Martesat me minorene, rekord në Marok, 34 mijë në vit
Martesat në moshë të vogël duket se i kishim lënë shumë vite pas. Por nga Maroku vijnë shifrat më alarmante për këtë fenomen. Sipas organizatave ndërkombëtare, gjatë vitit 2010 në këtë shtet janë regjistruar 34 mijë martesa të tilla. Vajza kanë qenë të moshave 9, 10, apo 12 vjeçe. Pavarësisht futjes në vitin 2005 të Kodit të Familjes, çështja është bërë objekt i debatit në forumet ndërkombëtare dhe ende nuk vihet re sensibilizim i popullsisë.
Në vitin 2008 u regjistruan 30.685 raste të martesave të minoreneve, në vitin 2009 u regjistruan 33.253 raste për të arritur në shifra gjithnjë e në rritje ku në vitin 2010 arriti shifrën 34 mijë.
Fenomeni i “nuseve” në moshë të mitur nuk janë shqetësuese vetëm në Marok. Sipas statistikave të OKB-së, janë më shumë se 60 milionë minorene që martohen në mbarë botën.
Duke ju privuar fëmijërinë këto gra rriten pa edukim dhe shumë shpejt bëhen nëna që kanë përsipër rritjen e fëmijëve. Nën moshën 15 vjeçare është shumë e rrezikshme sjellja në jetë e një fëmije, prandaj këto minorene humbin jetën në shumicën e rasteve. Edhe në qoftë se ato nuk vdesin pasojat shpesh janë shkatërruese për trupin e tyre. Iniciativa Globale Klinton ka futur kohët e fundit një partneritet të ri global për të ndalur këtë feonme, por sërish në mbarë botën janë miliona minorene që nuk jetojnë fëmijërinë.