Vetëm pak ditë para ndeshjes Shqipëri–Norvegji, që mund të vendosë fatin e të dyja skuadrave në këto eliminatore, mediat norvegjeze i kushtojnë vëmendje të vecantë stadiumit “Qemal Stafa”, që në këndvështrimin e nordikëve i përket një epokë tjetër.
Në një reportazh të “aftenposten.no”, thuhet se sapo shkel në stadiumin ndërkombëtar të Shqipërisë kupton që në Europën e Zhvilluar ekzistojnë skuta që nuk kanë shumë lidhje me realitetin. “Qemal Stafa” i ndërtuar në vitin 1946 nga vullnetarë menjëherë pas revolucionit komunist, ka ndryshuar shumë pak nga ajo kohë. Dallohet qartë vendi ku qëndronin drejtuesit e komitetit qendror, në mes të tribunës kryesore, ndërsa në dhomat e zhveshjeve ku duhet të qëndrojnë futbollistët e të dyja skuadrave ekzistojnë ende dollapët me kyç. Ai vend të kujton një provincë të vogël të Norvegjisë të shumë shumë vite më parë.
Kapaciteti i “Qemal Stafës” është 16 900 persona, por ndaj Norvegjisë do të kërkojnë të hyjnë në stadium shumë më tepër. Në Shqipëri jetojnë me ëndrrën “Brazil 2014”, ndaj interesimi për këtë ndeshje është si kurrë më parë. Çmimi i biletave në tregun e zi është rreth 100 euro, e barabartë më gjysmën e rrogës mesatare mujore në Shqipëri. Atmosfera në stadiumin që mban emrin e një heroi lufte pritet të jetë nga më të zjarrtat, ose më saktë një festival folklorik shqiptar.
Tirana do të jetë e mbushur me tifozë të shumtë të futbollit, shumë prej të tyre të ardhur nga Kosova apo vise të tjera shqiptare. Pikërisht ata tifozët kuqezi do të këndojnë këngë patriotike për Shqipërinë e Madhe, edhe kjo një ëndërr ende e parealizuar sikurse kualifikimi në botëror. Shqipëria synon të fitojë, të njëjtin qëllim ka edhe Norvegjia, por suksesi i Oslos më 22 mars i ka krijuar shpresa të mëdha në Shqipërinë e vogël dhe të varfër.