Një avokate, që nuk është myslimane, veshi hijab-in tradicional mysliman në një gjykatë ushtarake. Cheryl Bormann, 52 vjeç, përfaqëson Walid bin Attash në gjyqin që ka nisur ndaj pesë të burgosurve të Guantanamo Bay, që akuzohen për sulmet e 11 Shtatorit.
Bormann tha se klienti i saj i kishte kërkuar që të kishte veshjen e përshtatshme. Ai insistoi se edhe femrat e tjera në sallë duhet të kenë një veshje të përshtashme.
Duke folur për Fox News, Bormann tha se gjithmonë vesh hijab kur është pranë klientit të saj.
Por veshja e saj nuk është i vetmi moment kontrovers në gjyqin e shumpërfolur.
Personi i vetëshpallur si mendja që përgatiti sulmin, Khalid Sheikh Mohammed, refuzoi të përgjigjej ndaj pyetjeve të gjykatësve. Avokati i tij tha se ai nuk beson tek ndershmëria e procedurave.
Ndërkohë një tjetër i paditur, Ramzi Binalshibgh, ra në gjunjë në gjykatë dhe nisi të falej për disa minuta. Ndërkohë rojet e vëzhgonin nga afër.
Mohammed dhe të akuzuarit e tjerë mund të përballen me dënimin me vdekje.
Mbi ta rëndojnë shtatë akuza, duke nisur që nga sulmet e vitit 2001 që lanë 2.976 të vdekur.