Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, tha sot se të gjitha qendrat shëndetësore të vendit kanë medikamentet e nevojshme dhe personelin për të përballuar situatën që ka krijuar moti i keq i ditëve të fundit.
Në një dalje para mediave, Pipero u shpreh se situata në të gjithë vendin paraqitet nën kontroll dhe e qetë, pavarësisht se shumë zona mbeten të bllokuara nga dëbora.
“Të gjitha qendrat dhe ambulancat janë të pajisura me medikamnete dhe kanë personelin e nevojshëm. Shërbimi shëndetësor është 24 orë në 24 në gatishmëri dhe situata po mbahet nën kontroll”, tha ai.
Në lidhje me situatën epidemiologjike në vend, Pipero u shpreh se numri i të prekurve nga virozat në vend i ka kaluar 20 mijë, ndërsa pritet që fundi i muajit shkurt dhe fillimi i marsit të shënojnë kulmin e epidemisë.
Bluzat e bardha këshillojnë që në këto kushte, një kujdes i veçantë duhet të tregohet sidomos ndaj fëmijëve dhe të moshuarve, pasi kontakti me të ftohtin ekstrem ul rezistencën imunitare dhe i bën lehtësisht të prekshëm nga virozat e stinës. / Gazmira Ndoja