Forumi Kuq E Zi
URA LËVIZËSE E PANAJOT VURBALLËS Mirese10
Pershendetje vizitor i nderuar.
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te Identifikohu qe te merrni pjese ne diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

-Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...
Duke u Regjistruar ju do te perfitoni te drejta te lexoni edhe te shprehni mendimin tuaj.

Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen që fute ne dispozicion për të vizituar saitin tonë.
Per cdo gje na kontaktoni ne Forumikuqezi@live.com
URA LËVIZËSE E PANAJOT VURBALLËS Regjis10


Join the forum, it's quick and easy

Forumi Kuq E Zi
URA LËVIZËSE E PANAJOT VURBALLËS Mirese10
Pershendetje vizitor i nderuar.
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te Identifikohu qe te merrni pjese ne diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

-Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...
Duke u Regjistruar ju do te perfitoni te drejta te lexoni edhe te shprehni mendimin tuaj.

Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen që fute ne dispozicion për të vizituar saitin tonë.
Per cdo gje na kontaktoni ne Forumikuqezi@live.com
URA LËVIZËSE E PANAJOT VURBALLËS Regjis10
Forumi Kuq E Zi
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ju Mirpresim te gjithve ne forumin ton, ku do te gjeni argetim, humor, filma, lajme nga me te fundit, informacione nga me te ndryshmet, libra, programe per kompjuterin dhe shum e shum gjera te tjera. Per me shum ju ftojm te gjithve te REGJISTROHENI.....


You are not connected. Please login or register

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

$EB@$TJ@N

$EB@$TJ@N
->Fond@tor<- WebM@ster
->Fond@tor
Panajot Vurballa morri frymë thellë dhe mbështeti bërrylat mbi tavolinë. Me mollëzat e dy gishtërinjve të mëdhenj fërkoi mjekrën katrore të parruar, ku zbardhonin qimet e shkurtra, të ashpra. U kthye me ngadalësi në gjysmë profili dhe brodhi shikimin jashtë dritares ku zverdhonin gjethet e rralla, të qullura të kumbullës. Një damar i hollë i përdredhur, i pulsonte në tëmth e një vijë e kuqërremtë e thelluar zgjatej në faqen e majtë, të rrudhosur dhe i zbriste deri poshtë në mjekër. Ai e pikasi shikimin tim të ngulët, tërhoqi kokën prapa dhe fërkoi me nervozizëm shenjën e kuqërremtë.
-Gjithë natën e natës më kanë çarë kockat, u rrotullova mbarë e prapë në shtrat, si peshku në tigan me vaj të nxehtë. Sa herë stinët ndërrohen dhe moti ftohet nuk vë gjumë në sy,- murmuriti.
E vështrova butësisht me dashamirësi, si për ti dhënë ngrohtësi dhe vura lehtë buzët në gaz. Panajoti më keqkuptoi, u skuq, u përvuajt në fytyrë, rëndoi mbi të dy krahët, përdrodhi trupin dhe u ndeh në tavolinë. Përnjëmend përfytyrova peshkun e lagësht me kokë njeriu që kërcente, vërtitej pjerrtas në tigan nën zhurmën cingëruese, të vajit të nxehtë. Përnjëherësh ndjeva një prerje të fortë në ballë mbi vetullën e majtë dhe marrje mendsh. Peshku me kokë njeriu, me luspa të përcëlluara e që vërtitej në tigan nuk më ngjau me Panajot Vurballën, por me një fytyrë të stërzgjatur me sy të zgurdulluar të skuqur dhe që nënqeshte me cinizëm. Ndoshta tjetërsimi vinte prej nxehtësisë përvëluese të vajit të nxehtë…
-Ju lutem zotëri, mos qeshni, – dëgjova zërin e tij të metaltë.
Përshkunda kryet dhe ia bëra:
-Më falni…
- Ju lutem e ti lëmë mënjanë kockat e rrëgjuara dhe gjumin e arratisur të plakut. – Më ndërpreu ai,- Ju a thashë dhe më parë, është jashtëzakonisht komplekse, me përgjegjësi, të gjykosh me paanësi ngjarjet e turbullta të jetës së individit në diktaturë. Të zbërthesh pafajësinë apo fajësinë e dikujt. Ju a them sinqerisht, duhet të bëhet një analizë e kujdesshme, të mos fyesh dhe të mos prekësh askënd. Zotëri, ju a them me bindje, vetëm një fill i padukshëm, tmerrësisht i hollë e ndan pafajësinë e përhumbur prej fajësisë së pështjelluar, të leqendisur prej kushteve dhe rrethanave…- Panajot Vurballa ndërpreu fjalën në mes dhe me nervozizëm, me shpinën e dorës fshiu lagështirën në gropëzën e syrit të majtë.
Doja ti thosha se nuk mund të qeshja me një bisedë aq delikate, zemërhapje, por heshta. Ai kërkoi të bisedonte me mua. Duhej të tregohesha duruar e ta dëgjoja. Gjithsesi peshku me fytyrë njeriu dhe përdredhja e mundimshme në tigan, në vajin e nxehtë me acaronte. Panajoti qëndroi një hop i tendosur, në përgjim, për të zbuluar tek unë ndonjë bezdisje, dyshim, rritim, nënqeshje ironike. Qëndrova pa lëvizur, i mbërthyer në stolin e drunjtë. Përgjimi i tij ish ngjitës si tutkall, aq sa nuk më bëhej të merrja prej tavolinës gotën me lëng limonade. Ai fërkoi qafën mbas jakës së këmishës, u kapërdi me zhurmë duke picërruar sytë. Balli me rrudha iu mbush me djersë, nisi ta fshinte me pecetë. Vështroi i pasigurt rreth e rrotull dhe tha:
- Kam nevojë të shpjegohem. Ju lutem! Më falni!
-Jo,- ia bëra, – ju mund të flisni, të shpjegoheni dhe nuk ka perse të më kërkoni të falur. – Gjeta rastin dhe piva një gllënjkë të madhe me lëng limonade. E njihja prej vitesh Panajot Vurballën, si bashkëqytetarë të qytetit provincial jug lindor. Ndodhte që ndesheshim përballë në rrugë, përshëndesnim njëri tjetrin me lëvizje të shpejtë të kokës, por nuk qemë miq. Ai ish më i madh se unë në moshë dhe nuk dija shumë hollësira për të. Ndërkohë kishin kaluar vite që nuk e ishim parë me njëri tjetrin dhe ish e normale, përgjatë oscilacioneve të ndryshimeve të sistemeve, lëvizjeve, ikjeve masive, shpërnguljeve, shumë përrenj malorë dhe fushorë rrodhën me vërtik në mëmëdhe. Një mëngjes më morri në telefon dhe me zërin e tij të metaltë më tha: ‘Alo, më falni për shqetësimin, jam Panajot Vutballa. Besoj se më mbani mend? Po!’ ia bëra i habitur. Ai heshti një hop si të mësonte efektin e emrit të tij dhe çuditërish kërkoi të takoheshe dhe të bisedonte me mua…
Befas mu shfaq përpara syve, ndryshe nga e mbaja mend vite më parë, ish rrudhur, kërrusur, fishkur dhe me shenjën tradhtare të kuqërremtë, të pagjumësisë në faqen e majtë.
Panajoti më vështroi qetë dhe luajti kryet lehtazi:
-Faleminderit. – tha dhe piu dy gllënjka të mëdha lëng limonade. Heshti një hop duke vështruar me sy të picërruar valëzimin e lehtë të lëngut të limonadës në gotën e qelqtë dhe vazhdoi:- Edhe pse jeni diçka më i ri se unë në moshë e dini mirë se jeta është një djall e gjysmë, e korkolepsur, lidhet, ngërdheshet me hallka të dukshme dhe të padukshme. Të gjallët kanë hallkat e lidhjeve të ndërsjella, të varura dhe të ndërvarura. Të vdekurit kanë hallkat e padallueshme të shpirtrave, të cilët janë bërë një me erën. Universi, galaktikat, sistemet diellore, të gjitha janë të ndërthurura e të lidhura prej hallkash, me një ekuilibër të mahnitshëm. Mes hallkave bëhet luftë e gjatë e vazhdueshme e pandërprerë. Krijohen planetë shuhen dhe krijohen planetë të rinj. Krijohen sistem diellorë, shuhen, krijohen sisteme të tjera. Lidhje, zinxhir i pafund, ë! E çuditshme! Për fat të keq asnjë gjallesë kudo që të jetë nuk është e përjetshme dhe nuk është e aftë ti gjykojë saktësish këto procese. Nuk mundet dhe përse? Sepse është një tërësi pafajësie marramendëse ç’armatoseshe. Edhe me njerëzit në botën tonë të kaltër ndodh e njëjta gjë. Njeriu si një hamall i keq pa ditur se çdo të sjellë jeta më pas tërheq në mënyrë të pazgjidhshme fatin e vet dhe të tjerëve. Lidhjet zinxhir vazhdojnë pambarimisht dhe nuk do të përfundojnë kurrë…
Panajoti heshti një moment dhe me vështrim përtokë foli zë ulët:
-Filozofova pak, hë, nuk dija si ta filloja ndryshe. Megjithëse gjithnjë i kam thënë vetes të mos futem në thekrat e dendura të filozofisë, sepse këto djall filozofi të koklavitura dhe letërsi të fandaksura bëhen lesh arapi, të marrin në qafë, jepen dhe merren me shumë kuptime.., por jo tani, në diktaturë po. Hë! Aha! Tani mund të filozofosh si të vijë për mbarë. Mund të shkruash çfarë të duash, të thuash ç’të duash. Broçkullit si ta kesh qejf, s’të nget njeri! Besoj se më kuptoni?
Luajta kokën në shenjë pohimi. Panajoti piu limonadën me neps, fshiu buzët me shpinë e dorës dhe vazhdoi:
-Fatmirësisht tani gjithçka është ndryshe, si nata me ditën. Sa mirë është tani. Eh, nejse! Ne që jetuam, punuam, sakrifikuam në vendet socialiste të lindjes, me ideologji të shpifur, jemi brez i vonuar, i humbur. Eh, nejse..!
Në diktaturë jeta më ka rrjedhur si gjithë të tjerët, hiq e mos e këput. Në vitet e para të pas luftës së dytë zbritëm në qytet prej fshatrave të thella të Oparit. Babai burrë i vuajtur fjalëpakë, me katër klasë shkollë fillore, praktik, bleu tokë dhe ndërtoi shtëpi rrëzë kodrave të Buçimës. Vitin e parë e patëm pisk mbasi na zuri dimri i keq, ra borë e madhe, çatinë nuk e kishim mbuluar plotësisht me tjegulla dhe muret i kishim të pa suvatuar. Nëna na mbështillte me çfarë sollëm me vete nga fshati, por që nuk ishte e mjaftueshme. Kur mërdhinim shumë mbuloheshim dhe me kashtë. Nëna grindej dhe shante nëpër dhembë ngaqë ndoqi babanë pa dëshirë, nuk donte të linte fshatin dhe prindërit pleq. Babi donte të bëja universitetin. Të them të drejtën më lodhnin mësimet dhe më zinte dhembja e kokës. Sidoqoftë përfundova institutin dy vjeçarin të profilizuar dhe më caktuan të punoja në fshat. Prindërit më vdiqën herët, njëri pas tjetrit, i dërmoi e pangrëna, qilizma dhe puna e rëndë. Mbas disa vjet pune në fshatrat e fushës, u caktova ekonomist në ndërmarrjen e grumbullimit. Jeta rrodhi në monotoni, rutinë; shtëpi, punë, gjumë. Rrallë ndonjë kafe me shokët në lokalin e Besnikut dhe shumë rrallë birrë, vetëm kur vapa të zhuriste dhe gjuha të thahej.
Me Lorenë Katron u njoha rastësisht në një mbrëmje vallëzimi. Po kërkoja me sy ndonjë vajzë që ta merrja të kërceja. Sytë mi u ndeshën me sytë e gjelbra të Lorenës. Ajo më përgjonte, buzëqeshi me turp dhe uli kokën. Trupi i saj i butë, i bëshëm, me erë të këndshme mu ngjit mbas trupit, u fërgëllova, më ndezi. ‘Dëshironi të kërceni me mua gjithë kohën?’ E pyeta ma e parë në sy.’ Dua.’ Mu përgjigj e qeshi me zë kumbues dhe moskokëçarje. I përkëdhelur në sedër prej gatishmërisë së femrës së pashme me sy të gjelbër, mora kurajë e përfshiva për beli dhe e tërhoqa më pranë trupit tim. Kërcyem gjithë natën së bashku. Kur e përcolla për në shtëpi ishte ftohtë, mes dhjetori. Ajo mblodhi krahët rreth vetes të ngrohej. ‘E do xhaketën time,’ i thashë. Ajo luajti kryet në shenjë pohimi. E mbështolla me xhaketën time dhe e putha lehtë në buzët e tulta. Ajo u drodh mbylli sytë dhe zgjati buzët gonxhe në pritje të puthjes së dytë. Ia përfshiva buzët e kuqe si të ishin qershi belice gjithë lëng. Lorena mu dha e tëra. Bëmë seks të zjarrtë në shkallët e pista të pallatit. Mu tipos në mëndje se si Lorena nuk kish të dytë dhe qe femra më e ngrohtë në botë. Ditën tjetër e mora në shtëpi, prekëm, trazuam, ledhatuam njeri tjetrin dhe qëndruam të zhveshur në shtrat deri vonë. Isha i vetmuar dhe prania e saj më ngrohu shtëpinë. ‘Jeton vetëm?’ më pyeti ajo e habitur. Luajta kokën në shenjë pohimi dhe e tërhoqa butë drejt shtratit. ‘Isha vetëm, dikur, i thashë, tani të kam ty Lorenë, hyre si fllad i freskët në shtëpinë time.’ Asaj iu bë shumë qejfi, u përlot dhe u shkri e tëra. U martuam. Lorena ish e pangopur në seks, më kacavirrej në trup si gjarpërushe, por në krye të vitit u tërhoq, u ftoh, u shtie shumë pas prindërve të saj pleq dhe më së shumti pasditen e kalonte me ta. Kur kthehej në shtëpi më dukej si e fryrë prej mllefit, fillonte grindej për një fletë presh. Nuk i ktheja përgjigje, prisja që asaj ti binin nervat dhe të bënim seks si më parë, për të mos e acaruar situatën merresha me macen bardhoshe, Pisika.
Lorena qëlloi barkthatë, nuk më dhuroi fëmijë. Kjo ish një prej arsyeve të ftohjes dhe të sherreve. Ajo, prindërit, gjithë armata e krushkave dhe krushqve, ma hidhnin mua fajin, më përgojonin prapa shpine për paburrërinë time në mos mbarsjen e gruas. Më vinte të ulërija. Tu bërtisja në fytyrë. Po kujt, të gjithë do mblidhnin buzët dhe do lëviznin rrëshqanthi.
Ta themi midis nesh, Lorena më tradhtoi fshehtazi në muzg, me Viktorin, shefin e kuadrit. Këtë ma shtiri në vesh Takja shitësi i karameleve, i cili gjoja si me shaka, më tha se Lorena ka filluar të hutohet shpesh, pakujdesish ngatërron rrugën e shtëpisë sime me rrugën Citove që të çon në shtëpinë dy katesh me oborr të madh të Viktorit Gjylametit. U ktheva vrulltas nga Takja e pashë me inat dhe i bërtita: ‘Mbylle grykën Take Fenda se për nder ti bëra hundët përshesh.’ Ai qeshi, e dinte mirë, nuk isha nga ata që bëja hundët përshesh.
Dyshoja edhe më parë në pabesinë e Lorenës. E përgjova dhe e zbulova. Shtëpia e Viktori Gjylametit ish shtëpia e saj e dytë. Më tradhtonte me kodosh Viktorin i cili e prishte paranë majtas dhe djathtas dhe u qepej fustaneve të grave si shushunjë. Kafshova buzën dhe u drodha si purtekë prej marazit. Lorena e kërkonte me ngulm dhe hakmarrje mbarsjen dhe pjelljen. Një hop mendova se kërkonte të vinte veten në provë. Viktori njihej në qytet si një feminist i madh, beqar i stacionuar e që jetonte me të ëmën një plakë shurdhe, të cilës i vinte një pension i mirë mujor nga shteti fqinj i jugut. Vite më parë Viktorin e akuzuan për marrëdhënie seksuale me bardhoshen Sanie, kosovaren e bukur, të cilën e përlau, fill pas arrestimit të Halitit, e kur ajo ish pesëmbëdhjetë vjeçe. Halitin e mbajtën dy vjet në hetuesi në birucat e tmerrshme të Hanit me dy porta. U përfol se në këtë arrestim kish gisht Viktori, por asgjë nuk u vërtetua. Kosovari Halit u burgos me pesëmbëdhjetë vjet, e drynosën në burgun e Spaçit. Viktori e braktisi vajzën shumë shpejt, nuk e lejonte morali socialit të kish marrëdhënie me të bijën e armikut të klasës. Bukuroshja Sanie zbriti shkallët sypërlotur dhe mori rrugët.
Unë e dija mirë që isha burrë. Për hakmarrje të Lorenës iu qepa pastrueses të zyrave, arixhofkës Xixe, gruas së karrocierit të komunales, çakërrit Remi. Nuk gjeta tjetër. Ajo nuk ta mbushte syrin, vithet i kish të gjëra, të shqyera si patë e vjetër. Ish e pistë dreqi, hyra në të me ndot, por më ngjiti në seks dhe kur vinte në qejf të përlante, të bënte pestil. Bëra ku munda kacafytje me Xixen, pa a vrarë mendjen. Epshet e mija ishin gjithë ngutje, të rrëmbyera, të ndezura, të papërmbajtura. Kisha nevojë për femër. Ajo shtrëngonte dhembët, shkrihej e tëra, më fuste mes këmbëve dhe më pëshpëriste, ‘kolopuçi i Xixës, që më dukeshe aq rëndë dhe nursëz. Duhet ta dish, ke nevojë për pelë mbarsë, të mos e mbajë hundën përpjetë.’ ‘Xixe mos e lësho gjuhën pa fre’, ia ktheja me ton kërcënues. ‘E de e, kujton se njerëzit janë shurdhë dhe qorra,’ ma kthente. Nuk i ktheja përgjigje, ndryshe fyhej. Ishte me huqe edhe Xixe. Vonë më tha, se fara ime ishte ngjitëse dhe po të kisha gjetur një arë pjellore do të kisha bërë një rreth me kalamaj. Sa fëmijë ke ti Xixe? E pyeta. Pesë, më tha ajo, dhe të gjashtin e kam këtu në bark. Ajo më shkeli syrin, por unë nuk guxoja ta pyesja në e kish me mua apo me Remi çakërrin. Fillova ti shmangesha, ajo më dilte përpara me barkun si tullumbace. ‘Me mua e ke Xixe, të drejtën më thuaj,’ i pëshpërita një ditë kur hyra në banjë. ‘Gjeje, ma priti ajo, por mos u tremb, mos u përdhjaks, Xixe e ka një burrë, Remin dhe ti e ke një grua, Lorenën. Xixe nuk është nga ato që marr në qafë të tjerët dhe shkatërron familje. Gruaja e fut shejtanin në shishe, por jo unë, Xixe, jam e shtruar, jo si arixhofkat e tjera, që të vënë kazmanë, të ngrenë në havadan. Ta lashë, të shkriva mes shalëve se më dhimbseshe e që të jesh i qetë. Dhe dëgjove, nuk kemi më punë bashkë.’ Nuk mora vesh se çfarë lindi, djalë a vajzë, pas lejes së barrës nuk u kthye në ndërmarrje. Xixe iku andej nga bregdeti dhe nuk u pamë më.
Panajoti buzëqeshi si me ndrojtje dhe kroi çaçkën e kokës.
Eh! Ç’ ti bësh! Koha të qullën, të bën helaq! Tashmë të gjitha këto duken hollësira banale aq sa të vjen të pështirë. Tani unë dhe Lorena jemi pleq me huqe që na duket sikur përgjohemi, shpesh herë vëmë syrin tek brima e çelësit dhe me shumë vështirësi i ngrohim këmbët te njëri tjetrit, ngaqë na qëndrojnë gjithnjë të ftohta.
Të jem i sinqertë nuk mund te ndahesha prej Lorenës. Më trembte hakmarrja primitive e familjes së saj dhe e rrethit të gjerë fisnor dhe shoqëror. Le të vazhdonte rrëkeja e jetës, hiq e mos e këput. U mësova me këtë mënyrë jetese, ndjehesha komod. Macja bardhoshe më çlodhte, dhe së bashku ndiqnim në kohë të lirë filmat vizatimore: Tomi dhe Xheri. Maces i pëlqenin filmat vizatimorë, shastisej dhe lëvizte me shpejtësi veshët e mustaqet. Ke parë ti, një herë më doli Xixe në ëndërr. Xixe kurbatka ishte me rroba banje dhe zbardhte dhëmbët. Zdërrja Xixe mbante në krahë një burrë. Xixe ç’e ke atë mashkull në krahë? E pyeta. Ajo hapi këmbët dhe zbardhi përsëri dhembët. Është shëmbëlltyra jote, më tha. Mos u tall Xixe, mos u hakmerr, shko gremisu! Jo nuk tallet Xixe jo, nuk di të hakmerret Xixe jo, por shikoje mirë këtë mashkull dhe mbaje mend, këmbënguli ajo. I thashë të afrohej më pranë për të dalluar më mirë. Xixe nuk dëgjoi, zbardhi dhëmbët më ktheu shpinën dhe iku. Vithet e saj nuk ishin si më parë, të gjëra dhe të shqyera, mu dukën të bukura ato vithe, të rrumbullakëta, të lëmuara, provokuese. Uf! Xixe! Thirra. I hutuar u solla vërdallë nëpër mjegull. E kërkova edhe herë tjetër Xixen të më vinte në ëndërr, me siguri ishte e zënë shumë me mashkullin që mbante në krahë. Ish zbukuruar kurbatka Xixe ish bërë si një vajzë e re! Goja mu bë shafran. Duhej të më kish harruar. Arixhinjtë janë bredharakë dhe nuk kanë kohë tu kushtojnë shumë rëndësi dashurive. Gjithsesi pastruesja e zyrave, arixhofka Xixe më kish lënë vragë në shpirt…
Si për dreq qetësia rutinë mu prish një pasdite vjeshte me shi. Pikat e shiut pikonin në strehë me zhurmë monotone. Ndjehesha i plogët. Qëndroja shtirë në divan dhe kotesha për gjumë, ndërsa macja gërhiste në pëqi. Dëgjova trokitje të lehta në derë. Vështrova një hop piklat e mëdha të shiut që rridhnin në xhamin e dritares dhe nuk më bëhej të ngrihesha. Lorena si zakonisht qëndronte tek ‘prindërit,’ të atin e kish zënë përdhesi. Ishim bërë të huaj për njëri tjetrin. Ajo vinte, zhvishej dhe hynte në shtroja. Unë përpiqesha ti kryqëzoja këmbët me të por ajo rënkonte, mërmëriste: ‘nuk ke qetësi në shtëpinë tënde’ dhe më shtynte me mërzi. Isha gati ti bërtisja në fytyrë:’ buçë, çfarë dreq qetësie kërkon, je ngopur me Viktorin pa më shtyn kështu.’ Flakja mbulesën, ngrihesha prej shtratit, ulesha në divan, macja më kërcente në pëqi. Hapja televizorin dhe ndiqja emisionet e mërzitshme televizive për Kongreset, të mbjellat, të korrat, aksionet dhe çetat vullnetare. Kërkoja me ngulm Tomin dhe Xherin, kur më lodheshin sytë mbyllja dritën dhe flija në divan.
Postieri më zgjati një zarf të verdhë me katër vula katrore dhe dy pulla të mëdha. Nuk isha mësuar me këto salltanete vulash të njoma dhe aq më shumë katrore. E mbajta zarfin e verdhë një copë herë në duar pa guxuar ta hapja për të lënë mendimet të bridhnin në shtegun e enigmës. Me përtesë e hapa. Letra vinte nga Katër Pallacinat e famshme të Degës së Punëve të Brendshme. Nga foleja e grerëzave. Një i njohuri im e quante rrethi i nëntë i ferrit, por që pati pasoja më vonë. Letra kërciti në gishtat e mi, shkau dhe ra përdhe. Përnjëherësh pësova pështjellim dhe hutim. E ngrita me nxitim dhe vështrova përreth, mos më kish parë kush. Qesha me trishtim. Isha vetëm në dhomë dhe macja, e mbledhur kutullaç në qoshe të divanit. Përse vallë më kërkojnë në atë ngrehinë të tmerrit? Vetëm sa të afrohesh aty pranë, apo ta parakalosh atë Bllok të zymtë, hijerëndë të krijohet ankth dhe frikë dhe jo më të hysh brenda, me çfarëdo arsyeje. Të duket sikur aty gjen mister dhe ankth. Nuk u besoja syve. Mos ish lajthitje e postierit dhe trokiti gabimisht në derën time? Emri dhe mbiemri im ish shtypur me germa të mëdha dhe me makinë shkrimi. Në fund të letrës gjoja si rastësisht shkruhej:
’Mos paraqitja në datën dhe në orën e caktuar të vë përpara përgjegjësisë dhe ligjit.’
Jeta modeste pa pretendime më shtynte të hamendësoja në monopatin e errët të hutimit. Nga e gjetën emrin tim, e njeriut të thjeshtë Panajot Vurballa! Nuk jam dalluar asnjëherë për bamirësi por e as për keq. Nëpunës shteti, ekonomist me pagë mesatare, rrogëtar i rëndomtë. Një herë në vit merrja ftesa për mbrëmjen e vitit të ri. Lorena vinte me bezdi, të mos e merrnin vesh se mes nesh kish hyrë dimri. Më vinte dorën me plogështi në shpatull, kërcente pa e pasur mendjen dhe më dukej sikur i vështronte meshkujt me sytë e gjelbër sikur do ti pinte. Një herë u deh keq, piu me inat. U detyrova ta mbaja në krahë deri në shtëpi. Gjatë rrugës më pëshpëriste në vesh. Panajot, keq më vjen, por duhet ta them, nuk je burrë për të qenë, shtrydhe tullumbin, shiko si jam, dërdëngë, të gjithë meshkujt mua më shikonin aty në mbrëmje. Më vinte ta plasja në rrugë dhe t’ja mbathja. E përmbajta veten, nuk i ktheva përgjigje. Vajtëm në shtëpi. Më thirri të bënim seks në shtrat, por më volli në gjoks dhe në dyshek. Nuk i kam bërë keq mizës që zhuzhuritën nëpër dhomë, as miut që më hyn tinëzish në dhomë nga një vrimë e vogël krijuar në cep të murit. Mua më ka hyrë në pjesë Viktori, e ndonjë tjetër që nuk e di. Eh, lere mos e nga!
Gjumi mu arratis prej ankthit. Kujt ti hapesha dhe tregoja për letrën mynxyrë, Lorenës, hëm, më mirë të vija një mikrofon në krye të rrugicës, ta merrte vesh e gjithë mëhalla. Ajo do nënqeshte, pastaj do më ulërinte në fytyrë. Si gjithnjë vinte ikte dhe nuk interesohej të dallonte ndryshime në veprimet e mia të çakorduara. Isha i vetmuari i botës së madhe, ndërsa thirrja, paraqitja e papritur në Degë më kërcënonte. Le ta merrja me lehtësi, ka raste që të thërresin edhe për mirë! Aha!
Oficeri i shërbimit, një hundëmadh, me puçrra në fytyrë, më vështroi me dyshim që nga koka deri në këmbët dhe me ton të ashpër, aspak miqësor, më tha të prisja. U rrëqetha. U ula në fund të stolit të gjatë, në cep, mblodha gjunjët dhe kryqëzova duart. Tëmthat më rrihnin me vrull prej frikës së pritshme. Duhej të duroja dhe të mos nxirja gjysmë fjale. Zemra më kërcente në gjoks. Nuk kisha bërë asgjë të ligë përse më thërrisnin:
‘Mos paraqitja në datën dhe në kohën e caktuar të vë përpara përgjegjësisë dhe ligjit!’
Solla nëpër mend aktivitetin e përditshëm, bisedat e zakonshme, asgjë për të dyshuar dhe të pamenduar. Shtëpi, punë, gjumë. Leximin e gazetës: ‘Zëri i Popullit.’ Ju e dini. Komentet e përditshme për ndeshjet e futbollit, diskutimet për kooperativat e tipit të lartë, rezultatet e larta në misër dhe grurë, të merrnim shembuj nga heronjtë socialistë dhe asgjë më tepër për të shënuar. I matur, i kujdesshëm gati si robot, mungonte vetëm kurdisja pas shpine. Nuk mund të dilja prej lëkurës sime dhe është gjë e mirë. Vetëtimthi më shkoi mendja tek të afërmit të mi në fshat, mos kishin llapur dhe bërë ndonjë budallallëk.
Prej thellësive të nëntokës dëgjoja të bërtitura dhe rënkime rrëqethëse. Më ngjetheshin mishtë. Nga ma gjetën emrin dreqi ta hante, kur nën dhe kufomat ulërijnë. Mos e bënin kastën për të më kallur datën? Muret shkundeshin, oficerët dhe punonjësit civilë të sigurimit të shtetit hynin dhe dilnin. Ndaleshin një moment më hidhnin vështrime zhbiruese, vendosnin duart në brez ku gjendej arma flakëvjellëse, e tundnin e shkundnin, pastaj përplasnin derën dhe iknin. Sa shumë oficerë dhe punonjës civilë kishin Pallacinat e degës së punëve të brendshme! Më qullej shpina prej djersëve. Në krahun e majtë dëgjohej ritmika cingëritëse të makinës së shkrimit. Numrat metalike të makinës së shkrimit godisnin jo mbi letër por mbi trurin tim të lodhur.
Vonë, oficeri i shërbimit, hundëmadhi me zë autoritar më thirri:
-Panajot Vurballa,- duke ma rrokëzuar emrin, sikur donte ta peshonte mirë, ta gërryente çdo rrokje. U ngrita menjëherë si me sustë. Oficeri më pa edhe njëherë që nga koka deri në këmbët, rregulloi koburen, e tundi e shkundi, më kontrolloi edhe njëherë dokumentet. U kollit rëndë dhe hungëriti: -Domethënë ju jeni Panajot Vurballa?
Luajta kokën në shenjë pohimi. Unë isha i vetëm që prisja prej më shumë se një orë në dhomën e pritjes me mure të lyera ngjyrë gri dhe nuk kish tjetër njeri. Ç’ ish nevoja të sigurohej ky oficer policie, kur unë përgjohesha në çdo lëvizje, apo luante me mua si macja me miun? Mu duk sikur sytë e tij kishin një refleks të zbehtë ironie. Ai u zbyth, hapi derën dhe më bëri me shenjë të hyja brenda. Një tjetër më priste pas derës, ky ish kockëmadh, me mollëza të kërcyera, ezmer si një gorillë, mëngë përveshur, më shoqëroi duke gromësirë në një korridor të ngushtë. Nuk dëgjoja ulërima, korridori i lagësht, mbante erë myk dhe dergjej në heshtje e nderë. Gorilla më shtynte si pa mendje me bërryl dhe unë përplasesha pas mureve. Ecja dhe dëgjoja hapat e mia. Sa korridor i gjatë! Gorilla ma shpifi, më ngjitej si shushunjë, më shtypte hija e tij. Më kontrolloi edhe njëherë dokumentet.
- Ti je ai, Panajot Vurballa!- tha dhe tundi e shkundi një tufë të madhe me çelësa. Goja i mbante erë të rëndë.
-Po,- mërmërita me zë të dredhur dhe shtova:- të kuptohemi shoku oficer, ju më thirrët të vij këtu. Jam qytetar i ndershëm. Nuk kam bërë asgjë të keqe.
- E dimë e dimë,- ia bëri ai, -sigurisht që jeni qytetar i ndershëm dhe nuk keni bërë asgjë të keqe, por ec, ec.
U hap një derë me kërcëllimë. Ai më shtyu butë në shpinë. Eca, hyra brenda.
-Uluni,- dëgjova.
U përmenda prej topitjes dhe vështrova rreth e rrotull. Më kishin futur në një dhomë diçka trekëndore, a pesëkëndore dhe unë qëndroja akoma i ngujuar tek dera e trashë, veshur me shtresë metalike. O Zot, çfarë të kem bërë që më futën në këtë skëterrë metalike! Mos Lorenës i kish rënë në vesh mëndje shkrepja ime me Xixen dhe vendosi pa ceremoni të më hiqte qafe duke më kish raportuar në ferr? Po unë isha ombrellë e mirë për të dhe Xixe po tretej nga mugëtira e viteve.
-Uluni,- më urdhëruan.
U drodha.
-Ju lutem, jam qytetar i ndershëm, nuk kam bërë asgjë të keqe,- pëshpërita.
-Ju thamë qe e dimë që nuk ke bërë asgjë të keqe por ulu, -dëgjova.
Nuk mundesha, më dukej sikur gjendesha në mesin e një ure të ngushtë dhe shumë të gjatë, lëvizëse, që lidhte dy brigje të thepisura dhe poshtë në humnerë rridhte rrëmbyeshëm një lumë i turbullt. Lëkundja e urës së ndehur në katër litarë dhe dërrasat e lagështa më shkaktuan të rrëqethura në trup. Duhej të vendosja, të shkëputesha prej qendrës së urës, ku dërrasat kërcisnin dhe kish rrezik të thërrmoheshin prej peshës sime. Ata flisnin, por unë nuk dëgjoja asgjë.
Hodha disa hapa, përpara, prapa, majtas – djathtas. Ura u lëkund, dërrasat kërcitën dhe mua më erdhi për të vjellë.
-Ne presim, – dëgjova zërin e trashë,- duhet ta kuptoni drejt, është detyrë qytetarie…
Detyrë qytetarie, murmurita me vete. Detyrë ***. Sa gjëra thuhen dhe bëhen me fjalët standarde, detyrë qytetarie.
Lëviza qafën, dëgjova përsëri kërcitje. Ktheva kokën andej nga erdhi zëri. Mu duk mjegullinë. Menjëherë e mblodha qafën si breshkë, por nuk mund ta fshihja, nuk isha i karrocuar. Dhe ne përbuzim të gjorat breshka! Me pendesë lashë kokën të më ftohej prej rrymave të ftohta që turreshin prej dritareve të hapura. Dy duar të mëdha më kapën butësish prej krahëve dhe më ulën në stol. Prej erës së rëndë të gojës së tij më erdhi për të vjellë. Me siguri ishte gorrilla. Isha gati ti thosha, çfarë rrëke halesh derdhen aty. Kafshova gjuhën. Gorilla mezi priste të vinte në lëvizje mbi trupin tim panxhat e mëdha. Por edhe aty mu bë sikur nuk isha ulur në stol, gjendesha akoma në mesin e urës lëvizëse dhe gorilla më tundte mbi krye një topuz të madh. Ndër veshë dëgjoja zhaurimën e lumit të rrëmbyer që rridhte me potere, dredhonte nëpër shkëmbinjtë e mprehtë.
Ta merrte dreqi, përse nuk kishin ndërtuar një urë metalike, me kollonata betoni të qëndrueshme dhe të lehtë për të kaluar, të më çonte diku gjetkë dhe jo pikërisht në këtë birucë trekëndore. Urë të tillë të shpifur, me litarë të ngrënë nga koha dhe dërrasa të kalbura nuk e kisha ndeshur kurrë më parë. Nga u ndodh kjo urë këtu? Ç’mund të bëjnë katër litarë të ronitur, të tendosur forcërisht deri në çmenduri dhe të lidhura me nyje në cepat e shkëmbinjve. Ja edhe litarët ndërmjetës janë të lidhura me hallka, ku nëpër to janë vendosur dërrasat gjysmë të kalbura. Dreq! Të pështira janë hallkat e litarëve edhe pse janë të domosdoshme dhe shërbejnë si nyje lidhëse mes dy brigjeve të thepisura dhe midis dërrasave..! Hallkat e litarëve fillimisht janë krijuar për varje, mjet i hershëm tejet efikas dhe asgjësues. Nga u gjenda pikërisht në mes të urës lëvizëse dhe topuzi i gorillës, i ndehur, kërcënueshëm mbi kryet e mia. Pak më tej lëkundet hallka e trashë e litarit si paralajmërim. Të gjitha urat dridhen, si fatet e njerëzve, por kjo urë e flamosur lëkundet për tmerr…
-Shoku Panajot Vurballa ne e dimë fort mirë që jeni qytetar i nderuar dhe i përkushtuar. Ne kemi respekt për prejardhjen tuaj klasore, partia ka besim..,- dëgjova.
‘-Ah!’- më foli zëri brenda vetes. ‘Kush thirret këtu, në folenë e grerëzave, respekti dhe besimi janë nevojtore dhe do apo nuk do mbi shpinë duhet të mbartësh dreqërit me brirë.’
-Vëzhgimi, vrojtimi, përgjimi, analizimi dhe raportimi janë pjesë përbërëse e përgjegjësisë dhe detyrës së qytetarit të ndershëm, të përkushtuar, të respektuar ndaj aspiratave dhe idealeve të larta.- Dëgjova të fliste i njëjti zë.
Ndërsa me vete shtova: ’gjithnjë ndershmëritë kalojnë në banalitete të pështira. Shkërdhatërira. O zot, mos i lërë të më blejnë mendimet, më rrëmbeu dallga e madhe me zhurmë dhe rrëmet..’
Zëri monoton vazhdonte të fliste: … me besueshmëri të lartë dhe të pa tjetërsueshme, u përzgjodhe prej listës së më të mirëve, për të përmbushur detyrat e shenjta të qytetarisë. Dhjetë komisione sekrete dhe njëzet nënkomisione shqyrtuan kandidaturat e më të mirëve dhe më të besuarve. Sepse vetë shteti, partia dhe qeveria mbështeten kryesisht në supet e njerëzve të respektuar, të përzgjedhur dhe të besuar.
Doja të flisja, të kundërshtoja, tu thosha: ju lutem më lini në hallet e mija. Litarët e urës u lëkundën për lemeri. Unë u dalldisa, gorilla vringëlloi topuzin dhe thërrmoi disa dërrasa të urës. Zëri pranë veshit buçiti:
-Nuk duhet të kalosh kohën e lirë në limonti, me mendime bajate për tradhti bashkëshortore dhe me macen bardhoshe, dëgjove? Dije mirë se hallet, brengat, problemet e shtetit dhe të partisë janë shumë të mëdha. Ne nuk bëjmë dot pa juve, levat e rëndësishme lëvizëse të shoqërisë. Duam të themi, transportierë të rëndësishëm të mendimeve dhe veprimeve.
Doja ti kundërshtoja, tu thosha se nuk keni të drejtë të hyni në problemet intime dhe se macja është pjesa e rëndësishme e familjes. Ai si ti kish blerë mendimet e mia më foli thatë.
-Macja nuk është kurrë pjesë e familjes dhe e shoqërisë. Macja është një kafshë çfarëdo shtëpiake dhe nuk është për tu mbajtur në prehër e përkëdhelur por për të zënë minj.
Mblodha shpatullat, i futa mes supeve por i kisha të zbuluara. Ai vazhdoi:
-Personi i dyshuar që mendohet tu rekomandohet për ta mbajtur në përgjim ka një dosje të plotë, të detajuar. Së pari do tu jepen të gjitha informatat e nevojshme, e shkuara e afërt dhe të largët si dhe aktiviteti i tij i përditshëm. Mos beso asnjëherë ajo që duket, të kërkohet ajo që mendohet dhe fshihet…
-Unë nuk thashë se pranova,- mërmërita.
-Hesht! Pyetjet në fund, më pas komentet dhe sugjerimet. Ju thamë, emri yt ish në krye të listës për devotshmëri dhe besueshmëri. Komisionet dhe nënkomisionet harxhuan kohë, mund dhe djersë për të seleksionuar ty,- ma preu zëri ashpër dhe vazhdoi.- Siç ju thamë, personi që mendohet se ka aktivitet të dyshimtë duhet të vihet menjëherë nën mbikëqyrje të rreptë. Duhet të vëzhgohet, vrojtohet, përgjohet, analizohet dhe në fund raportohet me përgjegjësi dhe ideal qytetarie për çdo kafshatë që ha dhe për çdo hap që hedh.
Gjuha mu tha, kërkova ujë. Dikush me buzëqeshje standarde më afroji një gotë me ujë të freskët. Çfarë dreq liste ishte kjo që kish shënuar emrin tim! Ç’ishin këto dhjetë komisione dhe njëzet nënkomisione të shqyrtimit të listave! Ata më lanë një copë herë të shijoja ujin e freskët duke më përgjuar. Kisha frikë se mos mi blinin mendimet ndaj nuk duhej të mendoja. Kërkova përsëri ujë. Ata më vunë përpara një brokë të madhe me ujë.
-Pi Panajot Vurballa, pi sa të duash ujë të freskët, – më thanë me zemërgjerësi,- ngopu.
-Do pi ujë të freskët, do pi,- u thashë,- deri sa të ngopem.
-More shoku Panajot, nuk po pyet se për kë je caktuar që duhet ta zhbirosh, ta përgjosh?- më pyetën ata.
Ngrita supet. Isha krejt pasiv. Nuk ma mbante të thosha jo. Tashmë emri im ish i shënuar në listat e ndritura, në thonjëza të Katër Pallacinave.
-Hë more Panajo, Panajot, -ia bënë ata dhe luajtën kryet me qortim. Përpara syve më vendosën disa fletë të shtypura me makinë. Më dukej sikur germat e shtypura në fletë ishin të gjalla dhe lëviznin si milingona të pështira, turreshin me ngutje drejt gishtërinjve të mi për ti mi ndukur. Sa të verdhë dhe të holluar mu dukën gishtërinjtë e mi, si prej të vdekuri! Dëgjova një zë urdhërues:- Firmos këtu.
-Përse!?
Qëndrova i ngrirë, pa lëvizur.
- Formalitete të zakonshme burokratike,-më thanë.
Ata ma vunë stilolapsin në mes të gishtërinjve dhe më treguan vendin, në fund të faqeve ku duhej të firmosja. Një copë herë dora më mbeti e ngurtësuar, pezull. Ata ma ulën dorën butë mbi fletë dhe unë firmosa, një dy, tre, ndoshta mijëra fletë. Dëgjova i shpërqendruar zhurmën e butë të stilolapsit kur shkiste mbi fletët formati të mbushura me një shkrim të ngucur. Doja ti pyesja përse duhej kaq me ngulm firma ime, por ata bënin shumë zhurmë dhe ura lëkundej me lemeri.
-Të lumtë qytetari Panajot Vurballa, kështu të do partia,- më thashë dhe tërhoqën fletët me shpejtësi.- Mëso Panajot, njeriu që të është besuar ta përgjosh, zhbirosh, raportosh, për të ndihmuar dhe mbrojtur qëllimin e madh,fitoret e arritura, atdheun, socializmin, është mendjefshehuri, i dyshuari, fqinji yt, Musa Jaku.
U drodha, shpina mu ftoh, mu bë akull. Mu bë sikur më hodhën në trup një kovë të madhe me copëra akuj. Musa Jaku, Musa Jaku! Përnjëherësh më doli përpara syve trupi i imët i Musajt, me pardesynë e zbardhur, të zhubrosur, të gjatë deri në fund të këmbëve. Musa Jaku me pesë qime të grunjta në kokë, fytyrë ligur, rrethuar me një tufë kalamaj, të cilët i shoqëronte çdo mëngjes në kopsht dhe në shkollë. Me thënë të drejtën, në një farë mënyre ia kisha zilinë Musës, sepse habitesha sa shumë shpejt u mbinte fara disa njerëzve. Tak- fak dhe pëlltump fëmijët njëri pas tjetrit. Ara e Lorenës mbeti e shterpët, sado që u eksperimentuan në të dhe fara të tjera. Ndërsa për arën e Xixe pastrueses nuk dija se ku gjendej. Fqinji Musa Jaku rridhte prej një familje të pasur të rënë nga vakti. Kish studiuar në një shtet të Evropës për filozofi dhe shkenca shoqërore, vlerësuar me medalje ari. Dikur jepte mësime private gjuhe, në shtëpinë e tij përdhese hynin dhe dilnin vajza dhe djem, por me thellimin e luftës së klasave iu ndalua mësimdhënia e gjuhës. Lagja i dha punë në fushën e druve; të ngarkonte, të ç’ngarkonte dhe të priste dru. Musa u ankua me zë të ulët se ish shëndetlig, i sëmurë, astmatik, diabetit dhe se nuk dinte të priste dru. Shoku Musa Jaku, nëse do të jetosh me djersën e ballit dhe të mbash familjen me bukë, mëso si të ngarkosh e të presësh dru, i thanë. Shko tani. Më falni mund të shtoj diçka, u foli Musa me zë të ulët dhe sytë përtokë. Hë mo Musë çdo na thuash? E pyetën me qesëndi. Ju lutem a ka mundësi të më vini ti bie pianos në pallatin e kulturës, pëshpëriti Musa. Çfarë the, ha! Po ti nuk di ti biesh pianos, ia kthyen ata me zë të ashpër. Do mësoj ti bie pianos, sikundër doni të mësoj të ngarkoj dhe të pres dru, ua ktheu Musa Jaku. E urdhëruan të dilte nga zyra.
-Musa Jaku është ironik i keq, merret me përkthime, filozofi dyshuese, kemi informacion që shkruan dhe poezi,- i thanë ata me përbuzje.- Pra, kërkohet një analizë e kujdesshme edhe për poezitë e personit në fjalë, që duket sikur fshin me pardesy rrugët e qytetit. Të gjitha këto informacione do tu a paraqitim me përgjegjësi për shqyrtim komisioneve dhe nënkomisioneve.
S’fola. Komisionet dhe nënkomisionte më pështjellonin. Eh, katakombet e nëndheshme të Pallacinave ishin të mistershme. Në barqet e tyre futej pa mëdyshje i gjithë qyteti. U kapërdiva me vështirësi. Çfarë faji kisha unë që Musa Jakut i shkrepej të bënte ironi, të shkruante poezi, të merrej me përkthime dhe filozofi, ndërsa e shoqja të pillte fëmijë njëri pas tjetrit. Uf! Ndërkohë Musa Jaku fshinte rrugicat e qytetit me pardesynë e gjatë të zhubravitur, të zbardhur. Një moment ndjeva një farë lehtësimi. I trembesha jetës. Ndoshta ngaqë ura e tendosur me katër litarë të ronitur tundej dhe shkundej për tmerr. Gorilla po më shtynte në ije me topuz dhe hallka e litarit lëkundej. Uji poshtë në humnerë ziente. Gjendesha në mes të rrokopujë dhe mizeries, së thjeshtësisë më të rëndomtë dhe pështirosjes.

https://kuqezi.albanianforum.net/

$EB@$TJ@N

$EB@$TJ@N
->Fond@tor<- WebM@ster
->Fond@tor
Musa Jaku kthehej nga fusha e druve i dërmuar, i përbaltur, por përsëri mendjen e kish të blinte tek qoshku i vjetër gazetat zyrtare:’ Zëri i Popullit,’ dhe ‘Bashkimi,’ si dhe veprat e të madhit të partisë dhe të popullit. Ecte me ceremoni duke hequr këmbët zvarrë nëpër rrugët e qytetit, mbajturën sqetull gazetat e palosura. Ulej në stolat e lulishtes ‘Rinia’, aty ku kish më shumë lëvizje për tu treguar bashkëqytetarëve se ai Musa Jaku, bir kulaku a borgjezi, qe punëtor i dalluar i fushës së druve, i përkushtuari dhe besniku i aspiratave dhe fitoreve të mëdha. Ironiku! Hipokriti! Befas ndërpriste leximin, shkundte kryet dhe përshëndeste majtas- djathtas. Fliste me zë të ulët, nuk jepte asnjëherë shkak për keqkuptime dhe provokime. Hëm! Musa Jaku, Musa Jaku, durimmadhi i botës së vogël, lexonte dhe mbante shënime, me siguri për keqinterpretime. Shpesh ulej në stolin e ngurtë të pragut të shtëpisë, lexonte gazetën, lante çizmet e përbaltura, i vinte syrin diellit, domethënë tallej me ato që kish lexuar pak më parë. E shoqja Lola, kuqalashe, një cironkë e thatë, gjoks dërrasë, gjithë ditën e ditës lante dhe shpëlante teshat, shtytkat e fëmijëve në postafin e ronitur të tullumbit. Kur lodhej drejtonte trupin, ngjante si degë e thyer dhe zë holluar i fliste Musës: ‘Musa të keqen Lola, të lutem shikoji fëmijët se mos grinden me tyre dhe na bëjnë ndonjë zarar.’ Ai ngrihej me të shpejtë si me urdhër dhe ecte zbathur në pllakat e oborrit duke u kalamendur.
Të ëmën e së ëmës, kaq të djallëzuar dhe të rrezikshëm ishin këta njerëz të ligët, të përbaltur, tmerrësisht të rëndomtë, që shteti dhe partia e madhe i vendosi në përgjim dhe përndjekje të vazhdueshme pas shpine? Për nder, qeveri e madhe me një bilion halle.
Përnjëmend besova se tek e përditshmja dhe e rëndomta fshihet tinëzia, ligësia dhe llahtaria. Armiku i klasës nuk ka brirë, nuk të del përpara me lajle dhe lule, por fshihet me kujdes dhe djallëzi edhe në bythën e buallit. Vallë sa e madhe mund të jetë poshtërsia e njerëzve që fshihen pas përuljes së sfilitur, gojëkyçjes dhe aq më tepër në bythën e buallit ndoshta dhe të mizës?
I ngarkuari me detyre prej Katër Pallacineve fliste me zë monoton:
-Është koha të hapen zemrat dhe të nxirren në dritën e diellit të vërtetat e pakundërshtueshme. Prandaj ndjehet e nevojshme të bëhen lavazhet e mendjeve të njerëzve, përndryshe nëpër to mbijnë ferrat dhe drizat e së keqes. Armiqtë përdorin shtatëqind dredhi për të fshehur ligësitë, poshtërsitë, të cilat hedhin rrënjë në trutë e paformuara atje ku gjen shteg të lirë armiku i rafinuar i klasës…
I ngarkuari i Katër Pallacinave fliste dhe mua më dukej e çuditshme me ata njerëz të përulur deri në dhembje të përbënin rrezik të madh, shtetëror sa tu vinin pas dikë si hije, ti përgjonte, vrojtonte, zhbironte, të përmblidhte më të rëndësishmet. Më në fund të futej mundimshëm në derën e metaltë të Katër Pallacinave, ta raportonte dhe të merreshin më vonë komisionet e mëdha dhe nënkomisionet mynxyrose. O nëne, nëne!
-Spiunim?- Pyeta zë ulët, gjithë ankth.
-Hë! Jo, jo, jo, si guxon ti të flasësh kështu! Në asnjë mënyrë spiunim. Kjo fjalë është e ndryrë e poshtër. Vrojtimi, përgjimi, raportimi janë detyra të ndërgjegjshme të çdo qytetari. Askush nuk ka të drejtë ta ngatërrojë me atë pëf spiunim. Kafshoni gjuhën përpara se ta përdorni herë tjetër këtë fjalë rendë. Detyra e zhbirimit është e lashtë, gur themel i shoqërisë njerëzore. Shteti dhe partia e do ndihmesën tuaj në shërbim të çështjes së madhe.
Gojët e tyre hapeshin dhe mbylleshin me zhurmë, më dukej sikur kafshonin dërrasat e vjetra të ulës lëvizëse. Gjithçka më ngjante me urithët qorrë të ardhur rastësisht në këtë botë, rend dhe përgjo nëpër labirinte. Ndoshta nuk është krahasim i goditur. Pështjellim bastard. Koka më buçiste. Më duhej të bëhesha i afërt me Musa Jakun dhe familjen e tij. Ti hapja biseda të ndryshme, të çiltra, por me tema të mprehta, për të çarë gardhin e rëndë të heshtjes. Doja të dëgjoja ankime prej gojës së tij për padrejtësitë, pakënaqësitë, shpronësimet dhe punën e rëndë në fushën e druve. Derisa ti kapja si minjtë, që të binin në çark. Këta më thanë se macja është krijuar për të kapur minj! Por edhe çarqet, leqet kapin minj, lepuj, dhelpra. Pjesë e një hallke të një zinxhiri të pafund. Bëëërrr, sa e pështirë është hallka e përdredhur e litarit!
Një moment hezitova, ndjeva pendesë kur pashë vajzën e vogël të Musa Jakut që dergjej në një karrocë me rrota, e pafuqishme për të bërë ndonjë veprim. Ajo ish e paralizuar. Lola e zbehtë e ushqente, i shërbente, fëmija përplaste kokën sa majtas djathtas. Prandaj ajo lante dhe shpëlante tesha gjithë ditën e ditës në postafin e tullumbit dhe prej lodhjes i fliste të shoqit me zë të holluar të shkonte të mblidhte fëmijët.
Javët e para shkova në Katër Pallacinat dhe u thashë se Musa Jaku dhe familja e tij janë të përvuajtur deri në dhembje. Nuk kanë kohë të mbledhin kockat prej lodhjes dhe jo të flasin. Ata më panë vëngër dhe më folën ashpër. Ç’domethënë kjo, a ka lodhje njeriu ynë i ri në socializëm, e kupton çfarë flet? Komisionet dhe nënkomisoinet presin, janë të paduruar. Shko dhe mos harro se ngandonjëherë doreza lëviz në kah të kundërt dhe bëhet teh i mprehtë. U tremba deri në palcë. Ata më kërcënuan. E përgjova natë e ditë, e provokova, shava qeverinë. Musa Jaku më vështronte me përdëllim dhe nuk fliste. Ikte, unë i shkoja pas pa u mërzitur. I hyja si gjoja rastësisht në shtëpi, u shpërndaja karamele fëmijëve, të cilët shtynin njëri tjetrin dhe mblidheshin rreth meje të gëzuar. Shtëpia gjithnjë ish në rrëmujë, e sëmura dërdëlliste. Musa Jaku flokë shpupurishur, i zbehtë studionte, mbante shënime për kumtesën e ardhshme i përkulur në cep të dhomës. Fëmijët hanin karamelet, shkonin tek i ati dhe i kacavirreshin mbi shpinë. Fëmija e sëmurë ecte këmba doras dhe më mbështillej rreth këmbës, më qullte me qyre e liga dhe bërbëliste, pabapa, gabaga. E shtyja me neveri, fëmija ia plaste të qarit. Lola bërtiste, turrej drejt fëmijës duke fshirë duart me shkumë sapuni pas fustanit të vjetër. Vështronte nga unë me bisht të syrit, si të thoshte, zotrote nuk kupton qe je i tepërt këtu, pastaj mërmëriste: ‘Na falni për rrëmujën,’ dhe duardridhur më pastronte qyret dhe ligat prej pantallonit. Dihej që isha i tepër në atë familje dhe më vinte plasja që nuk po gjeja asgjë të dyshimtë. Mu shtua ankthi. Në mendje më vinin dhe shkonin gjithfarëlloj marrëzirash. Lorena indiferente si gjithnjë, vinte- ikte, e ftohtë, nuk më linte të bëja asgjë me të, të provoja një çlodhje të përkohshme, ajo nuk donte të shihte tallazin tim. Ndërkohë në qytet bëri bujë një ngjarje, Viktor Gjylametin e kapën flagrancë me një vajzë gjymnazi. Lorena u bë si e tërbuar, shante, bërtiste: ‘Maskarai, i poshtri, prandaj ma dridhte, më shmangej, nuk më dilte.’ Theu pasqyrën e bëri copa dhe më vështroi e egërsuar sikur të isha unë shkaktari që Viktori Gjylameti u kap në flagrancë me një femër shkollare. ‘Çfarë the?’ ulëriti.
S’i ktheva përgjigje. Dola jashtë, pas meje në derë u përplas një këpucë. Ndoshta i thashë asaj diçka pa vetëdije, diçka: që ti nuk mund të bëhesh kurrë shkollare. Në realitet më mundonte prej kohësh e mos folura. Tërbimi i tradhtisë së dashnorit ia zbrazi barkun Lorenës. Por unë a duhej ta gëlltisja në vite nënvleftësimin e saj idiot? Prandaj nuk durova më dhe fola. Hyra në lokalin më të parë dhe në kundërshtim me dëshirën time porosita një shishe birrë. Mu duk e athët pa shije. Ndjehesha bosh nuk isha as i gëzuar dhe as i trishtuar. Lorena mund të gjente një tjetër Viktor. Përsëri do isha humbës. Në tavolinën time u ul i dërguari i Katër Pallacinave. Ai vendosi pëllëmbën përpara gojës dhe më ton të rëndë me tha: Merru me poezitë e personit në fjalë. Komisionet dhe nënkomisionet presin me nervozizëm. Ka ardhur koha e spastrimeve. Ti e di, lajthitin gjithnjë poetët dhe e zbulojnë shumë shpejt veten. Me sa dimë ne dhe ti ke shkruar dikur poezi, vazhdoi i dërguari. Luajta kryet pa e pasur plotësisht mendjen. Shkarravitja ndonjë vjershë sa herë me kapte tërbimi i xhelozisë. E kisha shpirtin plagë prej lumit të hidhët të Lorenës, përse e përmendi emrin e atij pushti, Viktor, hë dhe ky i deleguar më duhej tani? Përse nuk ikte dhe më linte të qetë? Për një moment u mata ta pyesja: A ka komisione dhe nënkomisione për Viktorin? Kodoshi e ka kripën e thatë, do dalë pa lagur. Si nuk u hyjnë gjemba në këmbë njerëzve të tipit Viktor Gjylameti! Apo pse është nip dëshmori dhe bythë e brekë me kalesat e Katër Pallacinave? Nuk shoh asgjë të dyshimtë tek ata njerëz, mërmërita. Ashtu, foli zë rëndë i dërguari i Katër Pallacinave, askush nuk dyshonte që ti kur kërlesheshe në kthinën e pastruese të ndërmarrjes me kurbaten Xixi.
Doja të flisja por më mbeti e goja e hapur si kamare. I dërguari i Katër Pallacinave u ngrit në këmbë, vendosi dorën në shpatullën time dhe ma shtrëngoi fort, mu duk sikur u mbërtheva në mengene. Studioja vjershat me kujdes, më pëshpëriti, hodhi pardesynë në krahun tjetër dhe iku. Qëndrova supembledhur duke mbajtur vesh zhurmën monotone të ekspresit të kafesë.
-Banakier, të lutem më bëj një kafe,- thirra.
-Si e do kafenë?- Më pyeti banakieri.
-Të zezë, pa sheqer.
Vazhdova me ngulm përgjimin, Lola më shihte vëngër dhe si deçkë e këputur ankohej, lante shpërlante njëmijë shtytka dhe pelena. Musa Jaku pa fjalë tundte fëmijët, e mundonte një vjershë filozofike dhe jashtë frynte erë e fortë. Fëmija e sëmurë më qullte me qyre dhe liga më pas grindej dhe qante në krahët e së ëmës.
Dilja jashtë, qëndroja poshtë dritares së tij, brenda në dhomë vazhdonte shamata e madhe shkaktuar nga fëmijët dhe unë kafshoja gishtërinjtë. Urith, urith, urith i keq. Po përse pikërisht ai, mërmërita, pse jo Viktor Gjylameti? Musa Jakut i doli emri në listën tjetër, në të zezën dhe jo atij Viktorit, që doni ju. Ne nuk merremi me vogëlsira, kuptuat, erdhi përgjigja.
Hëm, jo Viktorit, përse jo atij, por një të gjori, burraci që i bien qyret prej të ftohtit kur pret drutë e ngrira në fushën e druve, fshin rrugët e qytetit me pardesynë e gjatë të zhubravitur dhe gjithë ditën e ditës rropatet për një kothere? Musa nuk i hyn kujt në pjesë. Ai pusht Viktori ma nxiu jetën. Protestova me forcë. Hesht! Jot shoqe shkon me Viktorin ti e drodhe me Xixinë. Doja të kundërshtoja. Tu thosha se shkruaja me Xixinë ish thjesht një nevojë e domosdoshme mashkullore. Ju nuk keni të drejtë të ma kujtoni. E urreja tmerrësisht të dërguarin e Katër Pallacinave. Më folën ashpër: Mos fol shumë, por hesht, dëgjo dhe raporto. Keni firmosur apo harrove? Pallacinat nuk pranojnë tu japësh shpjegime, arsyetime bajate, të tepërta, tu shesësh mend! Kuptuat? Kuptova. Më falni! Përderisa thoni ju. Shumë mirë, vazhdoni punën. U dëgjua një e qeshur e fortë. Mblodha supet i hutuar dhe një dërrasë u shkëput prej urës lëvizëse ra në humnerë me shungullimë.
Era u bë e lehtë dhe zhurma më e ulët, makina e shkrimit shushurinte si unë burimi. Më pas mbizotëroi një heshtje e thellë. Më bë sikur përreth kish shumë hije, të madhësive dhe formave të ndryshme që lëviznin vertikalisht dhe mua po më mbahej fryma. Përpëlita sytë për të marrë vesh se çfarë po ndodhte. Dërrasat e kalbura të urës lëvizëse po shkëputeshin njëra pas tjetrës prej hallkave të litarëve, duke ndjekur ethshëm hapat e mia dhe po binin në humnerë me zhurmë shurdhuese. Atëherë kur po mbeteshin në urë vetëm disa gjysmë dërrasa të kalbura, përfaqësuesit e Katër Pallacinave, më peshë ngritën me shpejtësi dhe më nxorën në anën tjetër të bregut, ku nuk kish nyje, litarë të shpërvjelur, hije të përmbysura, por tokë të fortë, asfalt të nxehtë. Ndërkohë pas meje pashë syshqyer, i llahtarisur këputjen e litarëve, thyerjen e dërrasave dhe rrëzimin e tyre me rrapëllimë në humnerën e thellë, në ujërat e turbullta. Gjithçka u përpi menjëherë. Nuk mbeti asnjë gjurmë e saj ure lëvizëse të mjerë… Gorilla tërhoqi topuzin, zbardhi dhembët, hapi gojën, nuk mbante erë të ndyrë, mora frymë thellë. Nuk ish e vështirë e rëndë dhe e përpjetë sa dukej…
Një mesnatë dhjetori, kur dëbora zinte dëborën dhe rrugët ishin të rënduara prej akullit, u zgjova prej një zhurme të madhe që vinte nga jashtë. Flija në kuzhinë, në divan dhe dritaret binin në rrugë. Isha në mërinë e zakonshme me Lorenën. Macja qëndronte mbledhur kutullaç në kuvertë mbi këmbët e mia, ndërsa televizori bënte zhuzhmërimë dhe ish mbushur me miza. Bëra të ngrihesha macja mjaulliu me ankim. E shtyva macen me kujdes në qoshe të divanit dhe mbylla televizorin. Qëndrova një copë herë në këmbë në mes të dhomës, mu duk sikur zhurma vinte prej shtëpisë së Musa Jakut. Lëviza me kujdes perden e dritares dhe vështrova përjashta. Një kamion i madh ushtarak i mbuluar kish qëndruar përpara derës. Drita e neonit në cep të rrugës ishte tmerrësisht e zbehtë. Disa mbartës të mbikëqyrur prej policëve të armatosur po ngarkonin në kamion plaçkat dhe orenditë e Musa Jakut. Musa Jakun po e tërhiqnin të arrestuar me forcë anës murit. Ai zvarritej i hutuar, i humbur. Policët e shtynë me egërsi e ngritën peshe, si një dëng me lecka dhe e futën brenda në një Ziz të ushtrisë që gjendej disa metra larg kamionit.
Në kuzhinë hyri si e çakërdisur Lorena me këmishën e hollë të natës, gjithë dantella, të shkurtër dhe të hapur në gjoks.
-Ç’është kjo zhurmë që më prishi gjumin. Hej ti, ç‘më ri në errësirë si murgj gjorë?- bërtiti Lorena, kish vite që nuk më thërriste me emër. Ajo zgjati krahun dhe me nervozizëm kërkoi në mur çelësin e dritës.
-Mos e ndiz dritën dhe sa për dijeni e gjorë qofsh ti,- i fola me zë autoritar, prerë dhe rëndë. Sa herë më thoshte murg i gjorë më ngrinte nervat. Ajo e dinte që unë acarohesha ndaj e përmendte qëllimisht. Kur nuk duroja dot, plaste sherri. Por këtë radhë nuk më bëri përshtypje, sepse nuk isha më murg. Nuk doja që ajo të hynte në kuzhinë pikërisht në mes të natës kur po arrestonin Musa Jakun, po shpërngulnin familjen e tij dhe pas një sherri të zakonshëm, idiot. Nuk më kujtohet shkaku i sherrit.
Lorena tërhoqi dorën me shpejtësi e befasuar prej tonit të zërit tim. Vështrimi i saj ish i errët.
-Çfarë thua mo!- ia pat ajo me zë të mpakur.
-Femër, hesht!
Lorena ngriti vetullat përpjetë e befasuar që e thirra ‘femër’ dhe kryqëzoi krahët në gjoks. Dukej haptas që e kish përfshirë frika. Është mirë kur njerëzit mbërthehen prej frikës, qoftë dhe gruaja jote, sepse u bije kallaji e unë qëllimisht e thirra femër, jo me emër ose grua si gjithnjë. Ajo eci e shpërqendruar, qëndroi në mes të dhomës e pavendosur të më kthente fjalë, që e thirra çuditërisht femër, pastaj u afrua pranë, hipi mbi divan dhe u ndeh pa kujdes në dritare. Era e ngrohtë e këndshme e shtratit dhe e trupit të saj mu përplas në hundë. Çuditërisht nuk më ndezi, përkundrazi më acaroi. Lëviza pak më tej, brenda hapësirës të ngushtë të divanit.
-Çfarë po ndodh?- më pyeti me zë të pavendosur dhe nduku hundën e vogël. Ajo po dridhej prej të ftohtit, dukej e zbehtë. Hodhi kuvertën time krahëve dhe shtoi me zë të dredhur,- Qenka ftohtë këtu në kuzhinë. Ç’ishte gjithë ajo zhurmë dhe rrëmet përjashta që na prishi gjumin dhe na trembi, sikur ç’ngarkonin gurrë?
Nuk i ktheva përgjigje, u kollita fort dhe kërkova pështymën. Hëm, sigurisht që do trembeshe, fola me vete. Isha gati ti bërtisja në fytyrë, se një nga shkaqet e arrestimit të atij burri të imët, me shumë fëmijë, je ti Lorenë. Gjithë jetën më ke munguar, më je larguar, më ke tradhtuar, më ke lënë vetëm si një kukudh me macen. Pak të duket kjo? Tani gjysmë e zhveshur, me sisët e bollshme përjashta, kërkon të më ngjitesh në trup si mace prej frikës. Kujtohesh se në këtë botë u bëka zhurmë, rrëmete, por që janë arrestime të domosdoshme në mes të natës dhe që mbjellin frikë tek të tjerët dhe vuajtje në ata që e pësojnë. Shikoji në rrugë, shikoji si po dridhen prej dimrit ata fëmijë shëndetlig dhe ajo grua. Shikoji mirë Lorenë. Por ty Lorenë nuk të del emri në listë dhe nuk je në një masë me ata që po gërmuqen në dëborë. Pikërisht sot në mesin e natës do të jem unë ai që do të largohem dhe nuk kam frikë.
-Arrestuan komshiun tonë, Musa Jakun, familjen e tij do ta internojnë larg, në skërkat më të thella,-i fola me ton të akullt.
-Oh,nëne!- klithi ajo dhe vuri pëllëmbën tek goja. Pastaj lëshoi krahun si të këputur në divan dhe u kthye nga unë. Këmisha iu hap, më ngjau një lakuriqësi ujësire dhe sisët iu derdhën përjashta. Por unë isha i ftohtë akull, i zymtë, si një qiell i zbrazët pa hënë dhe yje. Lorena lëvizi më pranë meje dhe mërmëriti:- arrestimi është i keq por bëhet i llahtarshëm kur të rrëmbejnë, të hedhin hekurat në mes të natës, në dëborë, në acar, kur të gjithë bëjnë gjumin e pafajshëm…si në filmat me…
-Femër, të thashë njëherë, hesht!- e ndërpreva ashpër, si me urdhër,- mati fjalët, mos fol broçkulla sepse dhe muret kanë veshë. Nuk ka pasur nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë; gjumë të pafajshëm.
Ajo u drodh dhe mërmëriti:
-Oh, nuk paska gjumë të pafajshëm! Atëherë ka thyerje, vrasje të fjetjes në mes të natës, në dimër,në ngricë dhe internim i familjes, është tmerrësisht e frikshme!
Ngrita supet me indiferentizëm. Ç’të bëj se të kam në shtëpi, ç’të të bëj… Gjithsesi më argëtonte tmerri i saj.
-Nuk na duhen më gjithë këto hollësi, me stërhollime të tepërta,- i thashë.
-Dhe ti Panajot qëndron kaq gjakftohtë!- ia bëri ajo e habitur dhe u mbështoll deri në grykë me kuvertën time. Pas shumë kohësh më përmendi emrin me qullje frike.
-Eh Lorenë!- ia bëra dhe vështrova me përçmim nga ajo. U zgjata, shtriva krahun drejt dritares ku dëgjoheshin ankime, të qara, urdhra të prera dhe vazhdova me zë të plumbtë.- Nuk ke ç’ i bën Lorenë, kështu e ka jeta. Shumë njerëz arrestohen burgosen, internohen, pushkatohen. Ndërsa ca të tjerë zihen, çirren, tradhtojnë, mbajnë mëri, sepse harrojnë që ka shumë më keq.
-Nuk ndjen keqardhje për ta, për fatin e tyre, sidomos për ata fëmijë të gjorë?- foli Lorena me zë të ngjirur.
-Aspak. Ç’është kjo mëshirë idiote. Shteti nuk të ndëshkon kot. Partia dhe qeveria janë zemërgjera, të duruara, të paralajmërojnë, të falin njëherë, dy herë, tre herë, por kur e tepron zullumin, të arrestojnë, të burgosin dhe familjen ta internojnë. Por doja të pyesja diçka tjetër ty Lorenë. A ke pasur ndonjëherë për mua ndjenjë apo keqardhje? Ke ardhur në shtëpi gjithnjë e fryrë e ndezur për sherr dhe më ke lënë gjithnjë vetëm, në këtë divan si një i murg i gjorë. Hë fol?
-Po sikur… policët e Katër Pallacinave të ndërrojnë mendje, të kthehen dhe befasisht të trokasin në derën tonë, të urdhërojnë të dalim jashtë, në këtë dimër, në këtë të ftohtë, në këtë acar?!- murmuriti ajo e shpërqendruar.
-Kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë Lorenë. Policët e Katër Pallacinave janë të pagabueshëm, ata e dinë mirë ku të trokasin dhe kë të arrestojnë,- i fola me ton të prerë dhe të ashpër.
Sytë e Lorenës u zmadhuan prej të papriturës, hutimit, çudisë dhe guximit tim. Ajo dridhej, unë isha tmerrësisht i qetë. Lorena morri frymë me vështirësi dhe vendosi mbi gjoks pëllëmbën e vogël dhe topolake. Në rrugë u dëgjua një ulërimë e fortë, Lorena ngriu, mua nuk më lëvizi qerpiku, ajo mund ta dinte se mua nuk më bënte më syri tërr, tashmë i kisha krahët e ngrohta.
-Pano, të lutem! Se si më dukesh sot, i mbështjellë me hije, si tjetër njeri!- foli gjithë ankim, pasiguri dhe përgjërim.
- Unë jam ai që jam, por ti nuk më ke njohur mirë dhe nuk dua të më lutesh më,- dhe me ton të prerë dhe gati solemn shtova:- Femër, shko nga dhoma fli dhe më lër të qetë.
-Të lutem mos, sesi më vjen kur më thërret ashtu, femër,- mërmëriti ajo.
- Por ti femër je.
Ajo nuk u mërzit siç ndodhte rëndom, nuk më nënvleftësoi si më parë, as nuk ankua apo shau. Sa hap e mbyll sytë mu ngjit pas trupit si kotele e bindur, më mbuloi me të puthura dhe nuk donte të shqitej.
-Pano, sot je veshur me perde misteri, ke marrë një hije të rëndë, si në tragjeditë e Shekspirit, – pëshpëriti. Hapi kuvertën dhe më mbështolli me të. U përpoq të më tërhiqte gjithë naze dhe me forcë drejt dhomës së gjumit.
-Ikë tutje Lorenë, të thashë më lër të qetë, nuk më pëlqejnë këto lodra. Tragjeditë e Shekspirit janë të vjetërsuara, tani ka të tjera tragjedi,- kundërshtova dhe ia largova duart.
Lorena më këqyri me vëmendje, gjelbërimi i syve të saj ishte zbardhur bërë hënor, turbullues. Ajo njomi buzët e tulta me majën e gjuhës.
-Panajot, të keqen mos bëj kështu. Jam e llahtarisur. Kjo natë e frikshme të kthjellon mendjen, ose ta merr për fare,-më pëshpëriti. Me ngulm mu përdrodh në trup, më mbështolli fytyrën me duar dhe ma rrasi kokën në gjoksin e bëshëm, që kundërmonte erë sapun.
-Lorenë…
-Shëëëttt,- ia bëri ajo.- Matanë në rrugën me akull..!
-Nuk është tragjedi por lojë e jetës…
-Mirë…
U ndjeva i kapitur, nuk mbaja mend sa vite kisha pa dëgjuar qulljen e këndshme të zërit të saj. Përse më thoshte, matanë në rrugën me akull? Ç’më duhej mua. Doja të shkëputesha prej saj, nuk mundja. Gojën e ndjeja të thatë dhe trupin të plogët. Ajo ishte e djersirë e nxehtë, furë dhe po më tërhiqte drejt dhomës së gjumit në mënyrë magnetike.
-Lorenë..!
Ndërkohë matanë në rrugën e mbuluar nga dëbora dhe akulli fëmijët e Musa Jakut qanin, policët u bërtisnin të pushonin. Dëgjuan më pas përplasjen e sfondeve, ndezjen e motorëve të makinave dhe krisjen e akullit të rrugës prej zinxhirëve të rrotave dhe më pas u ndje një heshtje e thellë e rëndë. Qyteti u mblodh si kafshë e plagosur, futi kokën mes këmbëve. Natë ishte e errët dhe dergjej e zymtë mbi gjithçka, përzierë me frikën e nderë të pasigurisë…
E kuptova kthjellët se kur je i ingranuar, i përfshirë me hallkat, mekanizmat e nëndheshme të partisë dhe shtetit ndjehesh i fortë dhe i sigurt…
Ja kështu është jeta, veç një pështjellë. Hallka dhe shorte marramendëse. Dikush duhet të përgjohet dhe të dënohet, tjetri me dhimbje të thellë do të jetë përgjues, zbatues i ligjit, i më të fortit. Dikush punon, rropatet për bukën e gojës, tjetri, më i shkathëti pasurohet. Dikush ka shumë fëmijë, një tjetri të pafati i është tharë tullumbi dhe zjarri në vatër po i shuhet. Më thoni ju lutem a nuk ka pafajësi çarmatosëse në këtë mes? Përse tha mes dhembjesh Krishti:
‘Fali o Zot se nuk dinë se ç’bëjnë!
Sigurisht ju nuk e pranoni, por secili prej nesh ka dritë dhe hijet e veta. Dikush mbart errësirën mbi shpinë, si një hamall i vonuar, paçka se fytyra i qesh, ndoshta i zgërdhihet. Një iks tërheq zvarrë gjysmë hijen e tjetrit dhe me gishtërinj skifteri i rreh shpatullat. Ipsiloni ka hedhur mbi supe si pelerinë të shqyer çerek hijen e tjetrit dhe të vështron me përdëllimin e një asketi. A nuk jemi fajtorë pa faj, në korkolepsjen e mallkuar të ngarendjes së tërbuar për të mbijetuar? Jemi pjesë e mekanizmit të urës së shkalafitur, të hallkave lidhëse dhe të hallkës varëse. Ndoshta jemi fëmijë shkatarraqë, të pandërgjegjshëm që kapemi befas në gabim,ngaqë nuk dinim ose nuk kuptonim se duhej të vepronim ndryshe.
Ju lutem mos qeshni,- mërmëriti i lodhur Panajoti dhe fshiu djersët që i binin çurg.
Nuk e kuptoja përse Panajoi kujtonte se unë qeshja kur në realitet ndjeja rrëqethje.
-Më falni, – foli Panajoti me zë të trishtuar,- ndoshta qesh e pashpjeguara. Po e theksoj, duhet ta kuptojmë mirë; fatkeqësisht ne, të gjithë, jemi hallka të një zinxhiri të pafund, të cilat mund të këputen vetëm kur vdesim, por edhe atëherë janë të tjera nyje lidhëse dhe që i përkasin botës së përtejme, të shpirtrave dhe që shpesh dirigjojnë botën e të gjallëve.
Ju thoni se a ndjej pendesë? Sigurisht, paçka se pendesa është diçka abstrakte. Vetëm duhet ta dish mirë se kur të del emri në listë është e tmerrshme, nuk ka burrë nëne ta ndalë. Keni dëgjuar për dhjetëshen romake? Lindi si domosdoshmëri, ishte e pakthyeshme, paçka se ish e pamëshirshme, gjakësore, vrasëse, brenda vetë radhëve të ushtrisë romake. Atyre që u binte shorti në dhjetëshe, pa një pa dy duhej të ekzekutoheshin. Pra dalja e emrit në listë mbart mynxyrë. Nuk mund ti shmangesh, je i mbërthyer prej hallkave pazgjidhshme të litarit ose të zinxhirit. Nuk mund të flas saktësisht. Mundohem ta harroj,nuk di sa do mund ta lë pas. Pendesa të ndjek pas tok me pështjellimin. Jam plak. Lorena, plaka ime nevrikoset, mallkon. Këmbët i kemi të ftohta, gjaku na është holluar dhe nuk mund të ngrohim njëri tjetrin. Nuk e di kë mallkon Lorena, por ajo gjithnjë mallkon dhe mallkon me zë të zvargur dhe është tërësisht pa faj. Ngrihet ndenjur në shtrat, ia ngul sytë errësirës, bërbëlit me vete dhe me zë mekur më thotë: Pano, shëëët dëgjo, dikush gjithnjë qëndron i fshehur, përgjon pas derës. Qetësohu Lorenë, i them. Jo këmbëngul ajo, më sheh ftohtë dhe shton, herë pas here shoh skelete njerëzish që duken dhe zhduken në miniaturë. Fli Lorenë, i them mos e lodh veten me ëndrra të marra. Ajo më vështron një copë herë pa folur, gjelbërimi i syve të saj zbardhet në errësirë. Lorena psherëtin, më kthen shpinën dhe mbulon kokën me kuvertë.
Jemi dy pleq të vetmuar, si fëmijë të humbur në mjegullën e dendur…
Befas Panajot Vurballën e mbërtheu një kollë e fortë me gulçe dhe sytë i u mbushën me lot. Iu luta të pinte limonadë, mbase i ish tharë gjuha prej së folurës. Ai luajti kokën me bindje dhe piu lotin e fundit të lëngut të limonadës. Thirra kamerierin dhe porosita dy limonada të tjera. Panajoti tërhoqi kryet, mbylli sytë dhe mbështeti kokën në mur. Kamerieri solli limonadat. Piva disa gllënjka të mëdha me lëng limonade. Mu duk e pështirë e ndenjur, më erdhi për të vjellë. I nervozuar hodha shikimin nga banaku për ta thirrur dhe ankuar kamerierit, ndryshova mendje. Doja të pështyja por nuk dija se ku, pashë rreth e rrotull, mos gjeja ndonjë enë pështyrëse. Nxora shaminë e hundëve dhe pështyva në të, pastaj e flaka…
Vështrova me përtesë përjashta era e fortë i kish rrëzuar gjethet e zverdhura dhe të qullura të kumbullës dhe xhami ish lëpirë prej shiut të ngadaltë. Brodha shikimin nga Panajoti, ai qëndronte symbyllur, gojëhapur, buzëvarur, i lëshuar, i mplakur dhe shenja e kuqërremtë në faqe mu duk më e thelluar. Sërish mu kujtua pagjumësia e tij dhe peshku i përdredhur në tigan me kokë të stërzgjatur njeriu dhe zhurma çërçëritëse e vajit të nxehtë…


Përnjëherësh më erdhi nëpër mend koha kur u liruan të burgosurit prej burgjeve të tmerrshme dhe të internuarit u kthyen prej internimeve të gjata. Vetvetiu u end në ajër si eter ankthi dhe pasiguria e pritshme. U mendua, u pëshpërit dhe u prit me frikë se nga minuta në minutë pritej të ndodhte hakmarrja e llahtarshme primitive, vendosja e drejtësisë në vend. Ajo do shfaqej befasisht e në mesnatë e ndërkryer nga rrufetë e kohërave e etur për drejtësi e rënduar prej baltës së vjetër dhe gjakut të piksur, për të vdekurit në varret pa emra dhe të gjallët e ronitur. Do vërtitej nëpër rrugët me pluhur, duke kërcënuar, çirrur, ulërirë, shkatërruar çdo gjë me bisht, shkelur me këmbë, shkalafitur me dhëmbë, si një kafshë stërmadhe e kohës së para akujve dhe ngrirjeve. Shumë prej atyre që kishin pështyrë në çorbë, të llahtarisur prej ardhjes së fundit të botës, kyçën me ngut dhe frikë shtëpitë, ikën nga sytë këmbët përtej kufijve që në muajt e para të ndryshimit.
Një burrë i dobët flokë gjatë, i pistë, me rroba të shqyera, qëndroi i ngujuar mbi një ngrehine, përpara një përmendoreje të rrëzuar, kafshonte gishtërinjtë bërtiste me sa zë që kishte në kokë.
-Mësoni more njerëz të gjorë, shpejt a vonë do të shfaqet këtu, mes jush shkulur prej thellësive të shekujve kali i hershëm, i drunjtë, i përgjakuri Kali i Trojës. Në realitet nuk do jetë i drunjtë por i metaltë, duke mbartur mbi shpinë të gjitha përgjakjet, tradhtitë, mëritë, marrëzitë kasaphanën e shekujve. Ai kalë mitologjik nuk është fantazi e çmendur e Homerit, por një realitet i dhimbshëm, ogurzi që përsëritet në forma dhe mënyra të ndryshme nga koha në kohë.
Të gjithë vështruan atë njeri që kafshonte gishtërinjtë, vraponte zbathur në rrugët e qyteteve dhe paralajmëronte gjëmën e madhe, shfaqjen e ‘Gjësë’ së frikshme…


Musa Jakun e takova një mbas dite pranvere në shoqatën e porsa krijuar të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Ai kish vetëm disa javë që ish kthyer në qytetin e tij të lindjes prej burgut dhe internimit. Ishte tmerrësisht i dobët dhe i mplakur. Nuk më dukej i fryrë, i ngrehur dhe i mbushur me vrer. Më dha dorën miqësisht, shikimi i tij ish i qetë dhe të ngrohtë. I thjeshtë deri në dhembje, përsëri mbante pardesynë e gjatë deri në fund të këmbëve. Fëmija e sëmurë i vdiq në vitin e dytë të internimit. Pas kthimit nga internimi pushteti lokal i la disa muaj të jetonin në kthinën e vogël pa dritare dhe të pështirë të ish rojës së fabrikës së miellit. Musa Jaku nuk u ankua, bërtiti, shau dhe nuk rrahu gjoksin për tu treguar se tani është e drejta ime, është koha ime. Pa fjalë hapi një dritare të madhe nga rruga, ndërtoi një të ndarë në krah të majtë dhe përgatiti një banjë, të cilën e mbuloi me letër katroma. Hapi një kanal lidhës deri tek rruga kryesore, për të flakur ujërat e zeza. Në bodrumin e lagësht të godinës së vjetër gjeti një stufë të ndryshkur të cilën e pastroi me kujdes. E mbushte stufën me dru për të ngrohur dhomën e akullt të ish rojës në ditët dhe netët e ftohta të dimrit. Dikush pëshpëriti me dyshim dhe keqardhje: Musa Jaku nuk e ka marrë akoma veten prej habisë dhe topitjes, kush e besonte se do të ndryshonin kohët.
Musa Jaku ish i preokupuar me veten e vet dhe familjen e tij, bota si gjithnjë ish e huaj për të. Vonë u dhanë të drejtën të hynin dhe jetonin në shtëpinë e tyre gjysmë të shkatërruar prej kohës dhe qiraxhinjve të shumtë, që vinin dhe iknin. Musa Jaku përsëri nuk u ankua, filloi nga puna e pastrimit dhe rregullimit të shtëpisë, duke u kollitur dhe djersirë. Ai ish shumë i dobët, në çdo xhep të xhaketës së tij kish nga një kuti me ilaçe.
Çdo ditë shkonte në bibliotekën e madhe, në qendër të qytetit, zinte tavolinën e fundit pranë dritareve me dritë të bollshme. Siç më thanë, mëngjeseve punonte mbi një studim mbi artin dhe filozofinë, mbas dite jepte mësime private gjuhe dhe rreth tij mblidheshin plot djem dhe vajza të etur për të mësuar gjuhë të huaja, telat e kufirit ishin rrëzuar dhe rrugët qenë hapur.
Musa Jaku e dinte mirë se një nga shkaktarët e burgimit të tij ish fqinji i tij Panajot Vurballa. Ai me zë ulët dhe të ngadalshëm një ditë më tha:
‘Hakmarrja është primitive dhe atë ia kemi lënë në dorë të madhit zot…’


Panajoti Vurballa hapi sytë ngadalë, psherëtiu dhe vështroi pjerrtas nga unë, shikimin i tij ish i trishtuar, i verdhë, i qullur si gjethet e vjeshtës dhe si shiu i ngadaltë që lëpinte xhamin e dritares. Zgjati krahun me përtaci drejt tavolinës mori gotën, piu limonadën me fund, me një frymë dhe përplasi gjuhën me zhurmë.
-Ma zbuti gjoksin kjo limonadë,- tha dhe më vështroi me mirënjohje.
Por kur u ngrit prej tavolinës dhe më përshëndeti vrulltas, me një lëvizje të shpejtë të kokës, vështrimi i tij ishte i ftohtë, i akullt, me një shkëndijim të bronce, aq sa pësova të dridhura…
Gjuha më ish tharë por nuk mund ta pija atë limonadë të pështirë. Ndjehesha i kontraktuar, nuk më behej të lëvizja, të ngrija krahun, ti ktheja përshëndetjen, të shkëputja prej tavolinës gotën e qelqtë, ose të thërrisja kamerierin ta porositja një teke uiski. Qëndrova i ngujuar në stol duke ndjekur ecjen e kalamendur të Panajot Vurballës. Ai ndaloi, rëndoi tek doreza e derës së daljes, u kthye në profil, si për të peshuar tek unë efektin e fjalëve të tij, më pas tërhoqi derën me forcë dhe iku…
KRISTAQ TURTULLI
Janar-Mars 2012

https://kuqezi.albanianforum.net/

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi

Social Media Buttons