DURRËS - Dy grupe të rinjsh nga Tirana dhe Durrësi janë përleshur dje në mbrëmje në Durrës dhe tre prej të rinjve kanë mbetur të plagosur me thika.
Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, në lagjen numër 9, të qytetit ose ndryshe lagjja “Sefer Efendiu”. Shkaku dhe rrethanat e përleshjes mes dy grupeve janë ende të paqarta për policinë e Durrësit, e cila ka shoqëruar tre shtetas, banues në Tiranë, pasi ata kishin marrë mjekimin në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Sipas policisë lokale, por edhe dëshmitarëve të rastit, sherri ka ndodhur në një lokal në lagjen 9, ku një grup të rinjsh nga Tirana dhe Durrësi kanë debatuar ashpër e më pas janë konfrontuar fizikisht. Shkak për nisjen e konfliktit mësohet të jetë bërë një femër.
Pasi kanë debatuar me zë të lartë, të rinjtë kanë nxjerrë thikat dhe janë përleshur me njëri-tjetrin, për pasojë janë plagosur tre prej tyre. Gjithashtu i plagosur në gjendje të lehtë ka mbetur edhe 31-vjeçari Vilson Saliaj, kalimtar i rastit, i cili pas mjekimit në urgjencë është marrë në pyetje nga blutë e Durrësit. Pas përleshjes, tre të rinjtë nga Tirana, të plagosur në duar dhe në këmbë, janë larguar nga Durrësi dhe i janë drejtuar spitalit “Nënë Tereza”, për mjekim. Ndërkaq, efektivët e policisë kanë shoqëruar në komisariat një numër të madh të rinjsh, për të zbardhur ngjarjen. Për tre shtetasit banues në Tiranë dhe një nga Durrësi, policia ka marrë urdhër-arrestet, pasi akuzohen për “Plagosje me dashje”.
Gazeta Shqiptare/BalkanWeb