Mohammed Morsi nuk eshte me president i Egjiptit, pasi gjenerali Al-Sisi konfirmoi rrezimin e tij nga pushteti mbremjen e se merkures, pas nje grushti shteti te udhehequr prej ushtrise.
Duke cituar burime të “sigurta” brenda Egjiptit, "CNN" thotë se pritet të jetë opozitari properëdimor e liberal El-Baradei, ish-drejtori i Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, ai që do të kryesojë një qeveri tranzicioni të përkohshme.
Me parë, Presidenti Mohammed Morsi përsëriti ofertën e tij për një qeveri konsensuale, por refuzoi tërheqjen.
Ndërkohë, një zëdhënës i Vllazërisë Myslimane, të cilës Morsi i përket, ka njoftuar në Twitter se një “grusht ushtarak shteti” ishte në zhvillim e sipër në Egjipt.
Mona al Qazzaz ka deklaruar për BBC se: “Frika ime më e madhe është t’i kthehemi një shteti ushtarak. Ushtria nuk duhet të bëhet pjesë e skenës politike”.
Ndërkohë, burime të tjera nga vendi i ngjarjes njoftojnë në rrjetet sociale se protestuesit rivalë kanë filluar të gjuajnë me gurë njëri-tjetrin.
Korrespondentët e BBC kanë raportuan gjate pasdites për një rritje të pranisë ushtarake në kryeqytet dhe për autoblinda që lëvizin nëpër rrugë.
Teksa ultimatumi i vendosur nga ushtria kaloi afatin, brohoritje të shumta u dëgjuan në sheshin "Tahrir", ku mijëra protestues ishin mbledhur.
Më herët krerët ushtarakë zhvilluan takime me figura politike dhe fetare për të diskutuar mbi situatën. Por partia në pushtet për Liri dhe Drejtësi, krahu politik i grupit Vëllezërit Myslimanë, nuk u përfshi në këtë dialog.
Kur kishte kaluar më shumë se një orë nga ultimatumi, përleshtjet shpërthyen mes dy grupeve protestuesish rivalë gjatë natës, që lanë të paktën 16 persona të vdekur në Universitetin e Kairos.
Kundërshtarët e zotit Morsi deklarojnë se ai dhe Vllazëria Myslimane po nxisnin një axhendë islamike në Egjipt dhe për këtë duhet të tërhiqen.
Në një deklaratë sfiduese të mbajtur të martën në televizion, zoti Morsi deklaroi se ai do të jepte jetën e tij për të mbrojtur legjitimitetin kushtetues dhe fajësoi për trazirat korrupsionin dhe mbetjet e regjimit të rënë të Hosni Mubarak.
Kreu i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al Sisi raportohet se u takua me komandantët më të lartë të mërkurën, për të diskutuar detajet e periudhës post-Morsi.
Plani i ushtrisë, sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, përfshin përcaktimin e zgjedhjeve të reja presidenciale, pezullimin e kushtetutës së re dhe shkrirjen e parlamentit.
Anëtarë të lëvizjes rebele Tamarod, që ka mobilizuar miliona demonstrues në rrugë për të kërkuar largimin e zotit Morsi, ishin gjithashtu pjesë e takimit. / Top Channel