71 vite me orën e gabuar
“Prej 71 vitesh, Spanja ka qenë pjesë e një zone orari të gabuar”. Ky është përfundimi i hetimit të një komisioni parlamentar në vend që propozon ndryshimin e zonës orar në të cilën vendi iberik duhet të bëjë pjesë.
Deputetët spanjollë po shqyrtojnë seriozisht këtë kërkesë, që sipas raportit të komisionit do të përmirësojë ngrënien, gjumin dhe punën për spanjollët duke i bërë ata më produktivë.
“Ne flemë një orë më pak nga sa rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe gjithë kjo ka ndikim negativ në prodhim, rrit stresin, aksidentet dhe braktisjen e shkollave nga të rinjtë dhe fëmijët”, thuhet në raportin e Komisionit që shton se duke ndjekur orën e gabuar, spanjollët hanë, lënë punën dhe shkojnë në shtrat më vonë se fqinjët e tyre europianë.
Raporti thotë se Spanja duhet t’i bashkohet sistemit orar të Britanisë së Madhe dhe Portugalisë.
Spanja është e vendosur me orën e Europës Qendrore që në vitin 1942, kur diktatori Gjenerali Franko e vendosi për të ndjekur Gjermaninë naziste.