Siç është bërë tashmë e ditur, Facebook ka hyrë në bursën amerikane, por fatkeqësisht, asgjë nuk shkoi ashtu siç ishte planifikuar.
Presioni që i bëhet kësaj kompanie fitimprurëse, ka bërë që bordi drejtues i FB të mendojë sesi të përfitojë para nga përdoruesit e rrjetit më të njohur social.
Kështu, Facebook njoftoi se në SHBA dhe në 20 shtete të tjerë do të testojë procedurën e pagesës për të gjithë ata përdorues që duan më shumë fansa që të shikojnë postimet e tyre.
Ky shërbim i ri me emrin Promoted Posts mendohet se do të shfrytëzohet për njoftime martesash, ftesa për party apo evente të tjera. Gjithsesi, nuk është e thënë që pagesa të kryhet vetëm për këto raste, por për çfarë të dëshirojë klienti që paguan.
Fillimisht çmimi do të jetë 7 dollarë për çdo postim, por ky çmim do të ndryshojë në varësi të interesit që do të ngjallë.