Rreth 400 punonjës të disa linjave urbane në kryeqytet kanë tre muaj pa marrë rrogat. Për këtë arsye, shoferët e autobusëve kanë zhvilluar dje një protestë, duke ndaluar për 30 minuta në stacione bashkë me udhëtarët që kishin hipur në autobusë. Kjo ka bërë që qindra qytetarë të ndërpresin udhëtimin ose të qëndrojnë në pritje në autobusë deri në nisjen e tyre. Në orën 10:00 të paradites së djeshme, 7 linja të transportit urban që operojnë në Tiranë kanë ndalur nëpër stacione në shenjë proteste.
“Kemi tre muaj pa marrë rrogën, ç’a të punojmë?! Edhe ata që na paguajnë s’kanë ku t’i gjejnë lekët, se tani çmimi i naftës ka vajtur 2 mijë lekë. Jemi 400 shoferë dhe faturino pa u paguar, ndaj sot kemi vendosur të protestojmë në këtë mënyrë”, pohoi një prej shoferëve të linjës së Unazës. Kjo situatë është pranuar edhe nga drejtuesit e sindikatave të transporteve, të cilët thonë se shoferët dhe faturinot nuk janë paguar prej tre muajsh për shkak se shoqëritë nuk përballojnë kostot. Ndaj kërkohet ose rritje e biletës së udhëtimit, ose kompensim më i lartë nga shteti.
“Ne kërkojmë që të ulet Ministria e Transporteve dhe Ministria e Financave të rakordojnë me shoqëritë e transportit në mënyrë të atillë që të shihet çmimi i biletës ose subvencioni, me qëllim që të dalin pagat e punëtorëve, të cilët nuk po paguhen prej dy-tre muajsh. Kur është vendosur në vitin 2004 çmimi i biletës, çmimi i karburantit ka qenë më i ulët, ndërkohë që sot është rritur ndjeshëm”, deklaroi kryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura të Punonjësve të Transportit, Zija Hasanaj.
Prej kohësh shoqëritë e transportit kanë kërkuar rritjen e çmimit të biletës nga 30 lekë që është aktualisht, në 70 lekë. Një kërkesë e tillë është bërë sërish pranë Ministrisë së Financave, Ministrisë së Transportit dhe dikastereve të tjera. Në protestën e djeshme janë përfshirë shoferët e linjës së Unazës, Uzinës, Kombinatit etj.panorama