për të patur temperatura që mbajnë ujin në gjendje të lëngët.
“Ndoshta kemi zbuluar një planet me përmasat e Tokës, që përthith të njëjtën energji nga ajo që përthith Toka, por ajo që ndryshon është se Kepler 186f rrotullohet rreth një ylli krejtësisht të ndryshëm nga Dielli ynë. Ndaj ndoshta nuk duhet të nxitohemi dhe të themi kemi gjetur binjakun e Tokës, por ‘kushëririn’ e planetit tonë po”, thotë Thomas Barclay, pjesë e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë zbulim.
Shkencëtarët thonë se për momentin nuk kanë asnjë të dhënë rreth atmosferës së Kepler 186f, por ajo do të jetë objekt i studimeve dhe vëzhgimeve të teleskopëve në të ardhmen me shpresën se do të bien në gjurmët e përbërëseve që mundësojnë jetën.