Po të mos kishte njerëz të këqinj, nuk do të ekzistonin avokatët e mirë; Dhimbja e ndarjes s’është asgjë para gëzimit të takimit përsëri. Dy thënie të Çarls Dikensit (nga Dyqani i vjetër i kurioziteteve dhe Nikolas Nikëlbi) i zënë vendin njëra-tjetrës në ekranin e madh të Marubit. Sapo është shfaqur një 8 minutësh që ka mbetur nga filmi “David Koperfild” i 1913-ës i regjisorit Thomas Bentley. Ian Haydn Smith, kritik filmi nga Londra ndodhet këtu për këtë. Deri më 10 shkurt ai shoqëron projeksionet “Dikensi në film” në disa kinema të kryeqytetit dhe komenton prurjen e letërsisë së Çarls Dikensit në ekran. Si në rastin e “David Koperfildit”, film i epokës së kinemasë pa zë, ku vihen re “gabime”. Skena e dy të mbyturve në një ditë ku dielli shndrit dhe deti është i shtruar vaj. Ose aktorët që shohin vazhdimisht nga kamera. Smith komenton të metat që vënë re studentët te “Marubi” dhe i trajton si çështje të stilit të aktrimit duke bërë krahasime me kinemanë amerikane e evropiane në këtë fazë fëminore të filmit pa zë. Smith përpiqet të nxjerr në dukje nga shembuj konkretë elementet bazë që e bëjnë të mundshëm transportimin e letërsisë së Dikensit në ekran.
Kjo zhvendosje ndodhi për herë të parë në vitin 1897 me përshtatjen filmike “Vdekja e Nensi Sajks”. Ndërsa “Përrallë krishtlindjesh”, filmi i parë i bazuar në romanin me këtë titull është i vitit 1901. Etja e kinemasë pa zë për ekranizime nga Dikensi provon atë që Smith përpiqet ta nxjerrë në rend kronologjik. Deri në vitin 1920 ishin realizuar më shumë se 100 përshtatje, nga Evropa në Amerikë, deri në Brazil. “Çarls Dikens shpiku kinemanë narrative dhe nëse do të jetonte në kohën kur lindi arti i kinemasë, nuk jam i sigurt nëse do ta vazhdonte të shkruante letërsi, por skenarë.” Ian Smith shton se studiuesit dhe mbrojtësit e Dikensit, po ta dëgjonin tani do ta kishin marrë me shpulla.
Megjithatë ai shpreh sigurinë se deklarata e tij në dukje e lehtë, ka arsye të forta të qëndrojë në këmbë. Në fund të fundit, Ian Smith ndodhet në Tiranë si një nga 24 të dërguarit nëpër botë nga Londra, të ngarkuar në Programin për festimet e 200-vjetorit të Çarls Dikensit (7 shkurt 1812 – 9 qershor 1870). Letërsi që flet për njerëzimin, art që ka vlerën e një dokumenti shoqëror, vihen në dukje nga Smith si dy motive për një komunikim kaq popullor të Dikensit. Ai jetoi ndërmjet dy epokave, xhorxhane dhe viktoriane. Rregullat dhe ligjet konservatore të së parës nuk mbanin dot në frerë çka në realitet vepronte lirshëm. Për shembull, nga njëra anë ndrydhja e seksualitetit e nga ana tjetër prostitucioni në lulëzim, pra një shoqëri hipokrite, thekson Smith në parantezën biografike të Dikensit prej të cilës gjen me shumicë projeksione vepra letrare. Kjo shoqëri jeton po aq në epokë të reformave në prag të industrializimit që e gjen në faqet e “Dombi dhe biri”. Në këtë marrëdhënie me botën të shkrimtarit, Smith e nxjerr Dikensin luftëtar të palodhur kundër varfërisë dhe lakmisë, qysh në moshë të re dhe sa i përket kulturës e vë në të njëjtë shkallë me Shekspirin. Nuk shkruan për atë që nuk njeh dhe përvoja personale është lëndë e dorës më parë. Këtu kritiku citon pak radhë nga “David Koperfild” ku personazhi përshkruan përvojën e punës në fabrikën e tmerrshme në moshën 12-vjeçare, që i gëzoi prindët njëlloj sikur të kishte hyrë në universitet. Çarlsi vetë besonte se do të hynte një ditë në universitet. Në fund të jetës ai iu rrëfye biografit të tij John Forster dhe “ky përshkrim ka mjaft ngjashmëri me “David Koperfild”, vazhdon Smith. “Mbante shënim çfarë shihte e përjetonte dhe i përdorte më vonë në shkrimet e tij. Ai e kuptonte mjaft mirë këtë botë. Bota ligjore dhe e bankierëve ishte e pamëshirshme për të. Te “Shtëpia e zymtë” ai flet për skemat piramidale, skema Ponzi, por Çarls Ponzi që i ropi amerikanët më 1920. Dikens flet gjysmë shekulli përpara për fenomenin, që u përsërit tek ju më 1997.”
Realizmi i guximshëm është një tipar që e bën potenciale letësinë e Dikensit për t’u transpozuar në ekran siç vihet re dhe në atë pjesë filmi të të vitit 1913 nga David Koperfild dhe kulmon me ekranizimet e “Oliver Tuistit” dhe “Shpresat e mëdha”.
Forca përshkruese, humori por edhe emrat e personazheve krijojnë atmosferën e botëve në kontrast.
Botimi i romaneve me kapituj çdo muaj në revistat periodike, i jepte shkrimtarit mjaft popullaritet që Ian Smith e krahason me popullaritetin që ka sot “Harri Poter”. Kështu botohet “Klubi Pikuik” më 1836-1837, “Dyqani i vjetër i kurioziteteve” etj. Kjo mënyrë të shkruari i jepte i jepte të ardhura. “Në periudhën e fundit, kur romanet e tij janë edhe më të fuqishme, Dikensi përshtaste veprat për skenën, performonte edhe vetë, duke përmbushur një ëndërr të vjetër për aktrimin. Në këtë proces i rishikonte pasazhet dhe i bënte më dramatike.” E megjithatë kritikë të veprës së tij, shkrimtarë si Virxhinia Ulf, e Oskar Uajld e konsiderojnë sentimentale si letërsi.
Emrat dhe nofkat që Dikensi përdor, kritiku nga Londra i quan thjesht fantastike: Dora, Anjezë, Estela, Emili, Pegoti, Pip, Uikfild, Spenlou, Uriah Hipi etj… që “kur i shqipton, ngjallin idenë e të mirës ose të ligës”. Këtu Smith citon biografin Forster kur thotë se Dickens i bën personazhet të vërtetë jo duke i përshkruar “por i lë që ata të përshkruajnë veten”. Kjo na çon në elementin kinematik të veprës së Dikensit të cilit i duhej t’i përshkruante me detaje personazhet për efekt të bashkëpunëtorëve të tij grafistë që reliazonin skicat. George Cruikshank ka realizuar një Fagin të cilit i referohen ekranizimet e Oliver Tuistit qoftë nga David Lean, qoftë nga Roman Polanski.
Në përshtatjet kinematografike, Smith dallon elementë narrativë të montazhit sovjetik dhe stilit hollivudian, rrëfimet paralele që janë baza e kinemasë. Për shembull, pionieri amerikan i filmit D.W. Griffith gjen shumë truke rrëfimi nga Dikensit: planet e afërta, shkrirja dhe prerja e rrëfimeve paralele, si te “Oliver Tuist”. Një nga filmat e parë të Griffith-it, version 14 minutësh “Froni në vatër” (1909) bazuar te autori britanik, nxjerr në plan të parë disa eksperimente të hershme me montazhin.
Plot 400 ekranizime për kinema dhe Tv janë përshtatje nga letërsia e Çarls Dikensit.
Pa llogaritur filmat muzikorë, pjesët teatrale. “Për mua më e preferuara është përshtatja me kukulla “Përrallë krishtlindjesh” e vitit 1992”, thotë Smith. “Gjithë ky roman zhvendoset në një roman me kukulla. Preferoj dhe dy përshtatje nga David Lean “Shpresa të mëdha” 1946 dhe “Oliver Tuist” 1948. Janë brilante përshtatjet e Leanit. Britania sapo kishte dalë nga lufta dhe mënyra se si paraqitet mjerimi është pranë asaj çka kalonte vendi.” Smith përmend meritë të Lean-it që bashkëpunon me një operator të zotë si Guy Green, përdor elementë të film noir, dhe i ndikuar edhe nga ekspresionizmi gjerman krijon një atmosferë misteri dhe frike. Që të dy këta filma mund të shihen edhe si filma horror. Historitë janë të 1900-ës, por çështjet janë të ditëve të sotme. Të gjithë i urrejnë bankierët të cilët i përshkruan mjaft mirë Dikensi dhe ai duhet të jetë best-seller në Greqi sot; as roli i avokatëve nuk është përmirësuar, ndërsa politkanët… hm. Vuajtjet e njerëzimit në dy shekujt e fundit janë po ato.” Ky është mesazhi i Ian Haydn Smith-it për studentët e filmit dhe gjimnazistët që kanë ardhur te Marubi e që një pjesë e mirë e kanë lënë tashmë sallën. “Prandaj thashë pak më parë se nëse Çarls Dikens do të ishte gjallë do shkruante skenarë sepse ai do donte më shumë publik jo për të shitur libra, por sepse ai përpiqej të ndryshonte botën.”
Thëniet
Shifra 400 filma dhe seri televizive përshtatje nga letërsia e Dikensit pritet të rritet gjatë 2012-ës me një version të “Shpresave të mëdha” që del së shpejti (regjia Mike Newell) dhe drama me dy pjesë e BBC2 bazuar në “Misterin e Edvin Drudit”.
Hovi që njohën drama televizive me kostume në vitet 1950-’60 shënon një fazë tjetër, më të rafinuar për të njëjtin fenomen: “Dickensland”-in imagjinar, një gjoja epokë viktoriane. Kjo është hyrje për te fabrikimi i veprës së Dikensit.
Edhe festimet për 200-vjetorin e shkrimtarit nuk dalin jashtë këtij kuadrati. Këshilli Britanik në Shqipëri e ka përfshirë Tiranën në aktivitetet ndërkombëtare që janë koordinuar me Muzeu Charles Dickens dhe Film London, dhe me partnerë lokalë, si rrjeti i kinemave Imperial, Shkolla e Filmit dhe Multimedias Marubi dhe Qendra e Informacionit të Bashkimit Europian. Është pjesë e maratonës së leximit të veprave të Dikensit më 7 shkurt. Gjatë 24 orëve në 24 shtete të botës, transmetohen në internet lexime të pjesëve të ndryshme nga 24 romane të shkrimtarit. Shqipëria ishte mbrëmë në rrjet në orën 21.00 me të rinj nga shkolla “Petro Nini Luarasi” që lexuan pjese nga romani “Martin Chuzlewit”.
Në Britani festimet janë mbajtur në Portsmuth, vendlindja e autorit dhe anembanë vendit, ndërsa Princi i Uellsit dhe dukesha Parker vizituan dje Muzeun Çarls Dikens. Këto kohë studiues të letërsisë e njohës të veprës së Dikensit kanë qenë në garë për të dëshmuar se sa shumë mbetet për t’u bërë për një lexim të thellë e inteligjent të veprës së Dikensit, sidomos nga të rinjtë.
Kundërthëniet
“Mjaft me adhurimin e heroit Çarls Dikens” shkruante dy ditë më parë John Sutherland në “The Guardian”. Autori shtron pyetjen përse ai që ka qenë një artist i thjeshtë tani në 200-vjetor na është “më i madhi”. Çdo ditë këto muajt e fundit ka pasur një cunam historish dikensiane dhe Dikensi na është bërë superstari ynë letrar. Po të ishte për Sutherland, lista e autorëve viktorianë do kryesohej nga Thekërit me të tjerë si James, Brontë. Po kush ia vuri veshin Thekërit vitin e kaluar në 200 vjetor? “Panairi i Kotësive, është më madhështor se çdo gjë tjetër që mund të ketë shkruar Dikensi…” dhe lërjani atij kineastëve industrinë e Dikensit, përfundon Sutherland duke hedhur mesazhin ka një mungesë ekuilibri në mënyrën si e gjykojmë letërsinë.