Tragjedia e ndodhur mëngjesin e të premtes në fshatin Mardhnac të Pukës, tronditi mbarë opinionin publik. Një prej të mbijetuarve të kësaj masakre, që pa të vriteshin para syve të tij njerëzit e dashur, rrëfen:
“Përmakajt masakruan familjen time. Në momentin që breshëritë e plumbave goditën mikrobusin, në makinë ndodhej xhaxhai im, Paulini; bashkëshortja e tij me gjithë djalin, unë dhe vëllai im, Alfonsi. Në pritë ishin 5 persona të fisit Përmakaj. Xhaxhai im u plagos rëndë. Ai na tha: ‘Unë po dal nga makina që të vritem, ndërsa ju ikni, shpëtoni’”, tha i mbijetuari Ildi Markaj për “Gazetën Shqiptare”.
Ngjarja
Është zbardhur historia e mëngjesit të së premtes në Pukë, ku si pasojë e një konflikti banal kanë mbetur të vdekur dy vëllezër si dhe janë plagosur dhe tre vetë të tjerë. Mësohet se familja e Paulin Markaj ishte zënë para disa ditësh për motive pronësie me familjen Përmakaj dhe sipas informacioneve Paulini së bashku me bashkëshorten, djalin dhe nipat e tij po ktheheshin në shtëpi, pasi kishin festuar ditën e Shën Palit. Kur ishin vetëm 100 metra larg banesës së vëllait, Hil Markaj, ata u ndeshën me pritën e burrave të fisit Përmakaj, të cilët i qëlluan me breshëri automatiku.
Për pasojë humbi jetën 45-vjeçari Paulin Markaj dhe u plagos bashkëshortja dhe nipi i tij, Alfons Markaj 25 vjeç, ndërsa ka shpëtuar mrekullisht i biri dhe nipi tjetër.
Nga të shtënat e automatikut, ka dalë në oborr të shtëpisë Halili me bashkëshorten e tij, Anxha Markaj, të cilët janë qëlluar nga fqinjët. Plumbat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme Halilit si dhe kanë plagosur rëndë bashkëshorten e tij.
Bilanci tragjik i kësaj vrasjeje të shëmtuar ishte vdekja e dy vëllezërve dhe 3 pjesëtarë të plagosur të familjes Markaj. /alb-observer/