Kombëtarja spanjolle e futbollit në sallë fitoi Europianin e saj të gjashtë në histori dhe të katërtin radhazi pasi mundi në finale Rusinë 3-1, kur dukej se ndeshja për ta ishte e humbur.
Kur kishin mbetur edhe 34 sekonda deri në përfundim Spanja ishte në disavantazh, por arriti në fillim të barazonte golin e Pulas e më pas të fitonte takimin në shtesën e dytë prej pesë minutash.
Sergio Lozano ishte heroi i takimit me golin e barazimit dhe me atë që i dha avantazhin. Në të dy rastet ishin devijime të vogla të topit nga rusët që nuk i dhanë mundësi portierit të mos lejonte prekjen e rrjetës.
Rusia u hodh në sulm duke hequr edhe portierin në minutat e fundit. Në një nga këto aksione goditi shtyllën kur kishin mbetur edhe 5 sekonda nga fundi i shtesës së dytë. Ky aksion vazhdoi me një goditje të spanjollit Kike që përfundoi në portën ruse pa portier.
3-1 rezultati përfundimtar dhe Spanja merr titullin e saj të gjashtë në një kampionat europian.