SHBA- Fundi është afër?! Bota, që e njohim ne do të marrë fund më 21 dhjetor?! E ndërsa vetëm pak orë nga ndajnë nga 21 dhjetori, frika e një apokalipsi ka shkaktuar panik dhe një numër përpjekjesh të paturpshme për të përfituar duke u bazuar në thashetheme.
Ndoshta, askund tjetër, më shumë sesa në Rusi dhe Ukrainë njerëzit nuk i ka përfshirë paniku për fundin e botës, ku çmimet për qirinj dhe prodhime të tjera shtëpiake janë rritur, derisa familjet po mbledhin rezerva para 21 dhjetorit. Blerja e shkaktuar nga paniku, po ndodh në tërë Rusinë, me njerëzit që blejnë pishtarë, shkrepëse, termose dhe llamba vajguri. Çuditërisht, qyteti industrial i Novokuznstskit ka qenë dëshmitar i një furie për të blerë kripë.
Në qytetin siberian të Tomskit, ajo që filloi si një shaka për të ofruar çanta me pajisje mbijetese për fundin e botës, është kthyer në një biznes fitimprurës.
Zyrtarët rusë, megjithatë, nuk po argëtohet me një gjë të tillë.Një grup i ligjvënësve në Dumën Shtetërore të Rusisë iu ka shkruar drejtuesve të kanaleve televizive federale, që të mos përhapin informacione “pseudoshkencore në lidhje me fundin e botës.” Kryeministri Dimitri Medvedev, ministrat e Emergjencave Vladimir Puchkov dhe Genadi Onishchenko, kryeinspektori shëndetësor i vendit, e kanë parë të nevojshme që të dekurajojnë thashethemet për shkatërrimin e tokës.
Në Itali, astronomi më i lartë i Vatikanit ka kërkuar gjithashtu që të largohen shqetësimet rreth 21 dhjetorit, duke thënë se skenarët e ndryshëm për fundin e botës, bazuar në kalendarin majan, “as që ia vlejnë të diskutohen”.
NASA, agjencia amerikane e hapësirës, ka ndërmarrë edhe hapin e pazakontë duke botuar një publikim me titullin “Përtej 2012: Pse bota nuk do të përfundojë?”. Por, një drejtuese e qeverisë ka bërë shaka me këto gjëra. Në një video satirike të postuar në internet këtë muaj, kryeministrja australiane Julia Gillard, që dukej e shqetësuar, njoftoi për afrimin e apokalipsit.
Në Serbi, hotelet në malin lindor Rtanj janë vërshuar nga turistët, të cilët besojnë se do të kursehen kur pjesa tjetër e botës do të kthehet në rrënoja më 21 dhjetor. Sipas besimit popullor, mali fsheh një strukturë piramidale, të lënë pas nga jashtëtokësorët, më shumë se një mijë vjet më parë, e cila do ta mbrojë atë nga shkatërrimi.
Në Shtetet e Bashkuara, Larry Hall ka transformuar një ish-garazh të madh të raketave në Kansas në një shtëpi luksoze mbijetuese. Të paktën, tre prej njësive tashmë janë shitur, secila nga 2 milionë dollarë.
Në mes të manisë globale për fundin e botës, shumë pak, janë ndalur për të dëgjuar se çka thonë për këtë çështje vetë pjesëtarët e komunitetit majan. Sipas tyre, fundi i kalendarit të lashtë majan, më 21 dhjetor 2012 nuk do të shënojë ndonjë katastrofë – por, thjesht fillimin e një kalendari të ri.
Ata dënojnë shfrytëzimin për përfitime financiare të trashëgimisë së tyre kulturore dhe planifikojnë që ta shënojnë këtë ditë me ceremoni private në vendet arkeologjike majane, larg nga turmat masive që pritet të mblidhen në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore për koncertet e fundit të botës, të shoqëruara me fishekzjarrë. Burimi: BalkanWeb