Athinë, 8 shtator, NOA - Duket se i ka ardhur fundi kohës kur shqiptarët e dëshpëruar endeshin rrugëve të Greqisë, me shpresën e gjetjes së një vendi pune.
Tashmë, janë grekët, ata që duket se po i “hedhin një sy” terrenit të Shqipërisë për të punuar.
Madje, një gjë të tillë po e marrin në konsideratë edhe grekët që u përkasin shtresave të larta intelektuale të vendit fqinj, si përshembull ata të sektorit akademik.
Dukuri kjo, që në fakt, është cituar nga vetë mediat greke, të cilat kanë treguar me detaje sesi pedagogët e kolegjeve apo universiteteve në Greqi, po shfaqin interesim e tyre për të dhënë mësim në institucionet arsimore shqiptare.
Saktësisht, e përditshmja greke, “Kathimerini” apo dhe “Greek Reporter”, citojnë të flasë mbi një çështje të tillë vetë rektorin e Universitetit të Janinës, Triantafyllos Albanis. Sipas të cilit, Shqipëria fqinje, pse jo, mund të jetë një mundësi e mirë për akademikët grekë, kjo edhe sepse në këtë vend, ka institucione të larta private arsimore të cilat avancojnë sipas programeve mësimore europiane ose amerikane (ku këto të fundit, njihen dhe janë të ngjashme me homologet e tyre greke).
Por ndër të tjera, ky rektor i një universiteti të rëndësishëm grek, nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit të stafit akademik grek, me atë shqiptar, edhe për faktin, sepse ofertat që sipas tij, paraqesin institucionet arsimore shqiptare, janë me leverdi.
Konkretisht, ai ka treguar sesi këta të fundit propozojnë për pedagogët grekë paga të larta, transport të garantuar dhe madje, edhe mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit të tyre në Shqipëri ...
“Disa përfaqësues të shkollave shqiptare kërkuan të takohen me mua në zyrën time. Mendova se qëllimi i këtij takimi, do të ishte ai i diskutimeve në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin kërkimor, por ata donin të ofronin në fakt, një pozitë të mirë në Shqipëri për disa profesorë të Universitetit tonë", bëri me dije për mediat greke, rektori Triantafyllos Albanis.
Ndërsa ka përfunduar, se një variant tjetër për profesorët grekë, është edhe ai i të punuarit në universitete të ngjashme në Bullgari, prej të cilëve, gjithashtu, sipas tij, u kanë mbërritur oferta të mira.
Kurse gazeta “Kathimerini” ka raportuar tashmë se disa profesorë grekë kanë lëvizur për në Arabinë Saudite apo Katar, për paga më të larta dhe marrëveshje 3-vjeçare.
e.t/noa