Për një arsye të pashpjegueshme, është në kodin gjenetik të diktatorëve që të përpiqen të bëjnë të parealizueshmen të mundur dhe sa më i vogël të jetë vendi që ata drejtojnë, aq më e madhe qëllon të jetë ëndrra pas të cilës ata i rendin, pavarësisht kostove dhe vuajtjeve të pabesueshme të popullit të tyre.
Ndodh kështu me Korenë e Veriut sot, një vend ku tre milionë nga 25 milionë banorët e vendit janë të kërcënuar direkt nga uria, por që shpenzon shuma të pabesueshme për programin e tij bërthamor dhe për të dërguar satelitë në hapësirë.
Më përpara, Shqipëria komuniste gjithashtu shpenzonte resurse të pabesueshme duke “mbjellë” kudo përgjatë vendit qindra mijëra bunkerë.
E njëjta histori vlen edhe me Zambian, një shtet i vogël dhe i varfër i ndodhur në Afrikën sub-sahariane, që në kulmin e Luftës së Ftohtë, vendosi të sfidonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Sovjetik nëpërmjet një programi hapësinor “ambicioz”.
Në vitin 1964, lideri i vendit themeloi programin që do të bënte të mundur një lavdi të përjetshme për vendin, duke bërë që flamuri i Zambias të ishte i pari që do të vendosej në Mars (asokohe, ende njeriu nuk kishte arritur të mbërrinte në Hënë dhe Marsi mbetet i pacënuar edhe sot).
12 austronautë nisën të stërviteshin në mënyrë të përditshme, duke u shndërruar në heronj të vendit, që formoi një ekip shkencëtarësh nga hiçi.
Pjesë e stërvitjes së “sofistikuar” ishte atëherë edhe lëshimi i austronutëve, brenda një fuçie, nga një majë kodre në një të tatëpjetë të gjatë shtatë kilometra, që do t’i ndihmonte ata të përjetonin efektin e mungesës së gravitetit, me të cilin do të përballeshin kur të udhëtonin në planetin Mars.
Siç ishte e parashikueshme, projekti absurd përfundoi në mënyrën më qesharake të mundshme dhe mbi rënojat e atëherë qendrës hapësinore dhe anijeve kozmike që ndërtoheshin, një fotograf spanjoll improvizoi sërisht programin e çmendur hapësinor të Zambias.