Dy incidente të ndara kanë ndodhur sot në Sarandë, ku kanë mbetur të plagosur 2 maturantë, të cilët kishin ardhur për ekskursion me shkollën.
Plagoset maturanti, rrihet brutalisht
Në njërin prej incidenteve një maturant është sulmuar dhe rrahur në dalje të një diskoteke, duke mbetur i plagosur.
Mësohet se 18-vjeçari, Egli Roci, i cili kishte shkuar për ekskursion me shkollën në Sarandë dhe është goditur me mjete të forta nga disa persona të paidentifikuar.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit në një prej diskove të qytetit ku kishte qenë edhe i riu, i cili u sulmua.
Policia bëri të ditur se 18-vjeçari është në gjendje të rëndë dhe është transportuar në Tiranë. Ndërkaq vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
17-vjeçari humb kontrollin në gjendje të dehur dhe bie nga kati i 4
Në incidentin tjetër, një 17-vjeçar, i cili kishte shkuar në Sarandë për ekskursion me shkollën është hedhur nga kati i katërt i një hoteli në Ksamil.
Sipas policisë i riu me inicialet F.N është nga fshati Bubullimë i Lushnjës.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, adoleshenti, i cili ndodhet në gjendje kome, pasi ka qëndruar për disa orë në spitalin civil të Sarandës është dërguar me urgjencë në mëngjes drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Burime zyrtare të Spitalit Ushtarak tregojnë se i riu ndodhet aktualisht në gjendje kome të thellë me pak shpresa për të mbijetuar.
Mësohet se i riu gjatë momentit fatal mendohet të ketë qenë nën efektin e drogave të forta që mund ta kenë çuar atë në vetëvrasje. /A.Peçi/