Lë garën për të ndihmuar rivalen
Një 17-vjeçare fitoi vëmendje kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ajo vendosi të ndërpriste një garë atletike, për t’i ardhur në ndihmë një konkurrenteje në vështirësi.
Meghan Vogel, gjimnaziste në Ohajo, ishte pjesëmarrëse në një garë kombëtare të 3 200 metrave për femra, në një disiplinë ku sfidohej nga bashkëmoshatare të tjera.
Në xhiron e fundit të garës, Vogel ndodhej në pozicionin e fundit, kur Arden McMath, një rivale nga një gjimnaz në Arlington, e sfilitur nisi të ngadalësonte hapin dhe për pak të rrëzohej në pistë nga stërmundimi.
Në atë që është vlerësuar nga mediat amerikane si një gjest i rrallë sportiviteti, Vogel i hodhi krahun në mes dhe nisi të shoqëronte me ecje konkurrenten drejt finishin, në vend që të parakalonte dhe të vazhdonte garën e saj deri në fund.
Video e ngjarjes në “youtube” fitoi brenda orëve të para pas publikimit me qindra mijëra klikime, ndërsa e reja që ndihmoi kundërshtaren u përball papritmas me një famë që errësoi edhe emrin e fitueses së garës.