Problemi i prejardhjes dhe i rrugës së formimit të trungut etnik ilir me veçoritë e tij gjuhësore e kulturore, ka përbërë një nga synimet më kryesore të ilirologjisë. Rreth këtij problemi janë shfaqur pikëpamje të ndryshme, të cilat ndriçojnë në mënyrë të mjaftueshme gjithë këtë proces të ndërlikuar etnogjenetik. Kërkimet komplekse arkeologjike, gjuhësore dhe historike të kohëve të fundit e kanë vendosur atë mbi një bazë më të shëndoshë dhe e kanë futur në një rrugë më të drejtë zgjidhjeje. Sado të ndryshme që mund të paraqiten nga forma, teoritë mbi prejardhjen e ilirëve shprehin në përmbajtje vetëm dy pikëpamje, e para i konsideron ilirët si të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ndërsa pikëpamja e dytë i konsideron si popullsi autoktone e formuar në truallin historik të Ilirisë.
Midis teorive që i quajnë ilirët të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ka mospërputhje si përsa i takon vendit nga vijnë, ashtu edhe kohës së ardhjes së tyre. Disa e lidhin përhapjen e tyre me kulturën e Halshtatit, të tjerë me kulturën e Fushave me Urna, apo me kulturën Luzhice. Sipas tyre, në kapërcyell të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. ilirët morën pjesë në lëvizjet e popujve që njihen me emrin dyndja dorike, egjeane ose panono-ballkanike dhe duke zbritur nga Evropa Qendrore, në fillim të epokës së hekurit, u ngulën në Gadishullin Ballkanik në trojet e tyre historike.
Pikëpamje më e re është ajo që e konsideron kulturën ilire si një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit e epokës së hekurit.
Kjo tezë e zhvillimit të pandërprerë të kulturës, që jep mundësi të flitet edhe për një zhvillim të pandërprerë etnik, gjen prova të shumta në territorin historik të ilirëve, sidomos me zbulimet e bëra në truallin e Shqipërisë në vendbanimin e Maliqit dhe në varrezat tumulare të Pazhokut, të Vajzës, të Matit etj, kurse jashtë Shqipërisë, në varrezat tumulare të pllajës së Glasinacit Bosnjë e gjetkë. Përballë këtyre zbulimeve bëhet fare e paqëndrueshme teza që e lidh etnogjenezën e ilirëve me kulturën e Halshtatit ose me bartësit e kulturës së fushave me urna. Trualli i kësaj kulture të fundit nuk mund të lidhet në asnjë mënyrë etnikisht me ilirët. Duke krahasuar truallin e kulturës së fushave me urna me atë të kulturës së mirëfilltë ilire Mat-Glasinac në rajonin qendror të Ilirisë, vihen re ndryshime thelbësore si në kulturën materiale, qeramikë, objekte metalike etj, ashtu edhe në kulturën shpirtërore, që ka një rëndësi të veçantë në përcaktimin etnik të një popullsie. Trualli i Panonisë ndjek mënyrën e varrimit me djegie duke vendosur mbeturinat e saj në vazo të veçanta urna, ndërsa ai i Matit dhe i Glasinacit, varrimin në tuma kryesisht me vendosje kufome. Këto ndryshime në kulturë i veçojnë panonët si një grup etnik më vete që dallohet nga ai i ilirëve. Përveç kësaj të dhënat arkeologjike kanë treguar se dyndjet panono-ballkanike, dorike dhe egjeane nuk e përfshinë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe si pasojë nuk shkaktuan ndryshime dhe zhvendosje të theksuara të ilirëve. Kjo shihet qartë sidomos në territorin e Shqipërisë, ku materialet arkeologjike të kësaj kohe, flasin jo për ndërprerje në zhvillimin autokton të kulturës, por për një vazhdimësi të saj që nga epoka e hershme e bronzit, pavarësisht se disa shfaqje të reja në prodhimin metalurgjik, të shek. XI-IX p.e.sonë, mund të lidhen me ndikimet kulturore të ardhura përmes dyndjeve nga veriu. Ky zhvillim i pandërprerë kulturor në territorin shqiptar shfaqet akoma më mirë në qeramikë, e cila është një tregues i rëndësishëm në përcaktimin etnik dhe kulturor të përdoruesve të saj. Qeramika e kësaj kohe zhvillohet në tërë truallin ilir mbi bazën e poçerisë më të hershme të epokës së bronzit, pa pasur ndonjë ndryshim në kohën e kalimit nga epoka e bronzit në atë të hekurit, dhe duke e ruajtur këtë traditë autoktone të paktën deri në shek. VI p.e.s., kur historikisht dihet se këto krahina banoheshin nga bashkësi të qëndrueshme fisnore ilire.
Të gjitha këto të dhëna arkeologjike, të grumbulluara në pesëdhjetë vjetët e fundit në territorin e Shqipërisë, së bashku tregojnë se etnogjeneza ilire nuk duhet parë në asnjë mënyrë në lidhje me ardhjen e një popullsie nga veriu i Ballkanit, por si një proçes historik shumë i gjatë dhe i ndërlikuar autokton. Ky proçes fillon shumë kohë përpara këtyre dyndjeve (dorike, egjeane dhe panono-ballkanike) dhe konkretisht me dyndjen e madhe të periudhës kalimtare nga neoliti në epokën e bronzit, që përfshin treva të gjera të Evropës dhe të Azisë, duke sjellë me vete ndryshime të dukshme etnike në Evropën neolitike.
Kjo dyndje e cilësuar indo-europiane, që ndodhi në kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë, u krye nga grupe të ndryshme popullsish baritore të ardhura nga stepat e Lindjes. Është provuar arkeologjikisht se ajo nuk u bë menjëherë, por valë-valë dhe se krahinat perëndimore të Ballkanit, midis tyre dhe territori i Shqipërisë u prekën prej saj më vonë se sa ato lindore.
Gjatë kësaj dyndjeje grupe të ndryshme kulturore të Evropës u zhdukën pa lënë gjurmë, të tjera u përzien me popullsitë migratore, të cilat u imponuan me këtë rast vendasve gjuhën, kulturën, dhe në një farë mase edhe zakonet e veta. Kështu ndodhi, p.sh. me kulturat neolitike të Vinçes, të Butmirit, të Lisiçi-Hvarit në territorin e Jugosllavisë, të cilat u zëvendësuan me kulturat e reja Kostalace, Vuçedole etj; e njëjta gjë ndodhi edhe me kulturën neolitike të Maliqit, e cila u zëvendësua nga një kulturë më e ulët e karakterizuar me qeramikën e saj trashanike, që i atribuohet pikërisht kësaj dyndjeje.
Në proçesin e shtjellimit të këtyre ngjarjeve dhe të përzierjeve etnike dhe kulturore të popullsive neolitike vendase, para-indoeuropiane, ose sipas disa studiuesve, indoeuropiane të hershme, me ardhësit e rinj indoeuropianë të stepave u formua edhe baza mbi të cilën nisën të zhvillohen në kushte të veçanta edhe proçeset etnogjenetike të popullsive të vjetra historike të Ballkanit Perëndimor, rrjedhimisht dhe procesi i formimit historik të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera fqinje jo ilire. Në këtë proçes, i cili u zhvillua gjatë gjithë mijëvjeçarit të dytë p.e.s., diferencimi dhe asimilimi i popullsive, ashtu sikurse dhe lidhjet ekonomike e kulturore, luajtën një rol të rëndësishëm. Në qoftë se në periudhën e hershme të epokës së bronzit, kultura e territoreve perëndimore të Ballkanit, ishte shumë larg për t’i dhënë asaj karakter të përcaktuar ilir, të dallueshëm prej atyre të territoreve të tjera, ky diferencim i tipareve kulturore vjen e bëhet gjithnjë më i theksuar në periudhën e mesme të bronzit dhe veçanërisht në periudhën e fundit të epokës së bronzit. Në rrugën e këtij zhvillimi të brendshëm, territoret jugore të kësaj treve ishin të kthyera më tepër me fytyrë drejt jugut, nga bota e përparuar e Egjeut, me të cilën qenë në marrëdhënie të ngushta ekonomike e kulturore. Veriu, përkundrazi, shfaq prirje drejt Evropës Qëndrore, por me lidhje më të dobëta me të. Këto lidhje ndikuan sadopak në formimin dhe në diferencimin në fund të epokës së bronzit dhe në fillim të epokës së hekurit të dy grupeve të mëdha kulturore ilire, grupit jugor dhe verior.
Kështu duke zënë fill në kapërcyell të epokës së bronzit, proçesi i formimit të etnosit ilir përshkon në mijëvjeçarin e dytë rrugën e gjatë të diferencimit nga masa e pasigurt etnike që u formua pas shkatërrimit të botës neolitike dhe përfundon nga fundi i këtij mijëvjeçari. Si e tillë, kjo epokë krijon në pjesën perëndimore të Ballkanit atë substrat etno-kulturor, mbi bazën e të cilit formohet më vonë etnosi dhe kultura ilire. Bartësit e këtij substrati mund të identifikohen me atë popullsi parailire, që në burimet historike njihet si Pellazge.
Pavarësisht nga kjo hipotezë për parailirët, thelbësor është fakti se në fund të epokës së bronzit, në pjesën perëndimore të Ballkanit ishte formuar një bashkësi e gjerë kulturore dhe etnike, e cila në epokën e hekurit në bazë të zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror, do të vazhdonte të zhvillonte më tej kulturën e vet duke i dhënë asaj një fytyrë gjithnjë më të përcaktuar etnike. Kjo është dhe periudha e formimit të plotë të bashkësisë së madhe ilire dhe të grupeve të veçanta etnokulturore, të cilët përmenden nga autorët më të hershëm antikë.
Trualli i ilirëve
Sipas burimeve historike, nocioni ilir - Iliri, ka pasur gjatë historisë së vet një kuptim disi të ndryshëm gjeografiko-historik.
Me emrin ilir në fillim njiheshin vetëm krahinat jugore të ilirëve. Këtu banonin sipas burimeve më të vona letrare edhe ilirët e mirëfilltë, siç i quan ata historiani romak, Plini Plak. Ky emër u shtri gradualisht prej grekëve edhe në vise të tjera të njohura më vonë prej tyre, popullsitë e të cilave, pavarësisht nga veçoritë e zhvillimit të tyre lokal, paraqitnin elemente të një trungu të përbashkët etno-kulturor.
Në kohën e historianit grek Herodotit (shek. V p.e.sonë), emri ilir shtrihej mbi një territor mjaft të gjerë, i cili arrinte në lindje deri tek rrjedhja e lumit Moravë. Një shekull më vonë, sipas Pseudo-Skylaksit, ky emërtim do të përfshinte territore akoma më të gjera në veriperëndim të Ballkanit. Sipas tij ilirët shtriheshin përgjatë Adriatikut duke filluar që nga liburnët në veri e deri tek kufijtë e Kaonisë në jug. Përhapjen më të madhe dhe përfundimtare të emrit dhe të territorit ilir, na e jep Apiani i Aleksandrisë, i cili duke përmbledhur gjithë sa ishte thënë përpara tij mbi topografinë e ilirëve, shkruante: “grekërit quanin ilirë ata që banonin mbi Maqedoninë dhe Trakinë, që nga kaonët dhe thesprotët deri tek lumi Istër. Dhe kjo është gjatësia e vendit, ndërsa gjerësia prej maqedonëve dhe thrakëve malorë tek paionët deri në Jon dhe në rrëzë të Alpeve”.
Nga studimet më të reja të mbështetura jo vetëm në burimet e shkruara historike, por edhe në të dhënat arkeologjike si dhe në ato gjuhësore, rezulton se trualli historik i ilirëve përfshinte tërë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedhja e lumenjve Morava e Vardari në lindje, e deri në brigjet e Adriatikut e detit Jon në perëndim, që nga lumi Sava në veri, e deri tek gjiri i Ambrakisë në jug, pra deri në kufijtë e Helladës së vjetër. Burimet historike dhe ato arkeologjike e gjuhësore dëshmojnë për praninë e ilirëve edhe jashtë trevës historike të tyre. Grupe të tëra ilirësh, midis tyre mesapët dhe japigët u vendosën në Itali përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe në krahinat jugore të Italisë.
Në Azinë e Vogël u shpërngulën grupe popullsish dardane, paionë, të cilët do të përmenden edhe në eposin homerik si pjesëmarrës, përkrah trojanëve në luftën e tyre kundër grekëve. Prania e elementit etnik ilir është vërtetuar arkeologjikisht nga burimet e shkruara edhe në rajonet veriore të Maqedonisë e të Greqisë, si në Akarnani e në Etoli. Të gjitha këto lëvizje grupesh etnike ilire përtej trevës historike të tyre ndodhën, siç mund të provohet dhe arkeologjikisht, kryesisht gjatë dyndjes së madhe panono-ballkanike, e cila siç dihet fillon të vërshojë në drejtim të jugut që në fund të shek. XIII-XII p.e.sonë. Meqënëse fatet e tyre historike, në trojet e reja ku ato u vendosën, janë thuajse krejt të ndara nga bota e mirëfilltë ilire-ballkanike, këto grupe të emigruara nuk do të përfshihen në shqyrtimin e mëtejshëm të historisë ilire.
Fiset me te rendesishme
Në shekujt e parë të mijëvjeçarit të fundit para erës sonë ishin formuar tanimë bashkësitë fisnore ilire dhe në përgjithësi ata kishin zënë vend në trojet e tyre historike. Ndër fiset më të hershme ilire që luajtën dhe një rol ku më shumë e ku më pak të rëndësishëm në ngjarjet historike të mëvonshme, për t’u përmendur janë: thesprotët, të cilët zinin ultësirën bregdetare që nga gjiri i Ambrakisë e deri tek lumi i Thiamit Kalama, në veri të tyre vinin kaonët, vendbanimet e të cilëve arrinin deri tek malet e Llogorasë dhe gryka e lumit Drinos. Molosët banonin në pllajën pjellore të Janinës. Gjatë luginës së Vjosës në të majtë banonin amantët, ndërsa në të djathtë bylinët, kurse në rrjedhjen e sipërme të Vjosës banonin parauejtë. Në lindje të bylinëve shtrihej territori i atintanëve. Taulantët shtriheshin në zonën bregdetare nga Vjosa e deri tek lumi i Matit dhe në veri të tij, përgjatë brigjeve të Adriatikut të Mesëm, fisi i ardianëve. Në viset e Ballkanit Qendror dy ishin fiset më të mëdha dhe më të rëndësishme ilire: paionët në luginën e mesme të Vardarit, dhe dardanët që banonin në rrafshin e Kosovës, të cilët shtriheshin në veri në tokat midis degëve jugore e perëndimore të Moravës deri aty ku këto bashkohen për të formuar Moravën e Madhe. Midis fiseve të hershme të Ballkanit Veriperëndimor ndër më të fuqishmit ishin liburnët, të cilët banonin në bregdet dhe në ishujt deri tek lumi Kërka, në jug të tyre vinin dalmatët, kurse në viset e Bosnjës së brendshme, autariatët. Përveç këtyre fiseve, në territorin e gjerë të Ilirisë do të shfaqen më vonë, në rrethana krejt të reja historike e politike, edhe një numër i madh bashkësish të tjera ilire, midis të cilave edhe bashkësi të tilla që do të kenë një peshë të madhe në zhvillimin e ngjarjeve politike të shtetit ilir, si enkelejtë, dasaretët etj. Përhapja e fiseve më të rëndësishme e të hershme ilire dëshmohet në burimet e autorëve antikë, të cilat në mjaft raste janë, megjithatë, të fragmentuara, madje dhe kontradiktore. Rrjedhimisht në përcaktimin e topografisë së fiseve ilire ka edhe raste të diskutueshme.
Vendbanimet ilire në kohën e hekurit
Ilirët e kohës së hekurit jetonin në fshatra dhe në vendbanime të fortifikuara. Fshatrat ilire nuk njihen dhe aq mirë për arsye se nuk janë gjurmuar në mënyrë të mjaftueshme. Në burimet e shkruara ato dokumentohen nga fundi i kësaj periudhe, në fiset më jugore ilire, nëpërmjet Pseudo-Skylaksit, i cili thotë se kaonët, thesprotët dhe molosët banonin në fshatra. Ky njoftim i shkurtër, që me sa duket i referohet një burimi më të hershëm, nuk ndihmon shumë për të krijuar një ide të qartë mbi karakterin e këtyre vendbanimeve.
Me sa mund të gjykohet nga të dhënat arkeologjike, vendbanimet fshatare ilire të kësaj kohe formoheshin nga grupe shtëpish të grumbulluara sipas njësive shoqërore që përfaqësonin, d.m.th. mbi bazën e një familjeje të madhe patriarkale ose të një grupi familjesh të tilla, që i përkisnin një vëllazërie. Një mendim të tillë e sugjerojnë, të paktën për vendbanimet respektive të tyre, varrezat tumulare të Matit, të cilat përbëhen nga grupe të vogla tumash, të vendosura në tarraca, në luadhe e në toka buke gjatë luginës së lumit. Po kjo gjë përsëritet edhe në tumat e Kukësit, ato të pellgut të Korçës, të luginës së lumit Drinos e gjetkë. Edhe vendbanimet fshatare të gjurmuara në luginën e Vjosës japin të njëjtën tablo. Në të gjitha rastet ato paraqiten si vendbanime të vogla e të shpërndara pranë tokave bujqësore.
Bujqësia e blegtoria ilire në kohën e hekurit
Burimet e shkruara dhe ato arkeologjike dëshmojnë se, gjatë kësaj periudhe, ilirët merreshin si edhe më parë kryesisht me bujqësi dhe me blegtori. Bujqësia u zhvillua sidomos në zonat fushore dhe në përgjithësi në krahinat pjellore të vendit. Ilirët kultivonin në këtë kohë të gjitha llojet e drithërave. Jo rastësisht, krahina të veçanta ilire, si Paionia dhe Thesprotia, përmenden që në eposin homerik si vende frytdhënëse dhe pjellore, d.m.th. të përshtatshme për kulturat bujqësore. Hesiodi, shkrimtar grek i shek. VIII-VII p.e.sonë, do ta cilësojë gjithashtu si shumë pjellore fushën e Helopisë, ndërsa sipas historianit grek Hekateut (fundi i shek. VI-V p.e.sonë), në Iliri kishte krahina që prodhonin deri dy herë në vit. Më vonë Skymni, duke përsëritur në vargjet e tij Hekateun, shton se popullsia ilire që banonte në viset e brendshme merrej me lërimin e tokës.
Prona private në ilirinë e kohës së hekurit
Përparimet që u bënë në degët e ndryshme të ekonomisë gjatë epokës së hekurit sollën ndryshime edhe në vetë strukturën e shoqërisë ilire. Baza e këtyre ndryshimeve u bë prona private, e cila filloi të shfaqet tek fiset ekonomikisht më të zhvilluara, në fillim në blegtori e zejtari e më pas edhe mbi tokën. Hesiodi, duke folur për kopetë e mëdha në Helopi, shënon se ato ishin pronë e njerëzve të veçantë. Karakteri dhe shkalla e zhvillimit të zejtarisë dëshmon gjithashtu për praninë në këtë fushë të pronësisë private. Dukurinë e pronësisë për tokën e kemi të dëshmuar më vonë dhe duket se ajo ndjek një rrugë më të ngadaltë. Zakoni i ndarjes së tokës çdo tetë vjet, që na kumtohet nga Straboni për dalmatët, është një dëshmi që tregon se zotërimi periodik i saj ishte një hallkë e ndërmjetme në procesin e formimit të pronës private. Forcat kryesore të prodhimit të shoqërisë ilire në këtë kohë ishin bujqit dhe blegtorët e lirë, anëtarë të thjeshtë të fisit. Këtyre u shtohet edhe një shtresë e re, më e kufizuar, ajo e zejtarëve. Nga ana tjetër, nga masa e gjerë e popullsisë, fillon të veçohet si një shtresë më vete aristokracia fisnore, e cila, duke u shkëputur nga prodhimi dhe nëpërmjet përvetësimit të pasurisë së përbashkët, vihet në një pozitë të privilegjuar derisa bëhet dalëngadalë zotëruese e pronave të mëdha tokësore dhe blegtorale. Ajo gradualisht mënjanon organet demokratike të fisit dhe uzurpon pushtetin. Nga burimet e shkruara më të hershme, siç është eposi homerik, shihet se në disa nga fiset ilire ekzistonte, tanimë, diferencimi shoqëror, të paktën në shekujt VIII-VII p.e.re kur u krijuan “Iliada” e “Odisea”. Duke folur për pjesëmarrjen e ilirëve paionë në luftën e Trojës kundër ahejve, Homeri i barazon prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Paionia pjellore” me prijësit e ahejve dhe të trojanëve. Kjo pa dyshim flet për një gjendje sociale pak a shumë të ngjashme me atë të fiseve fqinje të Greqisë. Në një vend të poemës “Odisea” flitet për Feidonin, prijësin me origjinë fisnike të thesprotëve, i cili pasi strehoi dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë, gjatë kthimit për në atdhe, përgatiti një nga anijet e tij të shpejta për ta dërguar atë në Itakë. Sipas këtij tregimi mitik, Feidoni përfaqëson këtu njërin nga krerët që jetonte në një nga pallatet më të pasura të thesprotëve. Këta kishin anijet e veta e njerëz që u shërbenin. Shumë kuptimplotë në këtë drejtim është dhe një tregim i Herodotit, sipas të cilit, Klistheni, kur ftoi në Sikione (rreth vitit 570 p.e.sonë) të gjithë burrat që do ta ndienin veten të denjë për të pasur për grua të bijën e tij Agaristën, midis atyre që u paraqitën tek tirani qe edhe një farë Alkoni nga Molosia. Sipas këtij tregimi, ky molosas duhet të ketë qenë nga një familje princore ose shumë e pasur, që të pretendonte për të lidhur krushqi me një skllavopronar të madh të Greqisë së asaj kohe, siç ishte Klistheni. Të dhënat arkeologjike nga varrezat tumulare të luginës së Drinos, pellgut të Korçës dhe Ohrit (Trebenisht), zonës qendrore ilire të Glasinacit etj., dëshmojnë gjithashtu se në shek. VIII-V p.e.sonë, diferencimi shoqëror në gjirin e shoqërisë ilire ishte bërë mjaft i theksuar dhe kishte prekur edhe krahinat e thella të Ilirisë Qendrore e Veriore. Në këto varreza ndeshen, krahas varreve me inventar të varfër, edhe varre ku të vdekurin e shoqëronin armë të kushtueshme, sende luksi prej ari e argjendi dhe objekte të tjera të importuara nga viset përreth, që i takonin shtresës së pasur të aristokracisë fisnore.
Federatat fisnore
Zhvillimi i pronës private, që çoi në thellimin e diferencimit social, u bë burim konfliktesh në shoqërinë ilire të shek. VIII-V p.e.sonë. Në këtë kohë morën përpjesëtime të mëdha luftërat ndërfisnore dhe inkursionet plaçkitëse për det e tokë, që arrinin deri në Greqi dhe në brigjet e përtejme të Adriatikut. Të tillë kanë qenë inkursioni i enkelejve për plaçkitjen e thesarit të Delfit ose ato të detarëve liburnë, të cilët me anijet e tyre të lehta dhe të shpejta zotëruan për një kohë brigjet e Adriatikut, që nga Korfuzi deri në brigjet italike.
Gjendja e krijuar nga këto luftëra dhe inkursione, që i sillnin aristokracisë fisnore ilire të ardhura të mëdha, gjen shprehjen e vet në veprimtarinë e gjerë të ndërtimit të vendbanimeve të fortifikuara dhe në zhvillimin e armatimeve, sidomos të armëve të reja, siç ishin shpatat, hanxharët dhe heshtat prej hekuri që janë gjetje të rëndomta në varret e luftëtarëve ilirë dhe të mburojave të paionëve, të përkrenareve e frerëve të kuajve që përbënin pajisjet e veçanta të aristokracisë luftarake.
Në procesin e këtyre konflikteve, fiset e vogla ilire filluan të lidhen dhe të formojnë gjatë veprimeve të tyre të përbashkëta në luftërat agresive ose mbrojtëse, aty nga fundi i shek.VII p.e.sonë, federatat e para. Një federatë e tillë ishte ajo e taulantëve, që nën mbretin Galaur dhe më pas, gjatë shek. VII-VI p.e.sonë invadoi disa herë Maqedoninë duke i shkaktuar asaj dëme të rënda dhe sakrifica të mëdha në njerëz. Gjatë shek. VI-V p.e.sonë federata të tilla formuan edhe disa fise të tjera, si molosët, thesprotët, kaonët, parauejtë, orestët, lynkestët, paionët, dardanët etj.
Në krye të federatës qëndronte mbreti, i cili në burimet quhet basileus. Në disa raste si tek kaonët e thesprotët vendin e tij e zinte një njeri i zgjedhur çdo vit nga gjiri i fisit sundues të federatës. Në burimet e fundit të shek.V vihet re se funksioni i basileut nuk i takonte më prijësit më të aftë ushtarak, por ishte bërë i trashëgueshëm dhe pushteti e autoriteti i tij ishte rritur mjaft si brenda fisit e lidhjes fisnore, ashtu dhe jashtë tij. Në bazë të këtij fuqizimi të prijësve ushtarakë dhe të basilejve qëndronte gjithnjë pasuria që vinte duke u shtuar përherë e më shumë në sajë të luftërave. Ata vinin nga shtresa e pasuruar e shoqërisë fisnore ilire, e cila dallohej nga pjesa tjetër e popullsisë së thjeshtë. Ajo e konsideronte si një gjë të turpshme të merrej me punimin e tokës, me mbarështimin e bagëtisë, me prodhimin zejtar etj. Në këto punë ishin të angazhuar vetëm prodhuesit e vegjël, masa e gjerë e fshatarëve të lirë ose gjysmë të lirë. Zanati më i nderuar për ta ishin lufta, gjuetia, garat sportive etj., skenat e të cilave na janë transmetuar përmes gjuhës së gjallë artistike në objektet e bronzta të zbuluara në krahinat veriore ilire apo në kallcat e Glasinacit.
Kultura
Kultura ilire u formua me tiparet e saj karakteristike që e dallojnë nga kulturat e popujve fqinjë në periudhën e zhvilluar të epokës së hekurit. Ajo ishte një kulturë autoktone që u krijua në truallin historik të ilirëve, në procesin e formimit të vetë etnosit ilir, mbi bazën e zhvillimit të brendshëm social-ekonomik të shoqërisë ilire dhe pa dyshim edhe të marrëdhënieve me popujt fqinjë. Tiparet themelore të saj janë shprehur në arritjet më të rëndësishme të ilirëve në fushën e zhvillimit të tyre ekonomik e shoqëror, në mënyrën e të jetuarit dhe të kuptuarit të botës që i rrethonte, në mënyrën e të pasqyruarit të kësaj bote në artin e botëkuptimin e tyre.
Gjuha
Ilirët flisnin një gjuhë që dallohej nga gjuhët e popujve të tjerë të kohës së lashtë të Ballkanit. Ajo ishte një gjuhë e veçantë indoevropiane, që kishte lidhje afërie ku më të largët e ku më të afërt me gjuhë të tjera të gadishullit dhe jashtë tij. Janë konstatuar elemente të përbashkëta sidomos me trakishten. Lidhur me vendin e ilirishtes në mes të gjuhëve indoevropiane është diskutuar mjaft dhe janë dhënë mendime të ndryshme.
Një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore për origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sintezën më të plotë, të shoqëruar me vështrimin kritik të mendimeve për origjinën e gjuhës shqipe, e ka dhënë gjuhëtari i shquar prof. Eqrem Çabej, i cili ka sjellë dhe argumentet e tij shkencore, në mbështetje të tezës ilire. Disa nga argumentet e parashtruara prej tij janë këto: Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar popullsi ilire; nga ana tjetër, në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera në trojet e sotme; një pjesë e elementeve gjuhësore: emra vendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse; marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe është zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit; të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm. Nga të gjitha këto argumente, del si përfundim se teza e origjinës ilire të gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore.
Arti
ilir në periudhën e hershme të hekurit karakterizohet me stilin e tij dekorativ të theksuar të epokës së bronzit, por lulëzimin e arrin në fillim të epokës së plotë të hekurit, d.m.th. rreth shek. VIII-VII p.e.sonë në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror të ilirëve. Kjo vihet re qartë sidomos në grupin e kulturës së Devollit, në atë të Mat-Glasinacit etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar jo vetëm në objektet e veçanta metalike, kryesisht prej bronzi dhe në qeramikë, por edhe në materialet që nuk i rezistuan kohës si në dru, kockë etj., përfaqësohet nga një gamë e pasur figurash gjeometrike, si rrathë të veçantë e bashkëqendrorë, rombe e trekëndësha me fusha të zbrazura ose të mbushura me vija paralele etj., të kompozuara me një fantazi të zhvilluar dhe në një sistem rigorozisht simetrik.
[redaktoni] Antika
Helenët në brigjet ilire
Vendosja e kolonive helene në bregdetin ilir është pjesë e drejtimit të lëvizjes kolonizuese helene, në të cilën më aktiv u tregua Korinthi. Kjo dukuri u zhvillua, nga njëra anë, me shtytjen e faktorëve ekonomikë e shoqërorë të metropoleve dhe, nga ana tjetër, qe një hap i mëtejshëm në përfshirjen e zonave ilire në sferën e ekonomisë së Mesdheut. Kolonitë më të hershme u vendosën në tokat e Ilirisë së Jugut. Këto zona të banuara nga ilirët kishin marrëdhënie tregtare me vendet e Greqisë që nga epoka kreto-mikene. Kjo tregti fitoi një bazë më të gjerë në kushtet e shthurjes së rendit fisnor tek ilirët. Vendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm i kolonive ka qenë pasojë e këtij procesi. Në fillim u vendosën pranë vendbanimeve ilire pikat tregtare, të cilat me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me brendatokën ilire u populluan nga grupe kolonistësh helenë dhe u kthyen në qendra të shpërngulurish (apoike) të metropoleve greke.
Shoqeria dhe politika
Që në fillim në kolonitë helene të bregdetit ilir u vendos mënyra antike e prodhimit. Në ndarjen e shoqërisë në kolonitë rol të veçantë luante prejardhja shoqërore dhe etnike e njerëzve. Në kushte më të privilegjuara ishte shtresa me prejardhje aristokrate, që kishte qenë shpesh përkrahëse e themelimit të kolonive. Përbërja shoqërore e shtresave të lira ishte e larmishme. Krahas të mërguarve, për arsye politike gjatë luftërave të demosit me aristokracinë në metropole, kishte fisnikë të varfëruar, zejtarë të zhveshur nga mjetet e prodhimit, fshatarë të shpronësuar, tregtarë e detarë. Kjo masë e popullsisë shtohej vazhdimisht si rrjedhim i dyndjeve të herëpashershme nga metropolet. Në Dyrrah një kontingjent i madh njerëzish të tillë erdhi në gjysmën e dytë të shek.V.
Shtetet ilire
Në fundin e shek. V p.e.sonë ilirët hynë në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e prodhimit në shek. IV-III p.e.sonë çoi në krijimin e një shoqërie antike të mirëfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare. Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë Dardane. Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III p.e.sonë. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e Maqedonisë. Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë. Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve. E para shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.sonë për të rënë pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit maqedon, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një rol të parëndësishëm. Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.
Ekonomia dhe shoqeria
Illyria, Dyrrhachion. After 350 BC
Illyria, Dyrrhachion. After 350 BC
Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë epokës së hekurit dhe veçanërisht gjatë shek. VII-V p.e.sonë kishte përgatitur kushtet për lindjen e qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç dëshmojnë të dhënat arkeologjike, qytetet ilire ngrihen mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit dhe të qendrave protourbane që u krijuan si rezultat i zhvillimit të zejtarisë, të bujqësisë, të blegtorisë, si edhe të intensifikimit të marrëdhënieve të këmbimit me botën greke. Kjo dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importuar korinthike e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet e kolonive greke në Dyrrah e në Apoloni, të cilat kishin hyrë në marrëdhënie të ngushta me prapatokën ilire. Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një dukuri me karakter ekonomik e shoqëror tërësisht e re. Thelbi i saj ishte vendosja e ekonomisë antike të tregut që u materializua me krijimin e qyteteve si qendra prodhimi e shkëmbimi. Kjo është e lidhur me shkëputjen e plotë të zejtarisë nga bujqësia, me krijimin e mënyrës antike të prodhimit dhe me zbatimin e punës së skllavit në degët e ekonomisë.
Bujqesia e blegtoria
Illyria, Dyrrhachium. C.450-350 BC.
Illyria, Dyrrhachium. C.450-350 BC.
Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit të degëve të ndryshme të ekonomisë ilire. Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të përpunimit të metaleve ilirët e njihnin dhe më parë, por asnjëherë si tani ajo nuk paraqitet si degë e veçantë e një qyteti, siç është rasti i Damastionit. Në shek. IV në zejtarinë e punimit të metaleve nuk vihet re ende ndonjë ndryshim cilësor, fjala vjen në punimin e veglave të punës, të armëve apo të zbukurimeve, në krahasim me shekujt pararendës. Por tani mund të flitet për një veprimtari më të gjerë e më intensive si në shfrytëzimin e minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë e degëve të veçanta të zejtarisë metalpunuese. Bie në sy në mënyrë të veçantë rritja e prodhimit të armëve, që përbëjnë në këtë kohë gjetjet më të shumta nëpër nekropolet në krahasim me zbukurimet.
Tregtia
Si rrjedhim i zhvillimit të zejtarisë dhe të degëve të tjera të ekonomisë ilire u zgjeruan shkëmbimet dhe tregtia. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një shtrirje të gjerë të prodhimeve të zejtarisë ilire. Tipat standardë të armëve, të zbukurimeve dhe të enëve prej balte që përsëriten në gjetjet nga një krahinë në tjetrën, dëshmojnë për marrëdhënie intensive midis popullsisë së krahinave të ndryshme dhe për një zhvillim të konsiderueshëm të këmbimeve midis tyre. Një zhvillim më të gjerë morën në këtë kohë shkëmbimet me botën greke. Jo më kot pasuritë minerale dhe disa prodhime bujqësore tërhoqën vëmendjen e autorëve antikë të kësaj kohe. Duket se këto prodhime ishin ndër artikujt kryesorë të eksportit ilir. Një vend me rëndësi zinin këmbimet me kolonitë greke të bregdetit Adriatik dhe qytetet e Halkidës, të cilat merrnin nga Damastioni argjendin për prerjen e monedhave të tyre, kurse nga tokat e afërta të Atintanisë serën, që u duhej për ndërtimin e anijeve dhe lyerjen e enëve të transportit. Kundrejt tyre ilirët merrnin prodhime luksi të artizanatit grek, midis të tjerave prodhime atike e italike. Krahas prodhimeve të Dyrrahut e të Apolonisë, enët e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla në vendbanimet e zonës bregdetare. Por ato fillojnë të duken më dendur edhe në krahinat e brendshme ilire. Pas Trebenishtit ato shfaqen edhe në luginën e mesme të Drinit, në afërsi të Kukësit e të Krumës. Këto prodhime arrijnë këtu nëpërmjet rrugëve tregtare të shkelura qysh në shek. VI-V, duke ndjekur luginat e lumenjve me pikënisje si nga qendrat e bregut Adriatik, ashtu edhe të Egjeut. Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent shkëmbimi. Në krahinat bregdetare gjejnë një përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e Damastionit. Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi në një zonë të gjerë që përfshinte krahinën e diestëve, penestëve dhe pjesërisht atë të lynkestëve. Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir si Damastioni është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, të cilat me monedhat e tyre, qysh nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e afërta të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme. Ai hodhi në treg monedhën e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore. Ekonomia monetare theu kështu dhe në këtë pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur natyrore, për t’i hapur rrugën një sistemi të ri ekonomik, skllavopronarisë.
Skllavopronaret
Me lindjen e qyteteve u krijua edhe një popullsi qytetare, e cila më parë nuk njihej. Burimet nuk e bëjnë të qartë përbërjen dhe karakterin e kësaj popullsie, por meqë qytetet ishin qendra ekonomike dhe administrative, edhe popullsia e tyre përbëhej nga masa e gjerë e prodhuesve zejtarë, bujq e blegtorë, nga pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe aristokracia e vjetër fisnore që përbënte parinë e qytetit. Si e tillë, popullsia e qytetit paraqitej e diferencuar në shtresa shoqërore, me interesa të ndryshme. Prej tyre, pronarët e punishteve dhe tregtarët formonin shtresën e re të pasuruar, e cila zhvendos përfundimisht në plan të dytë aristokracinë e vjetër fisnore. Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte një popullsi fshatare e lidhur me ta nëpërmjet interesave ekonomikë të ndërsjelltë. Në burimet këto popullsi njihen akoma si fise të mëdha apo të vogla, por fisi nuk ka më kuptimin e tij klasik. Vetë dukja e qyteteve dhe prerja e qarkullimi i monedhave janë elemente që nuk pajtohen me rendin fisnor, ato i japin bashkësisë një përmbajtje të re nga pikëpamja e marrëdhënieve ekonomike e shoqërore.
Bardhyli
Shekulli i ri, i katërt, i gjen përsëri ilirët në konflikt me fqinjët e tyre maqedonë për çështjen e Lynkestisë. Në vitet e fundit të sundimit të mbretit maqedon, Arhelaut, në kapërcyell të shekullit, u zhvillua një luftë e re midis ilirëve dhe maqedonëve për këtë krahinë. Në këtë luftë mbreti i lynkestëve, Arrabeu, kishte si aleat mbretin Syra. Aristoteli, që e përmend këtë fakt, nuk e cilëson origjinën etnike të Syras, por burimet e tjera e bëjnë të qartë se ai ishte mbreti i ilirëve. Aleanca midis tij dhe Arrabeut ka të ngjarë ta ketë zanafillën e saj në ngjarjet e vitit 423 p.e.sonë dhe duket se ka qenë përforcuar me një martesë dinastike midis Syras dhe një vajze të Arrabeut. Rezultatet e kësaj lufte nuk njihen, por ngjarjet e mëpastajme tregojnë se nuk ndodhi ndonjë ndryshim në gjendjen ekzistuese. Vrasja e mbretit Arhelau (viti 399 p.e.sonë), shënoi për Maqedoninë fillimin e një periudhe trazirash që zgjatën katër dekada me radhë. Kontradiktat e brendshme që u bënë shkak për këtë vrasje dhe për intrigat e mëvonshme dinastike, krijuan rast për hapjen e konflikteve midis Maqedonisë dhe fqinjëve të saj. Në fillim të sundimit të Amyntas II, që pasoi Arhelaun, u duk sikur konflikti iliro-maqedon gjeti një zgjidhje. Martesa e Amyntas me një bijë të mbretit Syra, të quajtur Eurydike, që ishte në të njëjtën kohë edhe mbesë e Arrabeut, fsheh në vetvete faktin që midis ilirëve e maqedonëve ishte arritur një marrëveshje pajtimi për çështjen e lynkestëve. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Ilirët, interesat e të cilëve ishin ndeshur prej kohësh me ato të Maqedonisë në Lynkesti, ishin të interesuar për dobësimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe jo për pajtim. Rasti i volitshëm për ta arritur këtë qëllim paraqitet pikërisht tani, që Maqedoninë e kishte pushtuar vala e turbullirave të brendshme. Në vitin 393 p.e.sonë, ilirët u dyndën në Maqedoni, pushtuan një pjesë të saj dhe pasi dëbuan Amyntën, vendosën në fron një farë Argeu, që thuhet se zbriste prej dinastisë së lynkestëve. Nën presionin e pushtimit ilir, një pjesë e tokave të Maqedonisë Lindore me pëlqimin e mbretit të rrëzuar hyri në Lidhjen e Olinthit. Amynta u strehua në Thesali dhe vetëm pas dy vjetësh mërgimi, ai mundi të kthehej në vend me ndihmën e thesalëve, të cilët preferonin më mirë sundimin e tij se atë të Argeut që përkrahej nga ilirët. Paqen me ilirët ai qe detyruar ta blinte me një tribut vjetor që do t’ua paguante atyre. Rrethanat në të cilat ndodhi ky ndryshim në marrëdhëniet e vendosura së fundi midis ilirëve dhe maqedonëve nuk janë të qarta. Dihet vetëm se ngjarjet e mëpastajme nuk janë të lidhura me Syran, por me emrin e një mbreti të ri ilir, të quajtur Bardhyl. Megjithëse emri i tij shfaqet në burimet shumë më vonë, në ngjarjet e vitit 359 p.e.sonë, prapë se prapë duket se ai i udhëhiqte ilirët shumë kohë përpara. Sipas këtyre burimeve Bardhyli jetoi një kohë të gjatë dhe kur u ndesh me Filipin II (359 p.e.sonë), ose pak më vonë, ishte në një moshë të thyer, 90 vjeçare. Interes të veçantë lidhur me figurën e tij kanë lajmet që e paraqesin si një mbret me prejardhje të ulët, në fillim qymyrxhi e pastaj kryengritës (latro), që e pat fituar pushtetin me forcë dhe që gëzonte simpatinë e luftëtarëve, meqenëse në ndarjen e plaçkës ishte i drejtë e i paanshëm. Këto njoftime e paraqesin atë jo si një trashëgimtar të Syras, por si një përmbysës të tij. Vetëm duke pranuar këtë fakt, mund t’i jepet një shpjegim ndryshimit që ndodhi në marrëdhëniet e ilirëve me maqedonët në vitin 393 p.e.sonë. Duket se në Iliri forca të reja, në të cilat rol të rëndësishëm ka pasur Bardhyli, e kundërshtuan marrëveshjen me Amyntën II, rrëzuan Syrën dhe invaduan Maqedoninë. Pra, duhet të ketë qenë Bardhyli ai që udhëhoqi ilirët në fushatën e vitit 393 p.e.sonë kundër Amyntës dhe e detyroi atë t’i paguante tribut vjetor. Qe përsëri ai që theu përpjekjet e Aleksandrit II në vitin 369 dhe të Perdikës III më 360 p.e.sonë për t’u çliruar nga kjo gjendje. Tentativa e Perdikës përfundoi me dështim të plotë. Ai mbeti në fushën e betejës së bashku me 4 000 maqedonë të tjerë. Kjo qe humbja më e rëndë që pësuan maqedonët në vargun e përpjekjeve të tyre për t’u çliruar nga ilirët. Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë burimet përmendin edhe një ngjarje tjetër me rëndësi. Në vitin 385 p.e.sonë ilirët përfunduan një aleancë me tiranin e Syrakuzës, Dionizin. Ndërmjetës për këtë u bë mbreti i molosëve, Alketa, i cili qe dëbuar nga vendi i tij prej partisë filospartane dhe qe strehuar në Sirakuzë. Qëllimi i marrëveshjes ishte rivendosja e Alketës në fronin molos. Të dyja palët qenë të interesuara për këtë, sepse ilirëve kjo aleancë u siguronte dobësimin e ndikimit spartan dhe rrjedhimisht të atij maqedon në Epir, kurse Dionizit i jepte mundësi të forconte pozitat e tregtisë sirakuzane në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Në tregimin e tij Diodori vinte në dukje se Dionizi u dërgoi ilirëve një ndihmë ushtarake prej 2 000 vetash dhe 5 000 armë “meqenëse ilirët ishin në luftë”. Por nuk thotë se me cilët luftonin ilirët në këtë kohë. Është supozuar se Diodori e ka fjalën për luftën që përfundoi me dëbimin e Amyntës, por kjo ngjarje me të drejtë është datuar në vitin 393 dhe jo më 385. Nuk qëndron as pikëpamja se ilirët qenë duke luftuar me molosët, kur Dionizi u dërgoi ndihmën dhe se ky e shfrytëzoi këtë luftë vetëm për të kthyer Alketën. Vetë Diodori e ka sqaruar këtë fakt kur pohon se ilirët hynë në Epir pasi u erdhi kjo ndihmë dhe “pasi mblodhën një fuqi të madhe”. Në këtë rast duhet të jetë fjala për faktin se ilirët ishin në gjendje lufte pothuajse të pandërprerë me fqinjët e tyre, maqedonët. Ndihma ushtarake e Dionizit duket se i lehtësonte pak ilirët nga kjo barrë. Ky fakt dhe pjesëmarrja aktive në aksion kundër molosëve për të sjellë në fronin e tyre Alketën e vuri Sirakuzën në pozitën e aleatit të ilirëve kundër armiqve tradicionalë të tyre, maqedonëve. Megjithatë forcat kryesore në këtë aksion ishin ato ilire; ushtarëve të Dionizit nuk iu caktua ndonjë rol i pavarur, përkundrazi Diodori thotë se “ushtrinë që u erdhi në ndihmë ilirët e përzien me trupat e tyre”. Ndërmarrja përfundoi me sukses të plotë. Në betejën e rreptë që u zhvillua ilirët dolën fitues dhe molosët lanë në fushën e luftës shumë të vrarë. Ndihma që u dërguan spartanët nuk u solli ndonjë dobi molosëve dhe Alketa zuri përsëri fronin e vet në Mbretërinë Molose. Kjo ngjarje sqaron politikën që Bardhyli ndiqte me fqinjët perëndimorë. Me sa duket, aleanca me Syrakuzën ishte për të një mbështetje e shëndoshë në luftën kundër Maqedonisë.
Fushata maqedonese kunder Ilirise
Në vitin 359 Maqedonia mundi të dalë përsëri në fushë të betejës kundër ilirëve, por tani ajo e kishte kapërcyer gjendjen e kaosit të brendshëm politik dhe kishte mënjanuar rrezikun e sulmit nga kundërshtarët e tjerë. Sundimtari i ri i saj, Filipi II, filloi fushatën kundër Mbretërisë Ilire pasi ishte pajtuar me Athinën dhe kishte larguar rrezikun trak e paion. I çliruar, në këtë mënyrë, Filipi u sul kundër ilirëve me një ushtri të madhe, të përbërë prej 10 000 këmbësorësh të armatosur rëndë dhe 600 kalorësish. Bardhyli i doli përpara armikut me një ushtri po kaq të madhe, 10 000 këmbësorë të zgjedhur dhe 500 kalorës. Megjithatë, mbreti plak e çmoi këtë radhë të pafavorshme ndeshjen e armatosur me maqedonët dhe bëri përpjekje për marrëveshje. Ai i propozoi Filipit paqe, me kusht që të dy palët të mbanin qytetet që kishin në zotërim në atë kohë; Filipi nuk e pranoi dhe kërkoi që ilirët t’i lironin të gjitha qytetet që i kishin pushtuar Maqedonisë. Meqenëse nuk u arrit marrëveshja, filloi përleshja. Të dy ushtritë u ndeshën me ashpërsi të madhe. Ushtria ilire i përballoi për mjaft kohë sulmet e armikut. Goditjeve të falangës maqedone Bardhyli u kundërvuri formacionin luftarak me radhë të shtrënguara në trajtë kuadrati. “Në krye, - shkruan Diodori, - fitorja nuk anoi as nga njëra, as nga tjetra palë, dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, sepse të dy ushtritë luftuan me një trimëri të rrallë. Nga të dy anët u vranë shumë veta dhe ca më shumë u plagosën”. Megjithëse maqedonët e fituan më në fund betejën, Filipi II i Maçedonisë e pa se nuk qe në gjendje ta ndiqte armikun. Më vonë ilirët dërguan përfaqësues dhe përfunduan paqen, pasi liruan të gjitha qytetet e Maqedonisë që kishin pushtuar. Diodori bën të qartë edhe faktin se për cilat toka ishte fjala, kur thotë se, pasi i vuri nën zotërimin e tij gjithë banorët gjer në liqenin Lyhnid, Filipi u kthye në Maqedoni. Me këtë betejë, ai zgjidhi përfundimisht çështjen e Lynkestisë dhe e ndryshoi gjendjen në kufijtë perëndimorë në favor të Maqedonisë. Në kushtet e krijuara rishtas ilirët u përpoqën të dilnin nga gjendja e krijuar duke kërkuar aleatë kundër Maqedonisë. Në vitet e fundit të jetës së tij Bardhyli u drejtua në jug, kundër molosëve, të cilët ndërkaq ishin afruar me Filipin, duke synuar që t’i shkëpuste nga ndikimi maqedon. Ushtria ilire invadoi tokat molose, por ndeshi në një qëndresë të fortë dhe u detyrua të tërhiqej. Në vitin 356 p.e.sonë ky synim u përsërit në përpjekjen për një aleancë të gjerë antimaqedone. Këtë ngjarje Diodori e përshkruan kështu: “tre mbretër, ai i Trakisë, i Paionisë dhe i Ilirisë, ishin bashkuar për të sulmuar Filipin. Këta mbretër fqinjë e shikonin tërë smirë rritjen e fuqisë së Filipit dhe duke qenë se nuk ishin aq të fortë për ta luftuar veçmas, u lidhën ndërmjet tyre me shpresë që t’ia arrinin më lehtë qëllimit”. Por ata ishin të zënë me grumbullimin e ushtrisë, kur ai i zuri në befasi dhe i theu para se të bashkonin forcat e tyre. Ky lajm vërtetohet edhe me një mbishkrim atik, që përkujton përfundimin e një koalicioni midis Athinës dhe tre mbretërve të përmendur më lart. Në këtë akt zyrtar mbreti i ilirëve quhet Grabo. Midis mendimeve të ndryshme që janë shfaqur rreth figurës së tij, duket më i pranueshëm supozimi sipas të cilit Grabo ka qenë pasardhës i Bardhylit, që në këtë kohë duhet të ketë vdekur. Frenimi që arriti t’u bënte ilirëve nuk e kënaqte Filipin. Ai nuk e ndiente veten të qetë sidomos kur lufta për vendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi kërkonte gjithë energjitë dhe forcat e tij. Për t’u siguruar nga sulmet e shtetit ilir, Filipi u mundua ta vinte këtë shtet në pozita mbrojtjeje. Prandaj, në vitin 344 p.e.sonë, e sulmoi përsëri Ilirinë me një ushtri të fortë. Këtë radhë ilirët udhëhiqeshin nga mbreti Pleurati(Pleuratos). Ata i bënë një qëndresë të ashpër dhe i shkaktuan armikut humbje të rënda. Vetë Filipi mbeti i plagosur dhe në fushën e betejës ranë shumë nga rrethi i tij i afërm. Megjithatë, ai mundi të hyjë në Iliri dhe të pushtojë disa qytete, të cilat më vonë i fortifikoi dhe vendosi në to garnizone. Pasi shkretoi vendin, Filipi u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe. Në burimet nuk thuhet se deri ku mundi të ketë arritur dhe për cilën pjesë të vendit është fjala kur flitet për qytetet e pushtuara, por dihet nga pohimet e Isokratit se në bregdet nuk mundi të dalë. Ka të ngjarë që ai të ketë vënë dorë mbi një pjesë të krahinës së banuar nga fisi i dasaretëve dhe si kufi të kenë shërbyer ato që në burimet quhen malet e Ilirisë ose të taulantëve dhe që mund të identifikohen me vargun e maleve të Polisit, të Kamjes dhe të Ostrovicës.
Kryengritja e 335 para eres sone
Pas vdekjes së Filipit II(336 p.e.r), ilirët e krahinave të nënshtruara ngritën krye në vitin 335 p.e.sonë kundër pasardhësit të tij, Aleksandri ose Leka i Madh, kur ky ndodhej larg vendit, duke luftuar me tribalët dhe popullsi të tjera veriore. Këtu Aleksandrit i erdhi lajmi i kësaj lëvizjeje në Iliri. Kliti, i biri i Bardhylit, ishte shkëputur prej tij dhe me të ishte bashkuar edhe Glaukia, mbret i ilirëve taulantë. Si mësoi se Kliti kishte pushtuar qytetin Pelion, Aleksandri u drejtua me forcat e tij kundër këtij qyteti. Rufi dhe Ariani që bëjnë fjalë për këtë ngjarje, përshkruajnë me hollësi pozicionin e qytetit, vendosjen e forcave kundërshtare dhe stratagjemat që përdorën të dyja palët. Sipas tyre Pelioni ishte një qytet i Dasaretisë, buzë lumit Eordai, dhe më i forti në këtë vend. Ushtria ilire ishte ndarë në dy pjesë: garnizoni që mbronte qytetin dhe repartet e lëvizshme që kishin zënë rrugët dhe majat përqark tij. Aleksandri vendosi t’i shkëpusë lidhjet midis tyre; ngriti lëmin pranë qytetit dhe filloi ndërtimin e një muri që do të pengonte garnizonin të dilte për të marrë pjesë në luftimet e jashtme. Mbërritja e befasishme e Glaukisë me një ushtri taulantësh e vuri ushtrinë maqedone në pozitë të vështirë dhe vetëm në sajë të një manovre të shpejtë, Aleksandri mundi të tërhiqte pa humbje të mëdha trupat e veta. Por ilirët nuk ditën ta shfrytëzonin fitoren. Duke besuar në një sukses të plotë, ata e lanë ushtrinë e tyre pranë Pelionit në shkujdesje. Kjo i dha mundësi Aleksandrit, që tri ditë pas tërheqjes, të kthehej fshehtas përsëri në fushën e betejës dhe ta godiste natën ushtrinë ilire. Pasi pësoi humbje të mëdha, masa kryesore e ushtrisë ilire u tërhoq në malet e taulantëve. Vetë Kliti, pas dështimit të kryengritjes u mërgua në vendin e taulantëve, ndërsa garnizoni u largua duke i vënë zjarrin qytetit. Deri në prag të kryengritjes duket se Kliti sundonte në mbretërinë e tij të dobësuar, duke njohur sovranitetin e mbretit maqedon. Kjo të paktën mund të nënkuptohet nga shprehja e Arianit që thotë se ai “u shkëput” prej Aleksandrit, kur e njoftuan për fillimin e kryengritjes. Por në burimet nuk thuhet se cila qe gjendja juridike që u vendos në këtë pjesë të Ilirisë pas largimit të Klitit. Aleksandri duket se u kënaq me rivendosjen e gjendjes së mëparshme në këtë pjesë të shtetit të tij dhe nuk e vazhdoi më tej konfliktin me ilirët; telashe të tjera e prisnin në Greqi. Taulantët, të cilët Filipi nuk kishte mundur t’i shkelte, paraqiten në këtë konflikt si një fuqi më vete dhe me një mbret të tyre. Tokat e këtij fisi përbënin siç duket atë pjesë të Mbretërisë Ilire që kishte mbetur e pavarur.
Organizimi politik i Ilirise
Shumë shpejt pasi pajtoi fqinjët veriorë dhe Greqinë, Maqedonia u drejtua nga lindja duke e lënë të qetë shtetin ilir. Fqinjësia me Maqedoninë nuk përbënte më atë rrezik serioz dhe ilirët u munduan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar për rimëkëmbjen e shtetit të tyre. Rufi njofton për trazira të reja në Iliri, por duket se ato nuk patën sukses, sepse në vitin 323 p.e.sonë, kur u bë ndarja e perandorisë së Aleksandrit, një pjesë e ilirëve ishte ende nën sundimin e Antipatrit, që u bë mbret i Maqedonisë, i Greqisë, i Ilirisë, i Epirit dhe i popullsive të tjera të pushtuara në Ballkan. Gjendja e turbullt që u krijua në perandori pas vdekjes së Aleksandrit dhe shthurjes së perandorisë së tij krijoi kushte më të përshtatshme për çlirimin e tokave lindore ilire. Duke u lidhur me armiqtë e Maqedonisë, Glaukia, mbret i taulantëve, arriti t’i çlirojë këto toka dhe t’i bashkojë me mbretërinë e tij. Duket se pas kësaj ai mori edhe titullin “mbret i ilirëve” në vend të titullit të mëparshëm “mbret i taulantëve”. Pasi realizoi bashkimin e tokave ilire dhe rimëkëmbi shtetin ilir, Glaukia u përpoq të dobësonte ndikimin maqedon në Epir. Për këtë qëllim ai u afrua me mbretin e molosëve, Ajakidin dhe u martua me Berojën, një bijë nga dera mbretërore molose. Në këtë politikë ai u ndesh me të birin e Antipatrit, Kasandrin, që pas shumë përpjekjesh ishte vendosur në krye të Maqedonisë. Në vitin 317 p.e.sonë, Kasandri rrëzoi nga froni molos aleatin e Glaukisë, Ajakidin, i cili kishte ndërhyrë në grindjet e brendshme për fronin maqedon, duke marrë anën e Olimbisë, nënës së Aleksandrit. Në këtë kohë Glaukia mori nën mbrojtje dhe mbajti në pallatin e tij birin e mbretit të rrëzuar, Pirron dyvjeçar. Me gjithë kërkesat këmbëngulëse të Kasandrit, Glaukia nuk e dorëzoi Pirron; ai nuk e bëri këtë as kur mbreti maqedon i premtoi si shpërblim shumën e madhe prej 200 talentesh, as kur ky e kërcënoi me luftë.
Sovraniteti i Dyrrahut dhe Apolonisë
Tre vjet mbas kësaj ngjarjeje, në vitin 314, Kasandri, duke u nisur nga Epiri, sulmoi nga deti Apoloninë, pastaj Dyrrahun dhe u fut në Iliri. Në këtë luftë Glaukia u mund dhe Kasandri u bë zot i dy qyteteve të mëdha të Adriatikut. Trazirat politike e detyruan të kthehej në Greqi pasi la këtu garnizone të fuqishme. Një vit më vonë, më 313 p.e.sonë, Glaukia rrethoi Apoloninë, por pa sukses. Sipas Diodorit, me ndërmjetësinë e spartanëve ai pranoi të heqë rrethimin dhe të përfundojë një traktat paqeje me apoloniatët. Kushtet e paqes nuk dihen dhe as që bëhej fjalë për vendosjen e ndonjë forcë maqedone në qytet; por ngjarjet e mëpastajme, të vitit 312 p.e.sonë, tregojnë se të dy qytetet mbroheshin nga garnizonet maqedone. Në këtë vit apoloniatët dhe dyrrahasit ngritën krye dhe i dëbuan forcat e Kasandrit nga qytetet e tyre. Një rol të veçantë u atribuon Diodori në këtë ngjarje korkyrasve, të cilët kishin ardhur për ndihmë. Sipas tij ata “çliruan Apoloninë dhe Dyrrahun ia dorëzuan Glaukisë, mbretit të ilirëve”. Burimet nuk japin një përgjigje të drejtpërdrejtë për çështjet se përse korkyrasit ua dorëzuan Dyrrahun ilirëve, cili ishte roli i ilirëve në këtë ngjarje, cilat kishin qenë raportet e tyre me Dyrrahun dhe ç’raporte u vendosën me Apoloninë. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se korkyrasit në këtë rast vepruan si aleatë jo vetëm të apoloniatëve dhe të dyrrahasve, por edhe të ilirëve. Dalja e Maqedonisë në brigjet e Adriatikut cenonte interesat ekonomikë e politikë si të shtetit ilir, ashtu edhe të Dyrrahut, Apolonisë e të Korkyrës, prandaj ato u bashkuan kundër rrezikut maqedon. Dy qytetet e mëdha ishin, siç duket, për ruajtjen e marrëdhënieve të vjetra me shtetin ilir dhe nuk dëshironin t’i nënshtroheshin me dhunë mbretit të Maqedonisë. Dyrrahu duket se kishte qenë para kësaj në duart e ilirëve ose kishte njohur sovranitetin e mbretit ilir. Kundërshtimi që i bënë apoloniatët Glaukisë më 313 p.e.sonë tregon për një mbizotërim të përkohshëm në këtë qytet të një grupi promaqedon, i cili më vonë u përmbys nga kryengritja e qytetarëve që dëbuan forcat e Kasandrit. Mbreti maqedon u shpejtua të vijë me forcat e tij përsëri para mureve të Apolonisë për të rivendosur gjendjen e mëparshme. Diodori pohon se “apoloniatët ishin lidhur me ilirët”. Megjithatë, nuk dihet nëse ishte kjo një aleancë e thjeshtë ushtarake apo diçka më tepër, por duhet nënkuptuar se ilirëve u ishte caktuar një rol i dorës së parë qëkurse forcat që mbronin qytetin “ishin më të mëdha” se ato maqedone. Kasandri u thye keqas dhe u detyrua të largohej, pasi kishte humbur një pjesë të mirë të ushtrisë. Përpjekjet e tij për t’u ngulur në Ilirinë bregdetare dështuan dhe pas kësaj ai nuk provoi më të kthehej në këto anë. Luftërat me Kasandrin tregojnë se fuqia e shtetit ilir ishte rritur aq shumë saqë ai mundi të matej me sukses me Maqedoninë për zotërimin e bregdetit Adriatik. Qytetet e mëdha të këtij bregdeti prej kohësh kishin njohur sovranitetin e mbretit ilir; të paktën mbi Dyrrahun ishte vendosur ky sovranitet, por që nga viti 312 p.e.sonë edhe ndikimi mbi Apoloninë nuk duhet të ketë qenë më i vogël, megjithëse pozita juridike e këtij qyteti ndaj shtetit ilir formalisht mund të ketë qenë pak e ndryshme nga ajo e Dyrrahut. Pas fitores mbi Kasandrin dhe forcimit të pozitës së tij në Dyrrah e në Apoloni, Glaukia u mor me përgatitjen e ekspeditës që do të vinte Pirron në fronin molos. Nuk ishte zemërgjerësia ndaj tij, as lidhjet që kishte me të nëpërmjet së shoqes, Berojës, bijë nga dera molose, ato që e shtynë Glaukinë në këtë ndërmarrje të guximshme. Epiri në këtë kohë ishte pika më nevralgjike e kontaktit dhe hallka më e rëndësishme në kontradiktat iliro-maqedone. Glaukia duhej ta shkëpuste këtë vend nga ndikimi maqedon dhe t’i rikthente shtetit ilir aleatin e humbur. Për këtë qëllim, në vitin 309 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe, ai hyri në Epir dhe pasi mposhti kundërshtimin e grupit promaqedon që përfaqësohej nga mbreti Alketa (ungji i Pirros), vuri në krye të shtetit molos 12-vjeçarin Pirro. Me këtë akt konflikti me Maqedoninë u zgjidh në favor të ilirëve. Veprimtaria politike dhe ushtarake e Glaukisë për rimëkëmbjen e forcimin e pozitave të shtetit ilir u kurorëzua me sukses. Gjatë sundimit të Glaukisë, shteti ilir jetoi ditë lavdie; ai u bë një shtet i fuqishëm, duke përfshirë në gjirin e tij edhe qytetet Dyrrah e Apoloni. Ai ishte e vetmja forcë serioze që iu kundërvu Maqedonisë në këtë pjesë të Ballkanit, dhe u bë një faktor i rëndësishëm që ushtroi një ndikim të fuqishëm në ngjarjet politike të kohës.
Forcimi i pushtetit mbretëror
Në vitin 302 p.e.sonë Glaukia ishte ende në krye të shtetit ilir. Pas kësaj date ai nuk përmendet më. Periudha që pason është mjaft e errët dhe njihet vetëm nëpërmjet burimeve të fragmentuara, por ndonjëherë tepër të rëndësishme. Rreth vitit 295 p.e.sonë si mbret i ilirëve përmendet Bardhyli i ri. Rrethanat në të cilat ai u gjend në krye të shtetit ilir dhe marrëdhëniet e tij me Glaukinë, të cilin e zëvendësoi, janë të paqarta. Një lidhje martesore e paraqet Bardhylin si aleat të Pirros. Plutarku thotë se pas vdekjes së gruas së parë, Antigonës, Pirroja “u martua me shumë gra, për arsye politike dhe për të rritur fuqinë e tij”. Një ndër to ishte edhe Brikena, bija e Bardhylit, mbretit të ilirëve. Historiani romak Justini dhe shkrimtari romak i shek. I Frontini njoftojnë nga ana e tyre për një fushatë të Pirros kundër ilirëve, në të cilën ai kishte dalë fitimtar dhe kishte pushtuar edhe qytetin që ishte kryeqendra e tyre, pa na thënë emrin e tij. Edhe historiani grek i shek. II Apiani, gjithashtu, i bën jehonë kësaj ngjarjeje, duke thënë se Pirroja zotëronte një pjesë të Ilirisë gjatë bregdetit Jon. Të gjitha këto burime nuk e përcaktojnë, megjithatë, se deri ku u shtri sundimi i mbretit molos mbi tokat ilire dhe si ndodhi që ai i rritur në oborrin e Glaukisë ndërhyri me forcë në shtetin e tij. Pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet një grindje e brendshme midis trashëgimtarëve apo pretendentëve për fronin e Glaukisë, e cila u shfrytëzua nga Pirroja. Por nuk është për t’u përjashtuar edhe pikëpamja sipas së cilës Bardhyli i ri të ketë qenë një pinjoll i Bardhylit I, që vjen në fuqi me ndihmën e Pirros, duke i lëshuar këtij të fundit një pjesë të Mbretërisë Ilire. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si Pirroja u bë zot i krahinave perëndimore të Mbretërisë Ilire, ndofta edhe i Apolonisë, kurse Bardhylit i la krahinat lindore rreth liqenit Lyhnid, ose në perëndim të tij. Por pushtimi i tokave ilire prej Pirros dhe sundimi i Bardhylit të ri si “mbret i lirëve” mbi një pjesë të shtetit ilir nuk duhet të kenë zgjatur shumë. Pasazhi i Apianit që thotë se këto toka i trashëguan dhe pasardhësit e Pirros bie në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve të mëpastajme. Grindjet e brendshme për trashëgimin e fronit të Glaukisë duket se u kapërcyen shpejt. Në prologun e librit XXIV të historianit latin Trogut bëhet fjalë për “luftën që Ptolemeu e Kerouni (mbret i Maqedonisë) bënë me Monunin ilir dhe Ptolemeun, të birin e Lysimahut”. Ky lajm që i takon një ngjarjeje të vitit 280 p.e.sonë flet për një sundimtar ilir që ndërhyn në grindjet për fronin maqedon si aleat i pretendentit tjetër, birit të Lysimahut. Sipas renditjes së Trogut, Monuni është kundërshtar i parë i Keraunit dhe mund të supozohet edhe iniciator i kësaj lufte. Sidoqoftë ky Monun duhet të ishte sundimtar i një vendi, kufijtë e të cilit takonin me Maqedoninë. Supozimi se ai ishte një mbret dardan, sot është zhvleftësuar duke i lënë vend mendimit se në rastin konkret kemi të bëjmë me një sundimtar të shtetit ilir. Figura dhe veprimtaria e tij bëhet më e qartë nëpërmjet një monedhe të Dyrrahut. Kjo është një tridrahme, e cila mban simbolet e njohura të tridrahmes së mëparshme autonome të Dyrrahut; në faqe ka një lopë duke e pirë viçi, në shpinë një katror të mbushur me zbukurime lineare; ndryshe prej së parës monedha e re ka një peshë më të vogël (10,3-10,5 gr. në vend të 10,4-11,5 gr.) dhe krahas legjendës ????? apo ??? ka edhe emrin e mbretit (??S???OS ?????????) dhe një nofull derri mbi lopën, që mungojnë në tridrahmat e vjetra. Në një variant tjetër monedhave të Monunit u është hequr legjenda e shkurtuar e qytetit dhe është zëvendësuar me një heshtë. Këto tridrahme janë datuar me të drejtë pas vitit 300 p.e.sonë dhe përputhen si kohë me Monunin e përmendur prej T