Mbrëmjes së djeshme në spitalin e Trikalës në Greqi. Katër persona të armatosur, nën kërcënimin e armëve, u kanë rrëmbyer punonjësve të burgut të Trikalës një të burgosur, të cilin ata e kishin çuar për vizitë mjekësore në spital.
Burimet policore greke bëjnë me dije se i burgosuri, por edhe katër personat e armatosur ishin shtetas shqiptarë.
Më pas, që të pestë u larguan me shpejtësi nga spitali dhe me makinën që posedonin, iu drejtuan Athinës. Por kur erdhën pranë zonës Kokino Milos në Athinë, i ndalon policia kryeqytetase për një kontroll rutine.
Pesë të armatosurit jo vetëm që nuk ndaluan, por hapën zjarr ndaj forcave të policisë.
Kaq u desh që të rrethohej gjithë zona, pasi patrulla e policisë kërkoi përforcime.
Bëhet me dije se deri rreth orës 5 të mëngjesit ka pasur shkëmbime zjarri mes policisë dhe shqiptarëve të armatosur.
Policia greke arrestoi fillimisht të burgosurin që u arratis. Madje ai i kishte akoma prangat në duar. Më pas, vazhduan përpjekjet për arrestimin e katër personave të tjerë, të cilët mendohej se ishin fshehur në varrezat e zonës.
Policia arriti të kapte një prej tyre dhe tashmë vazhdojnë kërkimet për kapjen edhe të tre të tjerëve.
Vlen për t’u theksuar që i burgosuri që u arratis nga burgu i Trikalës, ishte dënuar si trafikant droge.