Një masakër e vërtetë ka tronditur kryeqytetin maqedonas Shkup. Pesë persona, të moshës së mitur, janë zbuluar të vrarë në afërsi të liqenit të Hekuranës në Shkup. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se të vrarët janë që të gjithë janë të nacionalitetit maqedonas.
Trupat e pajetë janë gjetur në afërsi të dy veturave, ndërsa janë zbuluar nga peshkatarë 30 minuta para orës 22 të natës së mbrëmshme. Aty pranë në liqenin e fshatit Smillkovski të Shkupit, janë vërejtur njolla gjaku dhe gëzhoja dhe sipas informacioneve të para nga policia bëhet fjalë për një vrasje.
Forca të shumta policie janë angazhuar në një hetim intensiv mbi këtë krim të rëndë ndërkohë që nuk ka asnjë deklaratë paraprake mbi këtë ngjarje të rëndë, nëse kjo ka lidhje me ndonjë përplasje të mundshme mes nacionaliteteve apo mund të jetë një krim me motive të tjera.
As zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe as organizatat politike e qytetare nuk janë nxituar të bëjnë deklarata mbi këtë ngjarje. Javët e fundit qytete shqiptare në Maqedoni u kthyen në arenë të sulmeve të dhunshme ndaj fëmijëve shqiptarë, duke krijuar një klimë tensioni në marrëdheniet mes dy entive. Megjithatë nuk ka asnjë të dhënë, qoftë edhe abuzive, që ta lidhë këtë krim me motive nacionaliteti.
Sipas burimeve të portalit “Zhurnal” nga lagjja Radishan, gjendja në këtë vendbanim është tejet e tensionuar. Grupe të rinjsh maqedonas thuhet se po qarkullojnë të organizuar nëpër mëhallët shqiptare dhe po demolojnë veturat e banorëve,
ndërsa të dëmtuara janë edhe disa shtëpi. Gjendje e tensionuar mbretëron sidomos në mëhallën ku ndodhet stacioni i fundit i autobusit nr. 57.
“Ne jemi në Radishani në afërsi të autostradës që çon për Kumanovë. Kemi parë dy grupe të maqedonasve të organizuara nga 15-20 vetë, të cilët kanë thyer disa vetura tona dhe kanë goditur dyert e shtëpive. Ne kemi kërkuar nga policia të sillen përforcime, por deri më tani nuk ka asgjë, sepse ata si duket janë koncentruar në rrugën për në Rashtak”, thotë një banor shqiptar i Radishanit, emri i të cilit është i njohur për redaksinë.
Ndërkohë, kryetari i Bashkësisë Lokale të Lubetenit, Baki Alimi, ka informuar gjithashtu se disa shtëpi të pronarëve shqiptarë në hyrje të këtij fshati janë në rrezik.
“Ne kemi kontaktuar me banorët e atyre shtëpive dhe kanë pohuar se situata është e tensionuar. Në fshatin Lubeten deri më tani është qetë, por i kemi apeluar qytetarët që të mos dalin në rrugë dhe të mos shkojnë rrugës për në Butel. Ne apelojmë tek të gjithë banorët e Lubetenit dhe të Radishanit që të mos bien pre e provokimeve, por kuptohet se nuk do të lejojmë që edhe të cenohet prona e asnjë shqiptari”, tha Alimi. (F.K)
...................................................
Banorët e Radishanit i djegin vilën një shqiptari
14:10
Banorët e Radishanit kanë djegur vilen e një qytetari shqiptar të locuar në afërsi të kësaj lagje. Portali “Zhurnal” ka verifikuar rastin përmes burimeve të saj, të cilat bëjnë të ditur se vila është në pronësi të një shqiptari nga lagjja Gazi Babë.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se ende nuk janë në dijeni të rastit.
....................................................
Banorët maqedonas të Radishanit dhe fshatrave përreth bllokojnë Lubotenin
13:05
Banorët maqedonas të Radishanit dhe fshatrave përreth kanë bllokuar fshatin Luboten dhe nuk lejojn hyrje daljet në këtë fshatë shqiptarë. Raportohen se banorët maqedonas kanë sulmuar me gurë një shtëpi dhe kanë thyerë dy vetura. Policia është në teren dhe thotë se e ka nën kontrollë situatën. Banorët shqiptarë të Lubotenit janë të shetësuar për situatën e krijuar. E gjithë kjo pason pas lajmit për vrasjen e 5 personave mbrëmjen e djeshme në afërsi të këtyre vendbanimeve.