Të gjithëve na pëlqen të udhëtojmë, të eksplorojmë vende të reja, të njihemi me kulturën apo traditën e një kombi. Na pëlqen të kalojmë momente të këndshme pranë njerëzve më të dashur, të larguar nga rutina e përditshmërisë. Kur shkojmë me pushime, përveç relaksit, i ofrojmë vetes komoditetin për të shkëputur vëmendjen nga puna dhe angazhimet e tjera të lodhshme.
Janë përgjithësisht personazhet e famshëm ata që udhëtojnë më shpesh, madje ndonjëherë të detyruar. Në rubrikën më të re, “VIP Travelling”, do të përzgjedhim për çdo numër një person publik, të pëlqyer, i cili rrëfen udhëtimet më të bukura, të ilustruara me fotografitë përkatëse. Bleona Qereti është këngëtarja bukuroshe, që nuk nguroi të na dërgonte nga Amerika disa prej pamjeve të mrekullueshme të vendeve që kishte vizituar. Bleona, përveç pushimeve fantastike, kishte njohur edhe personazhe të famshëm botërorë, të cilët i zbulojmë në vijim…
Foto 1: Bleona feston ditëlindjen në 14 maj 2011 në Monako, mes miqve e familjarëve të saj. Si gjithnjë e buzëqeshur dhe e gatshme për të pozuar përpara aparatit fotografik, ajo ka një pamje fantastike, të cilën e plotëson mrekullisht fustani i zi tejet modern.