Forumi Kuq E Zi
Vdekja... ka syte e tu Mirese10
Pershendetje vizitor i nderuar.
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te Identifikohu qe te merrni pjese ne diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

-Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...
Duke u Regjistruar ju do te perfitoni te drejta te lexoni edhe te shprehni mendimin tuaj.

Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen që fute ne dispozicion për të vizituar saitin tonë.
Per cdo gje na kontaktoni ne Forumikuqezi@live.com
Vdekja... ka syte e tu Regjis10


Join the forum, it's quick and easy

Forumi Kuq E Zi
Vdekja... ka syte e tu Mirese10
Pershendetje vizitor i nderuar.
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te Identifikohu qe te merrni pjese ne diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

-Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...
Duke u Regjistruar ju do te perfitoni te drejta te lexoni edhe te shprehni mendimin tuaj.

Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen që fute ne dispozicion për të vizituar saitin tonë.
Per cdo gje na kontaktoni ne Forumikuqezi@live.com
Vdekja... ka syte e tu Regjis10
Forumi Kuq E Zi
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ju Mirpresim te gjithve ne forumin ton, ku do te gjeni argetim, humor, filma, lajme nga me te fundit, informacione nga me te ndryshmet, libra, programe per kompjuterin dhe shum e shum gjera te tjera. Per me shum ju ftojm te gjithve te REGJISTROHENI.....


You are not connected. Please login or register

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1Vdekja... ka syte e tu Empty Vdekja... ka syte e tu 22/2/2013, 21:24

$EB@$TJ@N

$EB@$TJ@N
->Fond@tor<- WebM@ster
->Fond@tor
Tingulli i thatë i siguresës së armës që i erdhi nga pas krahëve, ju duk një shekull i vonuar pas gjithë sa kish përjetuar atë natë. Rreziku e kish ndjekur hap pas hapi që në agimin e kujtimeve e të revolucionit që kish marrë udhë me të. Por ndryshe nga herët e tjera, mendimi se ky do të ishte i fundit siç do të ishte dhe i pari të cilit nuk do të mund t'i mbijetonte, ish pothuaj hipnotizues. Nuk mund t'i ikte, nuk mund t'i kundërvihej e çuditërisht nuk ndjente frikë. Në fund të fundit e kish imagjinuar mijëra herë këtë skenë, frika... i përkiste rrethanave të tjera. E megjithatë ndjeu ajrin t'i pulsonte në mushkëritë e shtypura nga shtërngimi imagjinar. Kish nevojë ende për pak, sa të zgjidhte enigmën e unazës lënë mbi tryezë. Këpucët që i afroheshin pas shpine me atë zhurmërimë mbytëse të çnyjëzimit të nofullave që hapeshin e përgatiteshin të gëlltisnin... imazhi i pandërgjegjshëm e këmbëngulës që kish mbartur me vehte...
Kish qenë afruar me pahir murit të kristaltë për të mos ofenduar të zotin e shtëpisë duke u munduar të fshihte neverinë që i shkaktonte qoftë edhe imagjinimi i asaj skene. Kish parë bishën në bukurinë e katër metrave që merrte reflekset e ylberit ndaj dritës tek përdridhej duke zbritur ngadalë trungut të lëmuar e i afrohej vaktit të hedhur në kafaz. Kish mbajtur frymën pezull mbi bardhësinë dridhëse të shpinës së lepurit e shqetësimin e flegrave të hundës së tij kur kish nisur të lëvizte kokën e pastaj të zhvendosej i habitur kuturu ca majtas e ca djathtas duke ju afruar kokës së shndritëshme që dukej e vogël e paqësore në ngadalësine saj, aq sa... Sa ankthi i tij i kish lënë vend shpresës së një mrekullie... si në përrallat moderne... një çast... Casti pasues kish qenë aq i shpejtë sa ç'kishte qenë llahtari kërcënues i vetëtimës së dhëmbëve që elektrizuan ajrin në një kërcim dhe ai... kish brofur gati një metër pas... pa menduar se nuk ish ai objektivi i tyre, pa menduar se ky ish veprimi i fundit që do të dëshëronte të bënte para atij njeriu që kurrë nuk i kish pëlqyer... Arësyeja e vullneti kishin qenë të pafuqishëm e të pallogaritshëm përpara imazhit të atij rreziku që kurrë nuk e kish provuar.
- “Të njëjtën gjë ka bërë edhe Darvini kur ka eksperimentuar një nga reagimet themelore të mbijetesës së pararardhësve tanë. Të brofësh, t'ja mbathësh, pa menduar dy herë, pa menduar as edhe një herë, për të shpëtuar jetën. Frika miku im, frika, është një mekanizëm mbrojtës dhe një forcë e madhe edhe se është primitive. Të përgatitesh për t'u arratisur ose luftuar. Nuk i shpëtojnë as herojtë...”
Herojtë...
Boa ish mbështjellë rreth viktimës së saj në një përqafim mbytës që çuditërisht dukej si përqafim dashurie...

Herojtë...
- “Bëj kujdes bir... jam në merak për ty... Si shpesh po të quajnë hero kohët e fundit...”

Drini kish qeshur me merakun e gjyshit. Qëndronin më këmbë, një pëllëmbë larg supi supit, përpara shtëpisë së vogël të gurtë në pllajën e malit, me fytyrë kthyer nga pritej të lindte dielli. Një nyje ju lidh në grykë kur mendoi se momente të tilla sa vinin e rralloheshin. Kërkoi dorën e gjyshit dhe e ndjeu të vogël e të ngrohtë si prej fëmije. E mbajti shtërnguar në pëllëmbën e tij të fuqishme derisa erashka e errësirës u mblodh duke tërhequr mbeturinat e fundit për t'u fshehur diku ndën këmbët e malit në pritje të mbrëmjes për të dale e mbuluar sërish peisazhin magjepsës që e kish zbuar. Ju kujtua ajo natë e largët mbushur me ankthin e rrëmbimit e arratisjes që tërhiqte pas vazhdën e gjuetisë së sirenave të makinave të policisë e zhurmën shurdhuese të helikopterëve që e bënin ajrin të pathithshëm. Kishin ndaluar me rrezen e parë të dritës, e ankthi i tij ishte shumëfishuar kur ai pasi e kish zhveshur me lëvizje pothuaj brutale, e kish përthyer mbi gju duke i prekur ethshëm trupin centimetër për centimetër, prekje që përvëlonin në ftohtësine e kristaltë të ajrit. E kish kthyer përmbys me kokë poshtë e kish vazhduar ta prekte derisa gishtërinjtë i kishin ndalur në një pikë ndënë shpatull. Djalit nuk i kish shpëtuar ajo lëvizje e beftë e dorës që kish hyrë në xhep e kish dalë me feksjen e mprehtë të një bisturie që e kish tmerruar në atë pikë sa dhe zëri e kish braktisur. Kish parë hijen e saj të ngrihej t'i ulej mbi trup, në qilimin e halave të murrme të pishave ku ai kërkonte një përse... përse ai burrë e kish shkëputur pothuaj me forcë nga shtrati i konviktit ku e kishin vënë pas vdekjes së prindërve duke i zënë gojën me dorën e tij të stërmadhe e duke i pëshpëritur të mos kish frikë, e kish hipur në një makinë të cilën e kish ngarë si i çmendur për ta braktisur më pas diku ku fillonte e përpjeta, e kish tërhequr zvarrë faqes së pylltë të malit, përse... për ta vrarë aty...
- “E di gjysh, e kujtoj shpesh atë moment.”
- “E kujtoj dhe unë bir, kohët e fundit më rikthehet shpesh në mendje. E kur mendoj sa e vështirë ishte të të shihja aq të palumtur... sa mendoja se nuk duhej të të kisha marrë e të ta hiqja atë send...”
Buzëqeshi trishtëm kur ju kujtua sendi i vogel ngjyrën e të cilit nuk e kish kuptuar sepse ishte i përgjakur e gjyshi e kish djegur menjëherë. Pas kësaj e kish tërhequr pa i lënë kohë të vishej në lartësitë e malit ku dhe drurët nuk kishin marrë guximin të ngjiteshin derisa mes shkëmbinjve të thepisur kishin gjetur hyrjen e ngushtë të shpellës së ftohtë e të lagësht. Kishin qëndruar aty për aq kohë sa rrugët poshte u qetësuan nga sirenat e policisë dhe helikopterët pushuan së gërricuri qiellin me inspektimet e tyre. Pas kësaj gjyshi kish filluar të lëvizte e të vendoste kontaktet me miqtë e tij të cilët kishin ardhur dhe i kishin ndihmuar të ndërtonin një kasolle fshehur mes pishash. Ish ndjerë vërtet fatkeq atë kohë, i kishin munguar lodrat, miqtë e tij virtualë, ai ekran që merrte formë në eterin e ajrit, ëmbëlsia që rrezatonin buzëqeshjet e mësueseve të reja e të bukura që mbushte gjithë skutat e dhomës...
Kish zbritur në kasolle i uritur, i palarë, i paqethur, me ato krijesa të vogla që i shkaktonin kruarje të padurueshme në kokë e që i ishin dukur aq të neveritëshme kur gjyshi i shtypte me thonj e i kishin sjellë ndërmend...
- “C'janë këto gjysh?”
- “Morra, një lloj paraziti.”
- “Një të tillë kisha në trup?”
- “Pak a shumë. Ky të pin gjakun për t'u ushqyer, ai që kishe ti i lejon të tjerët të të pijnë gjakun dhe mendimin... Mos mendo për të bir, je ende i vogël,” - gjyshi ish munduar të vinte buzën në gaz dhe kjo e kish bindur përfundimisht djalin se buzëqeshja nuk ishte punë për gjyshin, sepse edhe kur e bënte dhe e bënte aq rrallë, e bënte të dukej aq i trishtë... e trishtimi i tij e dëshpëronte më shumë se ajo bisturi që i shfaqej në ëndërr. Ende tani, nuk e dinte se kur kish filluar të shkelte atë prag që e kish afruar me të dhe ja kish bërë aq të dashur. Sigurisht, kishin ndihmuar miqtë e tij, profesorët që vinin e i spjegonin nocione të ndryshme, studimi i librave që mbushte orët e tij... Kur kish nisur të kuptonte... kur kish nisur t'i kushtohej çështjes së revolucionit...

Eshtë gjithnjë një zanafillë... e mbarsur me farën e konfliktit e...
... kur njerëzimi nis e bëhet i ndërgjegjshëm se ekziston edhe një mënyrë tjetër të jetuari e cila i është mohuar për interesa të ngushta të një pakice... e ndjehet i mashtruar e i shfrytëzuar prej saj... fillon e merr jetë miti i...
A thua të ketë të drejtë gjyshi...
Zanafilla në një kohë moderne kur bota nis e qeveriset nga një qeveri, rendi vendoset nga një polici dhe... të pakënaqurit shtypen vetëm nga një ushtri... kur njerëzit e kanë harruar ngjyrën e aromën e parasë, në letër. Të është akorduar një kod në shifra e gjithë sa zotëron janë vetëm shifra... E për çdo shifër të hedhur në qarkullim virtual, banka të ngarkon me një borxh real... Një bankë e vetme që shtrin tentakulat e saj të të tregojë sa ke fituar, sa ke shpenzuar, e gatëshme të të japë edhe hua në shifra. E kur qëllon që borxhi arrin aq sa banka e arësyeton të mjaftueshëm, të ç'aktivizon sistemin ruajtës që të ka montuar në hyrje të shtëpisë që policia të mos humbasë kohë kur vjen të të marrë e të të flakë në qendra për të patrehë... ku ke një shtrat, një pjatë të ngrohtë për vakt e... femija nuk gjen më prindin, burri nuk njeh më gruan, njerëzit mund të zhduken përditë e nuk merret vesh ç'fund kanë bërë... Sepse monitori që merr formë në ajrin e sallës së ngrënies të jep imazhin e një femre a mashkulli të bukur, mbi një makinë të re e komode që lëviz mbi një rrugë që gjarpëron mes një peisazhi të mrekullueshëm e të thonë:” jemi bërë nga e njëjta lëndë me të cilën bëhen ëndrrat”... e të bën ta imagjinosh vehten pjesë të asaj ëndrre e të harrosh llumin në të cilin të kanë mbytur... Sepse... sepse... ai send i vogël të cilin ta kanë futur ndënë lëkurë...
Kish nisur me kafshët, veterineri e bëri të detyrueshëm mikroçipin elektronik që ta gjeje qenin në rast se të humbte... Pastaj... terorrizmi... frika... paniku, më shpërthyes se bombat që rriste ankthin e frikën për njerëzit e afërm. Të parët kishin qenë vullnetarë, me të cilët u mbushën ekranet. U servirën në atë mënyrë sa njerëzit ju drejtoheshin qendrave ku u injektoheshin mikroçipet elektronike për t'u mbrojtur nga një rrezik për të cilin u bë ç'ish e mundur për ta paraqitur sa më real... pa ditur se ju ekspozuan një tjetri më të madh... çipet me kohë u perfeksionuan, nuk ishin thjesht identifikues, u bënë manipulues...

La shtëpinë e gurtë kur errësira duke përfituar nga muzgu kish nisur të hapte erashkën e saj. Nuk i ndezi dritat e makinës e nuk e aktivizoi sistemin elektronik. Edhe se kishin marrë pikat kyçe të drejtimit të të pesë kontinenteve e pushteti ish pothuaj në duart e tyre, fundi i luftës po zgjatej në mënyrë të pakuptimtë. Pa u shuar mirë një vatër, një tjetër shpërthente më egërsisht në një cep tjetër të paimagjinueshëm të globit. Kuptonte se ishte shumë e vështirë të mbaronte kjo luftë pasi njerëzit të paisur fill pas lindjes me mikroçipet të cilët u manipulonin ndenjat dhe emocionet, shpesh kalonin në depresion të thellë e disa prej tyre edhe pas kurimit në qendrat përkatëse të ngritur apostafat, prireshin t'u riktheheshin hapave të tyre. Përveç humbjes në njerëz ishin shpenzimet, nevoja për mjete e armë, të cilat qeveria e re bënte zor t'i siguronte e merrte hua. Po ata ku i gjejnë valle, pyeti kushedi për të satën herë dhe imazhi i boas mbushi kabinën e makinës por ai e largoi me forcë. Kur mori rrugën për në aeroportin e vogël ku e priste mikroaeroplani që i kishin lënë në dispozicion aktivizoi sistemin elektronik. Në ekran u ndez sinjali që lajmëronte një mesazh të rëndësishëm. Kaloi lehtas gishtin mbi monitor dhe në të u shfaq fytyra e preokupuar e Noelit.
- “Nuk kam lajme të mira. Mikeli ka vrarë prapë sot. Miri... Eshtë e vërtetë ajo që thonë, ka dëshmitarë.”
- “Oh Zot!”,- ju duk sikur dy thika ju ngulën në krahëror e nuk dinte të thonte se cila e kish vrarë më shumë.
- “Jam në ankth për ty Drin. Nëse të del përpara vrite para se të të vrasë!”-Noeli heshti një hop, pastaj vazhdoi.- “E di sa më kushton kjo që të them.”
- “E di. Mos u shqetëso për mua.”
- “Një fjalë goje.”
Një fjalë goje, përsëriti me vehte Drini dhe mbylli kontaktin. Noeli ishte mirë e kjo sikur e lehtësoi disi por trishtimi erdhi duke u rritur. Një herë ishin tre... Mikel... përse mik, përse vëlla..? Rruga gjarpëronte nëpër pyll e nëpër natë. “Eshtë koha kur boat ngrenë kurthet”, mendoi pa dashur duke i imagjinuar në kontinentin tjetër. E tija ishte imagjinare dhe nuk i ndahej kohët e fundit, e padëmshme në dukje, i sillej rrotull sikur i maste gjatësinë e gjërësinë e trupit. Dikush kish thënë një herë se e bëjnë për të llogaritur se sa duhet t'i hapin nofullat për të gëlltitur viktimën.
“ Në mëngjes e gjeta në shtrat, shtrirë, krejt i drejtë përbri gruas sime”, kish thënë njëri.
“ Kujdes, do të thotë se po e mat përpra se ta gëlltisë”, i ish përgjigjur tjetri.
Padashur vuri buzën në gaz, e dinte se nuk kish asgjë të vërtetë në këtë legjendë metropolitane të qarkulluar mbase për humor, një humor që të kallte datën. Boas në realitet aq i bën për masën, kur ka uri ngre kurth e merr ç'ti bjerë në shteg. I kap me dhëmbë të cilët nuk janë helmues, i mbështjell fort me unazat e trupit, e me qetësi e durim e pret ç'do frymënxjerrje të viktimës për t'u shtënguar më fort derisa mushkëritë që hapen gjithnjë e më pak, nuk hapen më për t'u mbushur me frymë... Ndërsa ajo e tij... në mënyrë të pavullneteshme imazhi lidhej me padronin e boas të mbyllur pas paretit të kristaltë. Por asgjë nuk e kish shpënë tek ai, asnjë provë, asnjë hetim që ish munduar të bënte fshehtas. Ai i përkiste asaj elite financiare që kish mbështetur revolucionin me para që para se Drini të kish hyrë në të. “Banka”, siç thosh me të qeshur Noeli. Po “banka” që finacon të tjerët...? Një rrudhë e thellë i preu ballin ballin. Të tjerët që kanë kaluar në guerrilje e shoku i tij me ta... “Përse vëlla”, psherëtiu dhe ndjeu mushkëritë t'i ngushtoheshin si në çastin kur Mikeli ishte zhdukur e më pas shërbimet sekrete i kishin komunikuar se kish tradhëtuar, më keq, kish tradhëtuar gjithë kohës. Ish munduar të kundershtonte, e njihte Mikelin, shokun i tij të fëmijërisë, kishin qenë të pandarë... tre të pandarë... por provat që i vunë përpara kishin qenë të pakundershtueshme.
“Vrite përpara se të të vrasë!”... Mikeli i njihte të gjitha vrimat ku mund të hynte e të dilte. Përderisa ishte në qarkullim ishte një rrezik që nuk mund të injorohej, edhe se... thellë qënies së tij e dinte se nuk do të ngrinin kurrë dorë kundër njëri tjetrit.

Konturet e errëta të aeroportit të vogël që u duken kur makina nisi të zbresë kodrën e fundit, ngriti një urë të shndritëshme në mendimet e tij që bëri t'i shkëlqenin sytë dhe muskujt e fytyrës t'i liroheshin. Ajkuna. Shumë mall e nevojë fizike njëkohësisht. Ndjesia e papaguar dhe e paprovuar me asnjë vajzë tjetër, sikur dy shpirtëra ishin trupëzuar vetëm e vetëm për t'u dashuruar e çmallur me njëri tjetrin. Dy ditë më parë i kish thënë se kish një lajm të bukur për t'i dhënë, por nuk u lodh për ta hamendësuar. Sado i bukur të ish lajmi, as nuk i hiqte e as nuk i shtonte gjë magjisë së takimit me të. Përfytyroi flokët e saj tek i kriheshin gishtërinjve, aromën e lëkurës dhe drithërimën e gëzuar që i shkaktonte prekja e saj e padashur drejtoi trupin duke mbledhur pak supet për të krijuar atë gropëz në krahërorin e tij ku asaj i pëlqente të mbështeste kokën... Pa orën. Nëse çdo gjë shkonte mirë, pas një ore do të ishte pranë saj e ajo e do ta kalonte natën me të. Ndën shkëlqimin e hënës, rruga me kthesat e shumta gjarpëronte në mënyrë të çuditeshme, e në një hapësirë mes drurësh shqoi aeroportin në të cilin mbaronte, si një kokë e errët përbindëshi... Boa në pritje...

Befas, një objekt fluturues nga ato që i quanin të paidentifikueshëm, u shfaq aq poshtë sa ju duk sikur preku majat e bredhave anës rrugës. Dridhës në misterin e tij, në një lëkundje që të jepte përshtypjen e një mëdyshjeje se nga ç'anë duhej të rilëvizte, i kish zënë rrugën në harkun e njëqind metrave. Uli menjëherë shpejtësine dhe e zhvendosi makinën rrëzë rrugës aq sa e lejuan trungjet e drurëve e ndaloi në pritje. Objekte të tilla ishin bërë të shpeshtë vitet e fundit e askush nuk dinte t'u jipte përgjigje pyetjeve se ç'ishin, nga vinin dhe çfare qëllimesh kishin. Sinjalizime se shfaqje të tilla ishin shumë të shpeshta në zonat e ftohta e të pabanuara të poleve, dhe hipoteza se zhdukja e mjaft njerëzve mbante misterin e tyre, megjithatë deri tani asnjë dëshmi e besueshme.
Pak nga pak, befasinë e e tkurrjen e momentit e zuri kurioziteti. Doli nga makina me mendimin t'i afrohej për ta vrojtuar më mirë. Por po ashtu siç ish shfaqur, po me atë befasi, objekti lëvizi me shpejtësi nga lindja, e në të njëjtën mënyrë tre të tjerë u shfaqen nga hiçi dhe e ndoqën për të humbur qiellit me të. U kthye në makinë duke bluar mendimin e zymtë se do ta kishin pisk punën me ta nëse nuk kishin qëllime miqësore.
Ndezi makinën dhe pa sërish orën. Duhej të shpejtonte, çdo minutë e humbur këtu, ishte një më pak për t'u jetuar me Ajkunën. Shkeli fort gazin dhe po aq fort frenoi. Pak metra para tij, në mes të rrugës, i zhytur në zbehtësinë e hënës, qëndronte Mikeli që e mbante ndënë shënjestër ...

Në të mijtën e sekondit truri i stërvitur bëri llogaritë e mundësive. Mund të niste makinën e të shkelte fort gazin... të kalonte sipër tij, të dilte ku të dilte, ose... të ecte mbrapsht e t'ja mbathte... mund të zbriste nga makina e t'i kërkonte një përgjigje pyetjes që i kish ngrënë shpirtin... Shtërngoi timonin fort sa nyjet e gishtërinjve ju zbardhën. Ishim tre dreqi ta hajë... një herë e një kohë ishim tre...
- “Noel”! -foli pa ja hedhur sytë monitorit kur hapi konataktin,- Eshtë përpara meje, i armatosur”.
- “Mos ngurro Drin!- ankthi dhe nervozizmi i Noelit u thye në muret e kabinës për t'u rikthyer në njëmijë jehona që u dhanë tingull hapave të figurës që u shkëput nga mesi i rrugës për t'ju afruar. -” Vepro shpejt, mos humb kohë të kërkosh të flasësh...”
Fjalët e fundit mbetën pezull në ajër, një segment rrezesh vjollcë goditën monitorin dhe e shkrumbuan në çast. Mikeli zuri vend në sediljen pranë tij duke fshehur në xhep armën të cilën Drini ende nuk e kish sendërtuar në mendjen e tij.
- “Shpejt, nisu! Kthehu pas!”
Automatikisht, si një marionetë që e lëviznin fije të padukëshme, zbatoi urdhërin e tij. E dinte që sido të vinte puna, nuk do dilte lehtë nga ajo situatë. Kish luftuar e kish vrarë shume njerëz, por asnjëri prej tyre nuk kish pasur fytyrën, zërin, asgjë që ta lidhte me të siç ish lidhur me atë që i ish ulur pranë.
- “Ndal! Ec pak prapa. Ja këtu, merr majtas e ngjitu!”
U bind sërish. Herët a vonë, madje herët, ish i sigurtë se do të merrte një përgjigje. Vazhduan të ngjteshin deri sa shtegu u ngushtua e trungjet e pemeve nuk e linin makinën të kalonte. Mikeli zbriti i pari. Cudi, tha me vehte tek e ndiqte, ku e çoi armën? Dolën në një lëndinë të vogël.
- “ Bën mirë të ulesh”,- zëri nuk ishte aspak urdhërues, ish i hidhëruar.
- “Nuk di ç'ke ndërmend të bësh me mua, nëse ke vendosur t'i japësh fund, jipi tani!”
Mikeli e pa një hop.
- “ Si të duash”,- tha dhe nxorri nga xhepi një disk në madhësinë e gjysmës së pëllëmbës së tij e jo më të trashë se një gisht. I ktheu krahët, eci dhe qëndroi në mes të lëndinës. Drini u mundua të gjente me mend se ç'mund të ishte ai send dhe se ç'po bënte me të, por shihte veç shpinën e tij e mendoi se ndoshta ishte rasti të përfitonte e t'i hidhej sipër. Por e largoi atë mendim, nuk kish marrë ende asnjë përgjigje.
Mikeli vendosi diskun mbi tokë e u largua, figura e tij humbi pas hijes së errët të drurëve...
Pa humbur ende figura e tij, të tjera mbushën ajrin e mjedisi u konturua me mure. E njihte këtë mjedis, edhe se kish qenë vetëm një herë atje. Pareti i kristaltë në fund të sallës nuk e linte të gabohej. Këtë herë vëmëndjen nuk ja tërhoqi bisha e mbledhur në një kular të palëvizshëm por njerëzit ulur rreth tryezës së rrumbullakët prej mogani të punuar hijshëm. Njihte vetëm një fytyrë, atë të të zotit të shtëpisë që po fliste. Të tjerët, ishin fytyra të panjohura për të, por mënyra se si u drejtohej folësi duhej të ishin të një rëndësie të veçantë. Rrinin e dëgjonin.E bashkë me ta edhe... Drini...
Mblodhi grushtet dorë për dorë që inati e zemërimi erdhën duke u rritur e një çast e humbi kontrollin e ju sul folësit. Ajo që grushtoi ishte vetëm ajër. I dëshpëruar u tërhoq mënjanë e ndoqi diskutimet që vijuan. Flisnin me rradhë, zëra të qetë e të llogaritur, sepse qetësisht ishin llogaritur shumë e shumë kohë më parë fatet e asaj lufte së cilës i ish kushtuar. Ndjeu nevojën për t'u ulur, kish pasur të drejtë Mikeli. U ul mbi bar e qëndroi deri në fund, deri sa ata u çuan e dolën prej dere të shoqëruar nga i zoti i shtëpisë, derisa konturet e asaj salle me gjithe bishën në kafazin e kristaltë u tretën në ajrin e natës. Shikoi yjet me pezmin e mendimit se kish qenë aq afër sa mund t'ja shtypte kokën bishës imagjinare, instinkti nuk e kish gabuar kur dyshonte në atë njeri... Por nga ana tjetër ish gabuar, bisha nuk përpiqej t'i gllabëronte, e kish bërë me kohë. Gjithë sa kish imagjinuar nuk ishte veç një “deja vu” e diçkaje të ndodhur diku, dikur, në një kohë të mëparëshme dhe ata nuk e kishin kuptuar...


Mikelin e gjeti ulur mbi trungun e madh të një peme të prerë vetëm disa hapa larg lëndinës. U ul pa fjalë bri tij. Heshtjen e prishi Mikeli.
- “ Njeh ndonjë prej tyre”?
- “ Ti i njeh”?
- “ Nuk i njihja, por jam informuar. Eshtë paraja Drin, ajo komandon. Kemi qenë veç mjete në shërbim të tyre. Zeusi mbi Olimp, ai që lëviz fatet e njerëzve në një arenë. Më keq, Zeusi që nxjerr para.
- “ Nga e more këtë informacion? Përse duhet të besoj ty dhe ato gjëra absurde që u folën aty? Ufo, satelitë, sonda... më duket fantashkencë”.
- “ Fantashkencë ishte dhe mikroçipi përpara se të shpikej, fantashkencë dhe ufot por ja që ulen përditë mbi planet e marrin gjithë ç'kanë nevojë, deri njerëz për të bërë eksperimente me ta... Fantashkencë. I quaja me imagjinatë të sëmurë ata që thonin se i kishin rrëmbyer alienët, e pastaj më erdhi rradha mua... I kam parë Drin e nuk kanë atë pamje që na e kanë rrënjosur në mendje tash prej dy shekujsh, atë me lëkurë të gjelbër e me sy të...
- “Bëmë një favor, mbyll gojën”!
- “ Atëherë si e spjegon objektin që të preu udhën pak më parë e unë si u ndodha aty”?
- “ Nga të gjitha spjegimet, ky është më absurdi. Kam dy javë që të kërkoj, dy javë që mbledh gjurmët e tua në thasë plastikë me emra shokësh të vrarë në skajet më të paimagjinueshme të globit. E ti vjen e më thua se të kanë prurë alienët? Kishe vallë nevojë për ta të më gjeje? Dua një përgjigje Mikel! Ku ke qenë dhe përse”?- Drini u çua më këmbë dhe para tij. Zëri kish filluar t'i dridhej nga inati që sa vinte e i rritej.
- “ Në kërkim të përgjigjeve të mia. I ke aty”!- Mikeli tregoi me gisht nga ana e lëndinës.- “Nuk e ke idenë sa kam rrezikuar për t'i mbledhur bashkë me ta, më çuan të shihja me sytë e mi sondat që janë montuar në satelitet e pafajshëm që shërbejnë për të parashikuar motin. Duan të na paralajmërojnë”.
- “ Të na paralajmërojnë!? Nuk mendon se tingëllon e çuditëshme sepse ato sonda të mallëkuara i kanë vendosur po ata”?
- “ Eshtë një fraksion mes tyre, fraksion që ka ngritur krye kundër sistemit. Nuk ka të bëjë se sa i zhvilluar është një sistem, kur arrin që qeveriset nga një dorë që të kontrollon mendjen e të heq lirinë më të shenjtë, atë të të menduarit... A nuk luftuam edhe ne për këtë Drin? Por janë në fillimet e tyre dhe e kanë shumë më të vështirë, sistemi i kontrollit dhe manipulimit direkt nga sondat është shumë më i fuqishëm se ai i mikroçipeve dhe ju kane dashur qindra vjet ta zbulojnë e të ndërgjegjësohen. Rizgjimet janë të pakta e ndiqen në një gjueti shtrigash. Djaloshi që më solli tek ti, e dinte mirë se do t'i viheshin pas, siç e dinte se zor do t'u shpëtonte gjallë”.
Drini u ul sërish, mbështeti kokën pas gjunjëve dhe e mbuloi me duar. Para syve i kaluan tre objektet që ndoqën të parin për të humbur në qiellin e zi të natës. E kotë, e kotë gjithë ajo luftë dhe ai gjak i shumtë i derdhur në emër të një lirie të tallur, të shitur ende pa u fituar.
- “ C'do të bësh Drin”?,- e shkundi zëri i Mikelit.
- “ C'ka mbetur për t'u bërë Mikel”?
- “ Them të hidhem në ilegalitet sërish e të mundohem të kontaktoj me”...
- “ Alienët”?
- “Kam një lloj shprese”.
Drini mori frymë thellë, dhe e nxorri ngadalë. Nuk kish më frikë se mushkërite do t'i bllokoheshin në shtërngimin e unazave të trupit të boas së panjohur. Tashmë ajo kish fytyra njerëzish dhe ngjyrën e harruar të parasë dhe e kish gëlltitur të gjallë, i kish gëlltitur të gjallë... prej kohësh... edhe Ajkunën. Ajkuna... Ishte në rrezik edhe ajo, të shkonte e ta merrte... po pastaj? Ku mund të gjendej një strofull ku ajo sondë e mallëkuar nuk do t'i gjuante neuronet e tyre...
- “ Ku mund të shkojmë Mikel? Askund! Ti tashmë je i vdekur, të kanë shpallur tradhëtar që prej disa ditësh”.
- “ E di. Por nuk jam tradhëtar as për ty dhe as për revolucionin”.
- “ E di, por sa para bën tani”.- Drini u çua më këmbë. - “ Duhet të shkoj të marr Ajkunën, pastaj shoh e bëj”.
- “ Po vi me ty”.

Udhëtuan në heshtje duke përtypur pyetje të cilave nuk guxonin t'u jepnin përgjigje. Ironia e fatit të qindra mijëra njerëzve që kishin dhënë jetën për një liri të rreme, ishte shumë e hidhur. Do të merrte Ajkunën, gjyshin, Noelin e bashkë me Mikelin do të mundoheshin të gjenin një zgjidhje per momentin. Hapi kontaktin me Noelin por ai nuk u duk. Ndjeu ankthin t'ja tkurrte të gjitha qelizat e trupit. Se ta ishin e do të mbeteshin tre... Përderisa kish menduar se ishte Mikeli që i tradhëtonte, thellë thellë ishte i sigurtë se nuk do t'i bënte keq as atij dhe as Noelit. Ishte si një pakt i heshtur, e ish bindur pak më parë kur mund të shkelte gazin e ta vinte poshtë makinës... Noel, vëlla, ku je...?


Shtëpia ishte zhytur në një pritje thurrur errësirë dhe heshtje. Kërceu nga makina e vrapoi drejt saj duke thirrur me zë të lartë emrin e të dashurës. Dera ishte e hapur. Në nxitim e sipër harroi të ndizte dritën, fundja e njihte pëllëmbë për pëllëmbë atë shtëpi. Mori veç heshtje si përgjigje. Mikeli, hyri pas tij, ndezi dritën e korridorit e pastaj i ndezi një nga një në të gjitha dhomat e katit përdhes. Drini ngjiti me një frymë shkallët e kontrolloi dhomat e katit të sipërm. Rregull, pastërti e heshtje, heshtje që e ftohu nga rrënja e flokëve deri tek shputat e këmbëve. Zbriti shkallët duke ju përgjigjur me kokë shikimit pyetës së Mikelit.
- “Po dal të hedh një sy jashtë”.
E dinte mirë se Mikeli nuk priste të gjente gjë aty jashtë, ishte veç një pretekst për ta lënë vetëm me dhimbjen e dëshpërimin përpara se t'ja kërkonte ai vetë. Hyri në kuzhinën e vogël të katit përdhes, aty ku e kishin bërë zakon të hanin mëngjesin e vonë pas një nate dashurie e pasioni. Tryeza ishte e shtruar, takëmet për dy vetë, një vazo me lule të freskëta, një libër, e... diçka që shndrinte mbi të... unaza që i kish dhuruar... Zgjati dorën e dridhur duke patur frikë të nxirrte frymën...e para se ta prekte...
... ndjeu kërcitjen e thatë të siguresës së armës pas shpine. Në gjithë sa kish ndodhur atë natë, tingulli ju duk një shekull i vonuar, e ai kish nevojë edhe për pak. E injoroi armën e gishtin në këmbëzën e saj, mori unazën dhe e kundroi duke e rrotulluar ndër gishtërinj.
- “ Ku është Ajkuna”?
A mund të jetë plumbi më i dhimbshëm...?
Drini mezi mbyti rënkimin që ju ngrit nga fundi i shpirtit.
- “ Nëse nuk e di ti Noel...”? - sytë i ranë mbi librin e zgjati dorën ta merrte e të kontrollonte mos kish lënë ndonjë mesazh në të. Tjetri u tregua më i shpejtë, në një kërcim i doli përpara duke ja mbështetur tytën e armës mbi ballë e me dorën tjetër rrëmbeu librin. E ngriti në ajër dhe e shkundi. Asgjë.
Jashtë u dëgjuan të shtëna e pas pak çastesh kërcitja e një morie këpucësh ushtarake oshëtinë ne korridor.
- “ Mikeli”?- Drini ja qepi sytë Noelit i cili e përballoi me fohtësi shikimin e tij.
- “ E kush tjetër? Eshtë ai tradhëtari apo jo? Ti do të jesh heroi”.
- “E ti? Guvernator. Në cilin kontinent?
- “ President i përgjithshëm”.
E qeshura ju ngrit e pavullnetëshme, në fillim e heshtur e ngadalë, por njëherë qe mori rrugë nuk mund ta ndalonte.
- “ President... ?! E bukur edhe kjo.... I përgjithshëm... Ha ha ha... Na ishin një herë tre shokë që ishin betuar të luftonin për... liri... luftuan... Hahaha per liri... Njëri u bë tradhëtar... i dyti hero dhe i treti...ha ha ha president... president kukull... marjonetë... manekin... pa tru... pa mendim...hahaha...”
Pa gishtin të tkurrej e befas u mbush me frymë... nuk do t'ja zgjaste jetën ai grusht ajër, por i nevojitej oksigjeni i tij t'ja mbante ca sekonda trurin gjallë për diçka më të bukur... Ajkuna... flokët e saj që i kriheshin nëpër gishta, aroma e lëkurës së qafës së saj rrëzë veshit... drithërima kur e prekte... malli i lashtë dhe dëshira për t'u bashkuar me të... Ajkuna si Penelopa e Uliksit... Uliksi...titulli i librit... Vizioni ishte i qartë ndërsa plumbi lëvizi nga foleja... flladi i malit të perëndive... diçka kish përmëndur kur kishin folur për muajin e mjaltit... flokët e saja që i llastoheshin flladit dhe fustani që i llastohej trupit... duart qe i mbante lidhur mbi bark... është shtatzënë... Mendimi e lumturoi çastin që plumbi kaloi grykën e armës... gratë shtazëna kanë intuitë të zhvilluar, dyfish, e ka ndjerë rrezikun është larguar... për të shpëtuar foshnjën... në bark... që nuk do ta njihte babanë... sepse ishte...
… kujdes bir, kanë filluar të të thërrasin hero...
… se heronjtë duhet të vdesin që të mbeten të rinj e të bukur...
… ndryshe harrohen ose bëhen qesharakë...

Goditja i solli para syve fytyrën e Noelit të cilit nuk ju dridh qerpiku. Nuk ndjeu dhimbje në ballë, një gisht sipër vendit ku bashkohen vetullat, dhimbja ishte më poshtë, diku ndënë brinjë, ende më poshtë, niste nga shputat e këmbëve ku presioni e shtynte për lart... Dëgjoi zhurmën e shurdhët të nofullave që hapeshin më shumë se koka që i zotëronte... Nuk i duhet t'i hapë shumë, fundja ç'ish ai, një njeri i zakonshëm të cilit pasioni për liri i kish dhënë forcë e rrethanat e kishin bërë udhëheqës... të një lufte të përgjakur që nuk kish bërë tjetër veç se kish pasuruar dhe më shumë pasurinë e një grushti me njerëz... Ndjeu pështymën e bishës që i lagte trupin për ta vjellur më shpejt, për ta degdisur në buste që do të vendoseshin në sheshe... ironi e maskuar në buste bronxi... shembull për brezat që do vinë... heroi mit... miti i heroit...

E kanë të gjithë nga një zanafillë... në një periudhë kohe...
... e do të ketë sërish heroj, miti i tyre diçka mes përrallës dhe legjendës që përsëritet... për t'u përmirësuar... Ajkuna që vallëzon këmbëzbathur me një qiri të ndezur ndër duar, mbi pllajën e atij mali ku njerëzit kishin ditur të ruanin gjuhën dhe urtinë e thurrjes së legjendave të perëndive të krijuara sipas pasioneve e instinkteve të njerëzve dhe mitin e heronjve që ju kundërvunë atyre...
Pa vehten të derdhej në bust, e ndjeu vdekjen t'i vinte... si një pasqyrë bronxi, me heshtje bronxi të vulosur mbi buzë, me sy që mbylleshin në kapakë bronxi, e... rihapeshin në fryrjen e lehtë të një kurmi gruaje...

...është gjithnjë një zanafillë...

https://kuqezi.albanianforum.net/

2Vdekja... ka syte e tu Empty Re: Vdekja... ka syte e tu 24/2/2013, 17:56

E Sinqerta

E Sinqerta
Webmaster
Webmaster
shum e bukur kjo qe ke shkruar ti akkkkkk

3Vdekja... ka syte e tu Empty Re: Vdekja... ka syte e tu 24/2/2013, 18:05

$EB@$TJ@N

$EB@$TJ@N
->Fond@tor<- WebM@ster
->Fond@tor
e ka shkruar Suzana Kuqi, un vetem sa e kam mar nga webi i saj...

https://kuqezi.albanianforum.net/

Sponsored content


Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi

Social Media Buttons