Brazili, mësimi i një vendi që sheh me optimizëm të ardhmen
Të gjithë ata që shkojnë në Brazil për një arsye apo për një tjetër, befasohen me këtë vend dhe arsyet janë të thjeshta: ndryshimet e mëdha.
Deri pak vite më parë, Brazili ishte një nga vendet e pakta me taksën e shkollimit më të ulët dhe me pabarazinë mes të pasurve dhe të varfërve ndër më të mëdhatë në botë. Sot, ekonomia e Brazilit, që nuk është përfshirë aspak nga kriza në të cilën janë zhytur kokë e këmbë shumë vende në botën e zhvilluar, është duke u rritur me përmasa të mëdha dhe më shpejt se ekonomia amerikane. Dallimet mes të pasurve dhe të varfërve janë ngushtuar, ndërkohë që ky fenomen zhvillohet në të kundërtën e tij në vende të tjera. Në dhjetëvjeçarin e fundit, 28 milionë brazilianë kanë arritur që të dalin nga gjendja e varfërisë ekstreme, ndërkohë, nëse do ta krahasojmë me Shtetet e Bashkuara, ky vend po shton gjithnjë e më shumë numrin e të varfërve ekstremë. Brazili po përjeton një paqe të begatë. Vendi ka hequr dorë nga armët bërthamore, ka një bilanc shumë të ekuilibruar dhe borxhin kombëtar në kontroll. Është një vend në thelb gjithnjë e më demokratik, ku mbi të gjitha shtypi është i lirë dhe i pacenueshëm. E si të mos mjaftonin këto, duket se Brazili është i bekuar edhe me nëntokën, kur pesë vjet më parë janë zbuluar rezerva jashtëzakonisht të mëdha nafte. Ndërkohë brazilianët janë gjithnjë e më shpesh në krye të klasifikimeve botërore sa i përket optimizmit të qytetarëve në lidhje me të ardhmen dhe me shpresën se gjërat do të shkojnë mirë.
Nëse do t’i referoheshim ligjësive të “pandryshueshme” që amerikanët dhe europianoperëndimorët vendosën pas përmbysjes së komunizmit, e gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur në Brazil. Dhe jo vetëm sepse Brazili qeveriset nga disa ish-revolucionarë të pavarur, që shpesh kanë kaluar vite të tëra në burg me akuzat e terrorizmit. Por, edhe për faktin se Brazili operon me mënyra krejtësisht jo tradicionale dhe sipas “ekspertëve” perëndimorë, nuk janë në përputhje me një shoqëri të lirë dhe të zhvilluar. Por kjo, gjithmonë sipas këtyre ekspertëve. Në Brazil është shteti ai që drejton tregun. Asnjë brazilian nuk do ta cilësonte iniciativën e lirë në fushën ekonomike një vlerë që është më e shenjtë se shoqëria vetë. Pushteti qendror është shumë më i fortë dhe i pranishëm se ai amerikan. Qeveria shpenzon shumë para për programet që mbështesin të varfrit dhe jo vetëm për t’i mbajtur me bukë, por mbi të gjitha, bëhet fjalë për programe për t’i nxjerrë nga varfëria, përmes shkollimit dhe bërjes së tyre pjesë të shoqërisë. Ndërkohë që shteti është edhe shumë i korruptuar. Një tjetër anë e keqe është kriminaliteti i madh, infrastruktura, e veçanërisht rrugët e vendit që lënë shumë për të dëshiruar, portet që funksionojnë në mënyrë të keqe. E megjithatë, ajo që cilësohet si një nga fuqitë më të mëdha në botë sa i përket edhe rritjes ekonomike ka arritur një rezultat me të vërtetë të shkëlqyer edhe në lirinë politike dhe mbi të gjitha, reduktimin e pabarazive mes shtresave shoqërore. Cili është vallë sekreti i Brazilit?
Brazilia ka dy pallate presidenciale, të dy të realizuar nga arkitekti i madh brazilian, Oscar Niemeyer. Presidentja braziliane, Dilma Rousseff, jeton me të ëmën dhe tezen e saj në Pallatin Alvorada, në bregun e një liqeni dhe punon në Planalto. Kjo është një ndërtesë e jashtëzakonshme, me zyra dhe hapësira të mëdha të brendshme dhe plot dritë. Ajo është një grua që të jep shumë energji pozitive në mënyrë të vazhdueshme. Si pjesa më e madhe e liderëve politikë të vendit është rritur gjatë diktaturës ushtarake që nisi në vitin 1964 dhe përfundoi në 1985. Militante e avangardës së armatosur, ajo ka qenë në burg dhe i është nënshtruar torturave për shumë vjet. Ndërkohë ka përpunuar një mënyrë origjinale për të folur për të shkuarën, duke qenë e sinqertë, pa asnjë keqardhje, edhe pse nuk hapet kurrë për hollësira. Një nga premtimet e saj të mëdha ka qenë çrrënjosja e varfërisë në vend. Ajo ka premtuar se në vitin 2014, të gjithë ata që janë aktualisht në kufirin e varfërisë, do të dalin nga kjo situatë. Ky është një objektiv më shumë ambicioz se ai i luftës kundër varfërisë së shpallur nga presidenti i atëhershëm amerikan, Lyndon Johnson në vitin 1964. Nga shumë politikanë dhe jo vetëm, kjo grua e cila është në krye të Brazilit konsiderohet si një forcë e madhe, edhe pse premtimi i bërë prej saj për varfërinë duket se ka pak shanse që të arrihet brenda afatit të vendosur prej saj. Por gjithsesi, sipas idesë së saj, objektivi ekonomik i një vendi duhet që të ketë për qëllim parësor gjithmonë vetëm përmirësimin e jetës së njerëzve.
Një nga frikërat më të mëdha të Dilmës është ajo e ndalimit të rritjes ekonomike dhe e ngritjes së inflacionit. Brazili kërkon që të zhvillojë një ekonomi dhe strategji në mënyrë që ta tregojë botërisht se është tërësisht imun nga kapriçiot e një vendi të madh si Amerika dhe se politika e saj e pabalancuar nuk do të prekë mirëqenien e Brazilit dhe planet e tij për të ardhmen. Sipas Presidentes, kjo ndodh sepse ekonomia e Brazilit nuk do të drejtohet më nga jashtë, por nga brenda vendit dhe se tashmë, vendi ka në duart e tij instrumente të vetëvendosjes, që në të shkuarën ishin në duart e të pasurve dhe të një klase të caktuar politike.
Por në Brazil, jeta politike sillet e tëra përtej një figure të shquar politike dhe, nuk bëhet aspak fjalë për Presidenten aktuale të vendit, por për ish-presidentin dhe mentorin e Dilmës, Lula Da Silva. Në fakt, në Brazil, si dhe në pjesën më të madhe të botës, njihet me emrin e shkurtuar Lula. Kur la detyrën, në vitin 2011, ai ishte njeriu që shënoi një rekord të jashtëzakonshëm, me 80 për qind popullaritet edhe pas dy mandatesh presidencialë. Ky popullaritet nuk është vënë re në asnjë vend tjetër më parë. Gjatë qeverisjes së tij, Dilma ishte një lloj kryeministreje e vendit dhe të gjithë e shihnin si pasuesen e Lulës. Ajo ishte përgjegjëse për të gjitha politikat qeveritare, si dhe për emërimet e shefave të kabinetit. Nëse sot ajo është Presidente, është sepse Lula e donte një gjë të tillë dhe ky rekomandim ishte i parefuzueshëm nga populli me të cilin Lula arriti që të krijonte një marrëdhënie jashtëzakonisht miqësore. Ai thotë se gjithmonë e ka dashur demokracinë e drejtpërdrejtë dhe për këtë, gjatë gjithë mandatit, ka bërë mijëra vizita dhe takime në të gjitha cepat e vendit me njerëz të thjeshtë. Lula thotë se janë të pakta qeveritë të cilat praktikojnë këtë lloj demokracie si në Brazil. Ai thotë se të gjitha temat e mëdha i ka diskutuar më parë në nivel lokal dhe më pas, duke marrë më të mirën e mendimeve të njerëzve të thjeshtë ka shkruar ligje, që duket se edhe për këtë arsye kanë funksionuar më së miri. Në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare ai thotë se gjatë presidencës së tij zbuloi se liderët politikë janë shumë xhelozë për njëri-tjetrin e megjithatë, sipas tij, suksesi i madh është pragmatizmi dhe lidhja e shëndetshme me vende dhe rajone të ndryshme. Ish-presidenti Lula Da Silva thotë se kërkoi që të forcoheshin lidhjet me Rusinë, Kinën, vende të ndryshme të Lindjes së Mesme, por pa prishur ndërkohë marrëdhëniet ekzistuese me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Europën. Sipas tij, gjetja e miqësive dhe partnerëve të rinj nuk duhet që të shkatërrojë lidhjet e vjetra.
Ndërkohë Brazili po përgatitet dhe zbukurohet edhe për disa evente ndërkombëtare, në të cilat kërkon që të shpalosë gjithë shkëlqimin e rilindjes së tij. Ato janë takimi i G20-s në qershor dhe më pas Botërori i Futbollit në vitin 2014, si dhe Olimpiada në vitin 2016. Për këto sfida po përgatiten të gjithë dhe tashmë, me optimizmin që karakterizon këtë shoqëri, nuk ka dyshim që ato do të dalin me sukses.
Gazeta "Shqip"