Enkelejtë ishin fis ilir, banorë të trevës së liqenit Lihnid (i Ohrit). Qyteti Enkelana, vendi i të cilit ende nuk është përcaktuar, duhet të lidhet me këtë fis.
Burimet historike i quajnë njëkohësisht enkelejtët edhe si banorë pranë gjirit të Rizonit (në grykën e Kotorit). Përmenden në shekullin VI-V p.e.r. lidhur me ngjarjet historike si strehimi i Kadmit e Harmonisë që vijnë këtu nga Teba, dhe grabitja e tempullit të Delfit në shekullin VI p.e.r.
Nuk përmenden më në shekullin IV p.e.r., kur në vendin e tyre në ngjarjet e kohës e zënë dasaretët. Në historiografi u është dhënë një rol më i madh ngase dëshmohet prej të dhënave historike.
Enkelejtët shquheshin si peshkatarë e konservues të zotë të peshkut.