Performanca e Nicki Minaj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy ka nxehur një organizatë katolike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse sipas kësaj organizate këngëtarja ka treguar mungesë respekti ndaj katolicizmit.
Performanca e Minaj përfshinte një Papë të rremë dhe një ekzorcizëm. Grupimi “Catholic League” e cilësoi interpretimin e këngëtares si një “sulm ndaj fesë”.
“Gjithçka që ndodhi nuk ishte rastësi, por e aprovuar më parë nga organizatorët e ceremonisë. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë sepse nuk besojmë se do të lejonin një artist të ofendonte islamin apo judaizmin”, shkruhet në një komunikatë të organizatës.
Minaj u paraqit në skenë me një veshje të kuqe të ngjashme me atë të murgeshave dhe e shoqëruar me një burrë të veshur si Ati i Shenjtë.