Është e lehtë të mbrosh një panda apo këlyshet e një xhaguari, por cfarë po ndodh me speciet në zhdukje, të cilat nuk janë tërheqëse për syrin e njeriut?
Mbi këtë arsyetim ka lindur në Angli një Organizata e Mbrojtjes së Kafshëve të Shëmtuara (Ugly Animal Preservation Society). “Të mbrojmë disa prej bijëve estetikisht problematikë të Nënës Natyrë”, ky është misioni i kësaj organizate.
Në krye të saj qendron Simon Watt, një biolog evolucionist, i njohur në Britani për programin e tij mbi natyrën dhe kafshët që drejton prej vitesh me një dozë të theksuar humori.
Pjesë e aktivitetit të shoqatës është përfshirja e shkencëtarëve dhe aktorëve në një program televiziv ku ata kanë 10 minuta kohë të bindin teleshikuesit për “bukurinë e jashtëzakonshme” të një kafshe të shëmtuar, duke ndërruar rolet, shkencëtarët shndërrohen në komedianë dhe komedianët në shkencëtarë, ndërkohë që speciet e shëmtuara bëhen të famshme.
Mes kafshëve të shëmtuara që grupi i realizimit televiziv duhet t’i nxjerrë në pah bukuritë është Nasalis (Nasalis Larvatus), një lloj majmuni me hundë tërësisht jashtë cdo proporcioni me përmasat e tjera të fytyrës. (Në gjithë botën numërohen më pak se 7 mijë prej tyre).
Tjetër specie në zhdukje që duhet të zbukurohet në televizion është Promachoteuthis Sulcus, një lloj kallamari që jeton në thellësitë e Oqeanit Atlantik, aq pak i njohur nga njeriu sa nuk ka as emër popullor. Pamja e tij: horror.
Për të kaluar më pas tek “miu pa lëkurë”, apo miu lakuriq, i njohur shkencërisht si Eterocephalus Glaber. Jeton në disa zona të Afrikës Lindore. Pamja: horror.
Andrias Davidianus, ose Salamandra gjigante kineze. Është amfibi më i madh në botë.
…dhe Psichrolutes Marcidus, një lloj peshku që jeton në ujërat e thella të oqeanit mes Australisë dhe Tazmanisë. Për shkak të shkatërrimit të habitatit të tij, ndodhet në fazën finale të zhdukjes.