Në foto: Ish-zv/drejtori i DPM-së Roland Çelmete
Flamur Vezaj
Task-Forca e prokurorisë së Tiranës mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq me cilësinë e të pandehurve gjashtë ish-zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë me në krye zv/drejtorin Roland Çelmeta për akuzat e “vjedhjes”; “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, sipas të cilëve, prokurorët Sotir Kllapi dhe Adriano Dyrmishi, përfunduan fazën hetimore ndaj 6 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Sipas kërkesës për gjykim, që “Shekulli” disponon një kopje, mësohet se gjashtë zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë (DPM-së) në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në kohë të ndryshme, përfitonin shuma parash nga subjektet private, duke u shtirur si inspektor edhe pse nuk ishin të ngarkuar me atë detyrë. Mësohet se gjithçka ka nisur pas zbulimit të një inspektoreje, e cila dy ditë pasi kolegët e saj, e kishin “vizituar” një subjekt privat, ku kundrejt një shume prej 2500 lekësh kishin vendosur pulla false për kualidimin e njësive matëse që ndodheshin pranë këtij aktivitetit.
Me të zbuluar këto pulla dhe mandat pagesat (false), inspektorja është drejtuar në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Metrologjisë, duke e vënë në dijeni, për faktin se disa persona mblidhnin detyrimet e bizneseve në emër të institucionit të tyre. I ndodhur në këto kushte, titullari i institucionit i drejtohet Prokurorisë, duke kallëzuar penalisht këta abuzues, pa ditur që ata ishin vartësit e tij. “Persona të paautorizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, kanë abuzuar në emër të kësaj drejtorie duke u prezantuar si inspektor të saj dhe kanë përfituar tarifa të ndryshme nga subjekte të ndryshme, gjoja për kualidimin e njësive matëse që dispononin pranë aktivitetit të tyre”, – thuhet në kallëzimin, mbi bazën e të cilit janë arrestuar dhe izoluar brenda ambienteve të shtëpisë të gjashtë zyrtarët e kësaj drejtori.
Gjatë hetimeve të kryera, sipas prokurorisë, është provuar se të pandehurit, varnin në qafë dokumentet e tyre të punës dhe paraqiteshin nëpër subjekte të ndryshme, duke përfituar shumat që këto subjekte duhet të paguanin për kualidimin e matësve të aktivitetit të tyre. Pasi përvetësonin parat, vendosnin në këto matësa pulla të vitit të kaluar, i dorëzonin një kopje të mandat pagesës (jo faturë tatimore) që ishte i falsifikuar. “Personi i parë i zbuluar nga prokuroria që abuzonte në emër të institucionit (edhe pse nuk ishte i ngarkuar për këtë detyrë), ishte shoferi i kësaj drejtori, i pandehuri Sokol Lami i cili në bashkëpunim me metrologun Kristaq Thanasi prej kohësh përvetësonin shumat e parave që merrnin nga subjektet e biznesit, pa i deklaruar në institucion.
Pas zbulimit të tyre, prokuroria me metoda speciale vazhdoi hetimin ndaj tyre, ku fal përgjimeve telefonike u zbulua edhe zv/drejtori i DPM-së i pandehuri Roland Çelmeta. Ky i fundit, kundrejt një shume parash, së bashku me të pandehurit Kristaq Thanasi dhe Moisi Musabelliu kanë përpiluar dokumente fiktive të një peshoreje në portin e Durrësit, me kërkesë të një biznesmeni të njohur të hidrokarbureve.
Përveç këtij rasti, zv/drejtori Çelmeti është implikuar edhe në një rast abuzimi në një pikë karburanti në Bubq, në Ndroq së bashku me të pandehurin Armand Xhika. Edhe e pandehura Dhurata Merlika, është identifikuar dhe provuar se abuzonte në emër të institucionit duke përfituar shuma të ndryshme. Të gjashtë të pandehurit kanë pranuar akuzat, duke shprehur pendesë për veprimet e tyre. Ndërkohë, zbulueshmëria e këtyre rasteve abuzive, mësohet se është provuar fal edhe ndihmës së dy ish-kolegëve të gjashtë të pandehurve.
TË PANDEHURIT:
Roland Çelmeta, zv/drejtori i përgjithshëm pranë DPM-së, akuzohet për “Vjedhje” duke shpërdoruar detyrën, ndodhet në “arrest shtëpie”
Kristaq Thanasi, me detyrë metrolog pranë DPM-së, akuzohet për “Vjedhje” duke shpërdoruar detyrën, ndodhet në “arrest shtëpie”
Armand Xhika, inspektor i degës së DPM-së në Tiranë, akuzohet për “Vjedhje” duke shpërdoruar detyrën, ndodhet në “arrest shtëpie”
Dhurata Merlika, me detyrë Metrologe pranë DPM-së, akuzohet për “Vjedhje” duke shpërdoruar detyrën, ndodhet në “arrest shtëpie”
Moisi Musabelliu, drejtor i Metrologjisë dega Tirane, akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndodhet në “arrest shtëpie”
Sokol Lami, shofer pranë DPM-së, akuzohet për “Mashtrim” të kryer më shumë se një herë në bashkëpunim, ndodhet në “arrest shtëpie”