Festivali Ndërkombëtar i Filmit që po mbahet në Berlin, mbrëmjen e kësaj së marte ja kushtoi karrierës së një aktoreje të jashtëzakonshme të kinemasë botërore, britanikes Meryl Streep.
Sikundër qe paralajmëruar, Streep ishte e pranishme në këtë festival për të marrë trofeun i cili e çmon për karrierën e saj ndër dekada. Një “Ari i Artë” për arritjet e saj në karrierë, ndërsa u shfaq edhe premiera e filmit të saj më të fundit, “The Iron Lady”.
Gjatë karrierës së saj mëse 30-vjeçare, Streep është shfaqur në rreth 40 filma dhe përgjatë këtyre 3 dekadave, ajo është nominuar 17 herë në çmimet OSCAR dhe 2 herë ka mundur të marrë statujën e artë. Ajo është nominuar gjithashtu edhe 18 herë në Golden Globe, prej të cilave 8 herë ka mundur t’i fitojë trofetë.
Drejtori i Festivalit të Berlinit, Dieter Kosslick ishte ai që e akordoi këtë trofe për Streep pasi aktori Jake Gyllenhaal, pjesë e jurisë në Berlinale mbajti një fjalë tepër prekëse jo vetëm si profesionist, por edhe si një mik familjeje i aktores, në nder të saj.
“Me ndershmëri ju them se jam tepër i nderuar që ajo ka lënë gjurmë në jetën time që kur unë isha fëmijë edhe pse ndonjëherë me mirësi e them që edhe më ka trembur. Sot ndjehem si ai 13-vjeçari i dikurshëm përpara teje Meryl”, ka thënë në fjalën e tij aktori i cili e përfundoi fjalimin e tij të shkurtër duke thënë: “Zonja dhe Zotërinj, jam i nderuar që prezantoj këtë çmim që nderon një aktore ikone, jam i nderuar të them se trofeun “Ariu i Artë” për arritje në karrierë e gëzon sonte Meryl Streep”.
Aktorja Streep ka rrëfyer: “Jam e nderuar nga fjalët tuaja dhe nderimi që më bëhet në një festival elitar filmi siç është ky i Berlinit”.
Festivali i Filmit që po mbahet në Berlin e që ndryshe njihet si Berlinale, do të ketë galanë e ndarjes së çmimeve këtë 18 shkurt.