Vazhdon të jetë kaotike situata në Egjipt, pas skadimit të afatit që ushtria i kishte vendosur Presidentit Morsi për të qartësuar mosmarrëveshjet mes tyre. Presidenti i Egjiptit ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen por do të qëndrojë në krye të qeverisë së tij islamiste. Por e vendosur është edhe ushtria e vendit, pasi krerët e saj u shprehën se janë të gatshëm për gjakderdhje, në mbrojtje të vendit.
Ndërkohë zyrtarisht pasditen e sotme ka nisur grushti i shtetit. Tanksat e ushtrisë kanë rrethuar rezidencën e presidentit në Kajro. Gjithashtu, ata kanë përdorur edhe rrjeta teli, duke mos lejuar të dalë asnjë prej mbështetësve të tij. Në njoftimin zyrtar të ushtrisë thuhet se “Ushtria egjiptiane i përket të gjithë egjiptianëve”, duke përgënjeshtruar njoftimin nga presidenca se ushtria ka ushtruar dhunë ndaj mbështetësve të Morsit.
Në një situatë të tillë është e vështirë të bëhen parashikime, pasi presidenti Morsi jo vetëm që nuk do të dorëzohet, por fton popullin e Egjiptit të mos bien pre e ushtrisë që momentalisht po kryen grushtin e shtetit për të rrëzuar qeverinë.