24 orët e fundit kanë shënuar uljen e temperaturave në të gjithë vendin, duke i vënë mijëra banorë të zonave të izoluara nga bora para një vështirësie tjetër: ngricat.
Gjatë natës së kaluar, sinjale mergjencash shëndetësore kanë ardhur nga fshatrat e thella, të cilat janë të bllokuara prej gati tre javësh.
Në Dibër, tre familje të fshatit Sllovë kanë mbetur të pastrëhe pas shembjes së çative të shtëpive për shkak të trashësisë së borës. Në Zalldardhë, një grua shtatzënë ka kërkuar ndihmë për t’u transportuar për në spital nga ajri, pasi rrugët vijojnë të jenë të bllokuara.
Në Bulqizë, rënia e temperaturave i ka kthyer në problematike edhe rrugët në të cilat mund të kalohej. Komunat janë të bllokuara dhe disa fshatra prej ditësh nuk komunikojnë, për shkak të daljes jashtë funksionit të linjave telefonike.
Në Shkodër, pavarësisht se reshjet janë ndërprerë, vazhdojnë të jenë të bllokuara disa fshatra të komunës Kelmend në Malësi të Madhe, si Vermosh, Nikç dhe Selcë. Në Dukagjin, komuna Shllak dhe Shosh dhe në Pukë, komuna Iballë, Gjegjan, Blerim Qafë Mali janë të izloluar. Megjithatë po punohet për hapjen e rrugëve.
Në Korçë mbetet i bllokuar aksi Korçë-Dardhë, kurse aksi Korçë-Voskopojë kalohet me zinxhirë.
Ndërkohë, ndërprerja e reshjeve dhe moti i kthjellët favorizojnë lëvizjen e helikopterëve, gjë që ka bërë që mijëra banorë të zonave të thella të veriut të kthejnë sytë nga qielli, në pritje të furnizimit me ushqime dhe medikamente.