Ai ka një zë të veçantë, sjell në mënyrë të përkryer këngët me kërkesë të lartë vokale, ka studiuar për kanto, duket të jetë një tenor me të ardhme të shkëlqyer e guxoi t’i hyjë muzikës edhe nga dyert e rrymave të tjera muzikore. Klodjan Kacani e bëri audiencën të kthejë kokën, të mbajë frymën, të duartrokasë fort, të votojë shumë e të shpresojë se një prurje e re po i vjen plot profesionalizëm muzikës shqiptare.Ky është 23 vjeçari nga Vlora që për disa javë me radhë, i dha sharm, emocione dhe kuptim programit më të ri të talenteve muzikore “The Voice of Albania”. Klodjani ka një numër të madh fansash dhe admiruesish të zërit të tij, ndaj edhe vendosëm t’i marrim një intervistë që shkon më në thellësi të mendimeve dhe planeve të këngëtarit që na surprizoi të gjithëve.Klodjan, sonte është finalja e “The Voice” of Albania. Shumë shikues të programit dhe dashamirës të tutë, nuk kishin asnjë dyshim se ti do ishe finalist. Ti vetë, e shihje veten në finale?Të them se nuk e shikoja veten në finale, i bie që do gënjeja veten, por për mua misioni pothuajse u krye! Arrita të fitoja dashamirësinë e një publiku të gjerë për stilin si unë këndoj, si dhe gjithashtu, mora një eksperiencë vërtet të vlefshme për mua. Sot është finalja. Po, do jem në skenë dhe do ndjehem si finalist.
Programi titullohet “The Voice of Albania”, pra “Vokali i Shqipërisë”. Edhe trajnerët vetë e kanë vënë shpesh në pah këtë aspekt. E megjithëse ti ke një vokal shumë të veçantë, në fund u skualifikove për disa viza, e jo për vokalin. Si e sheh ti këtë mënyrë vlerësimi për një program vokali?
Varet, por unë mendoj se vetëm vokali nuk është mjaftueshëm për të qenë fitues në këtë kompeticion që mori përmasa edhe më të mëdha me kalimin e javëve, ku hyri dhe show bashkë me perfomancën vokale të realizimit të këngës. Përsa i përket eleminimit tim, pra atyre “vizave”, mendoj se ishte i drejtë. Unë s’mund të dilja kundër formës që zgjodhi Sidriti atë natë për të na vlerësuar, sepse edhe vetë rashë dakord me këtë formë, ende pa filluar spektakli. Pra, Sidriti tha: “Kësaj here do shikoj vetëm kush gabon më shumë. Jo vokalin, sepse secili nga ju ka veçantinë e vet“. Unë gabova më shumë se Lundrimi dhe s’kishte asgjë për t’u mërzitur nga ana ime, sepse vetë profesioni më bën të ndërgjegjshëm. Përse gabova? Ndoshta s’ishte dita ime, me mungoi përqendrimi, por edhe lodhja bëri punën e vet.
Gjatë komenteve në studio, kemi dëgjuar shpesh trajnerët që kanë vlerësuar pozitivisht disa prej konkurrentëve që kanë treguar më shumë përkushtim e punë në prova. Si mendon ti, puna me zërin, sa ndikon në performancë e sa në vlerësim?
Nuk di të them sa ndikonte tek trajnerët puna gjatë javës për në vlerësim e natës së spektaklit, por di të them puna për ta bërë për vete materialin dhe provat me orkestër ndikojnë shumë në performancë, por jo vetëm. Ndikon dhe gjendja fizike dhe qetësia psikologjike. Pra, jo çdo gjë e kemi në dorë për të dhënë një performancë të lartë.
Kur i kthehesh pas performancave të tua, cilën këngë mendon se mund ta kishe sjellë akoma më bukur nga ç’e dëgjuam?
Duke marrë parasysh që ishim live dhe kemi pasur shumë pak kohë në dispozicion për ta përvetësuar këngën, mendoj se çdo këngë që këndova, do e sillja më bukur tani, duke qenë se veshi im është më kritik dhe kërkesat janë më të larta ndaj vetes!
Klodjan, ti ke studiuar gjatë për kanto dhe ke një zë lehtësisht të dallueshëm lirik. Ku e sheh të ardhmen tënde, pas këtij kapërcimi rrymash që solle në “The Voice”?
Pjesëmarrja ime në ‘The Voice’ ishte pikërisht për t’i hapur vetes dhe një portë tjetër në zhanrin e muzikës së lehtë. Tashmë do t’i ndjek paralelisht të dyja zhanret, sepse kam investuar shumë që unë të jem një artist i skenës operistike, e nuk mund të heq dorë prej saj. Për më tepër, e kam edhe shumë pasion.
Shqipëria ka shumë këngëtarë të rrymave moderne, ka edhe dy këngëtare të operas që kanë korrur sukses ndërkombëtar me talentin e tyre, pra Inva Mula dhe Ermonela Jaho. Ku e sheh veten Klodiani: në lëmin e modernëve, apo në skenat operistike, për të realizuar cilësimin që të kanë bërë fansat shqiptarë, duke të quajtur “Pavarotti” apo më shumë akoma, Andrea Bocelli i Shqipërisë?
Shqipëria ka vërtet shumë talente që sot suksesshëm bëjnë xhiron e botës. Përveç dy sopranove botërore shumë të suksesshme që ju thatë, nuk mund të le pa përmendur dhe Josif Gjipalin, që sot është një prej tenorëve më të mirë në botë. Gjithashtu, edhe tenorin që po ecën me hapa vërtet të shpejtë dhe të suksesshëm, Saimir Pirgun. Është një nder që unë të cilësohem si Pavarotti apo Andrea Bocelli i Shqipërisë, por ama, unë vetë e di shumë mirë që nuk e meritoj akoma, sepse më duhet shumë punë që t’i afrohem emrit të tyre. Siç e përmenda më sipër, muzika moderne më pëlqen, por pa lënë mënjanë dhe klasiken. Pra, do të lundroj në të dyja degët e “lumit Muzikë”.
Çfarë premtimi i ke bërë vetes në lidhje me muzikën dhe si do e realizosh premtimin tënd?
Premtimi që gjithmonë ia kujtoj vetes është që gjithmonë do të luftoj, përpiqem e do të jap kontributin tim që të ketë cilësi në artin që zhvillohet në Shqipëri. Vetëm me cilësi bëhet diferenca.
Ti ke krijuar miqësi të ngushtë me djemtë e skuadrës ku bëje pjesë. Keni menduar për ndonjë bashkëpunim, tur, mundësi që të performoni së bashku?
Po, vërtet, kam një miqësi shumë të mirë me djemtë e skuadrës dhe jo vetëm. Absolutisht mendimi im i parë pasi kam dalë nga “The Voice”, ka qenë për post-bashkëpunimet, por edhe për të zhvilluar një tur, duke promovuar vokalet cilësore që vërtet do jenë e ardhmja e muzikës së mirëfilltë shqiptare. Shpresoj dhe besoj se do të vazhdojmë të kemi suportin e Top Channel.Në emisionin E Diell të javës së kaluar të dëgjuam në një duet shumë interesant në një këngë të Ferdinand Dedës. I njeh Klodjani këngët e muzikës së lehtë shqiptare të para viteve ’90? Ç’ndjesi të japin kur i këndon?
Ndonëse unë kam lindur në vitin 1988, nuk e kam lënë pa e dëgjuar muzikën që bëhej në atë kohë dhe po ashtu, në vitet 90. Mund të them që kompozitorët që kanë shkruar në ato kohëra, janë vërtet me shumë vlera për artin shqiptar. Duke marrë parasysh si funksionon tregu tani, por edhe mënyrën e të kompozuarit, që është çdo gjë pothuajse e kompjuterizuar, e kupton më shumë vlerën e atyre muzikantëve. Por, të mos harrojmë që çdo gjë evolon, e këtë linjë ndjek edhe muzika e format e saj. Ndjesia është vërtet e këndshme, tek këndoj muzikën tonë. Të bën të kesh sado pak ndjesinë dhe të kuptosh mënyrën e jetesës dhe të këndvështrimit të atyre viteve.
Një tjetër performancë e shkëlqyer e jotja ka qenë kënga e Dedës tjetër, Eltonit “Na lini të jetojmë”, pas të cilës, publiku nuk dëgjoi komente. Cili ishte reagimi i Eltonit?
Ndoshta një nga performancat që do ta mbaj mend më gjatë, sepse aty këndova duet me Lundrimin. Ishte vërtet një shkrirje zërash shumë e bukur për mua. Pati një efekt të menjëhershëm e shumë të madh në audiencë, një pëlqyeshmëri shumë të lartë, si për këngën, ashtu edhe për mënyrën se si u soll në skenë. Kjo u miratua nga një ‘Bravo’ vërtet e sinqertë nga Eltoni.
Ti ke një zë të spikatur, je këngëtar profesionist dhe në kërkim të një karriere muzikore. Ama Shqipëria ka një treg komercial. Ti i ke peshuar mundësitë e tua? Do të qëndrosh tek muzika elitare, apo do përshtatesh me prodhimet e tregut tonë kaotik të muzikës?
Pikërisht, tregut shqiptar i mungojnë vokalet me peshë dhe të veçantë. E ajo që ka peshë tek unë, përveç profesionit tim, është vokali dhe stili që unë dua të sjell! Kontributi im në tregun shqiptar besoj dhe mendoj se do jetë vetëm tek muzika që ju po e cilësoni “elitare”, pra e përkushtuar tek cilësia dhe përzgjedhja muzikore.
A shkruan vetë këngë, muzikë, tekste?
Akoma jo…por në mendje e kam që një ditë, të krijoj diçka timen. Thjesht ajo vjen me eksperiencën për të sjellë diçka cilësore !
Si do vazhdosh të qëndrosh në syrin e publikut, pa u shkëputur nga performancat?
Kodjani me vokalin e veçantë dhe dëshirën për të kënduar përherë për publikun që është kaq shumë i aftë të vlerësojë.
Sipas Klodit, kush është Vokali shqiptar ndër finalistët?
Po bej një analizë të shkurtër e jo shumë të detajuar për finalistet: Marsela – Këngëtare profesioniste, timbër vërtet i bukur për çfarëdolloj veshi. Ka shtrirje vokale të konsiderueshme dhe përshtatet me çdo lloj rryme. Ka gjithashtu stil në trajtim. Lundrimi – Këngëtar që ka një eksperiencë të mirë me muzikën live, vokal i plotë dhe timbër që përshtatet me shumë rryma, shtrirje vërtet e mirë, që e ndihmon mos të kufizohet në repertor. Rina – Pianiste, ngjyrë vokale që me sy mbyllur e dallon që është Rina. Shtrirje vokale të plotë, si sipër, edhe poshtë. Timbri i saj përshtatet në shumë rryma ku normalisht, e shkrin këngën në stilin e saj. Enrika – Një zbulim shumë i mirë për Shqipërinë. Vokal që i kalon limitet e një 15- vjeçareje, e ndoshta dhe më shumë. Mosha e kushtëzon për të qenë e kujdesshme në eksperimentimin me vokalin e saj, por që në një të ardhme të afërt, do të jetë një nga vokalet më të mira shqiptare. Unë i dhashë mendimet e mia…por i takon preferencave të publikut të zgjedhë se kush do të jetë Vokali.
Dhe një pyetje të fundit lehtësuese, sepse ka shumë konfuzion mes fansave të tu. Emri yt është me “j” apo në “i”? Pra, Klodjan apo Klodian?
U mësova tani, skam çfarë të bëj. (Qesh) Gjithsesi, emri im është Klodjan Kaçani. Me “J”.
Suksese dhe shpresojmë të të dëgjojmë sa më shpejt në skenat shqiptare dhe më tej.
Faleminderit!
Rezarta Dobrovoda