Yjet e kinemasë botërore kanë parakaluar në tapetin e kuq të ceremonisë së çmimeve “Golden Camera” në Berlin duke sfiduar kështu temperaturat disa gradë nën zero të kryeqytetit të Gjermanisë.
Ky edicion i 47-të i “Golden Camera” ka nderuar emra të zëshëm të Hollywood-it si Scarlett Johansson, Denzel Washington dhe Morgan Freeman të cilët ishin të pranishëm për marrjen e këtij trofeu të rëndësishëm për karrierën e tyre.
Johansson, ishte ndër ato që e sfidoi më tepër të ftohtin pasi ka preferuar të mos mbajë as xhaketë mbi fustanin e saj dhe pavarësisht të ftohtit deshi të tregonte hijeshinë e saj teksa parakaloi në tapetin e kuq për të marrë trofeun e aktores më të mirë ndërkombëtare.
Aktori fitues i çmimit OSCAR, Denzel Washington padyshim e ka vlerësuar këtë çmim, por ka pohuar se “e dija që do merrja këtë trofe prandaj edhe më ftuan të jem këtu. Pikërisht për këtë fakt nuk kishte ankth në këtë ceremoni çmimesh, por kjo nuk i heq aspak kënaqësinë këtij çmimi”.
Një tjetër aktor i cili u nderua në këtë ceremoni çmimesh ishte Morgan Freeman, aktori i cili së fundmi ka portretizuar Nelson Mandelam në filmin “Invictus”. Aktori mori këtë trofe për arritjet profesionale në karrierën e tij të gjatë.
“Golden Cameras” është ceremonia më prestigjioze e çmimeve kinematografike që nderon çdo vit yjet e kinemasë për kontributin e tyre.