Shtëpia e një biznesmeni është grabitur natën mes të hënës dhe të martës në qytetin e Korçës, ku autorët janë larguar me shuma të konsiderueshme parash.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave grabitësit kanë arritur të marrin 30 mijë euro dhe 10 milionë lekë, nën kërcënimin e armëve.
Megjithatë, me t’u informuar, uniformat blu janë vënë në lëvizje dhe shumë shpejt kanë identifikuar dhe arrestuar një prej grabitësve, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.
Burimet shtojnë se autorët hynë të armatosur dhe të maskuar në banesë dhe pasi morën paratë goditën të zonjën e shtëpisë, e cila gjithësesi nuk ka marrë lëndime serioze.
Që nga fillimi i vitit në vend janë regjistruar një seri grabitjesh të dhunshme. Megjithatë, risi ishte ardhja e një bande italiane për të grabitur dyqane në Shqipëri.
Gjatë një operacioni të koduar “Furtuna“, të kryer 6 ditë më parë, policia e Fierit arrestoi dy shtetas italianë të dyshuar për dy grabitje të dhunshme.
Policia e Fierit njoftoi se në pranga ranë Giuseppe Margiotta, 33 vjeç dhe Franco Galluci, 31 vjeç, të dy lindur dhe banues në qytetin e Leçes.
Nga hetimet e policisë rezultoi se, dy italianët kishin vjedhur të armatosur dhe në bashkëpunim dy argjendari, një në Ballsh dhe tjetrën në Fier, si dhe duke kërcënuar me armë kishin grabitur dy tregtarë në Lushnje.
Ndërsa katër ditë më parë, një 17-vjeçar mbeti i vrarë gjatë një grabitjeje në qarkun e Lushnjes, teksa kishte hyrë në stanin e një bariu për të vjedhur.
Ngjarja ndodhi në fshatin Kolonjë. Pronari i stanit, shtetasi Ibrahim Gjolena, me të vënë re lëvizjet, e qëlloi për vdekje të riun Françesko Dervishi.