Presidenti rumun Trajan Basesku ka emëruar shefin e shërbimeve të inteligjencës Mihai Razvan Ungureanu si kryeministrin e ri.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat ballkanase, sipas të cilave Ungureanu ka mbajtur deri tani postin e shefit të seksionit të jashtëm në radhët e shërbimeve sekrete.
“Mazhoranca qeverisëse ka rënë dakord për të mandatuar Razvan Ungureanu për formimin e qeverisë së ardhshme”, ka njoftuar Basesku përmes një deklarate për shtyp.
Për të marrë kompetencat që i jepen me ligj, ish-007-a duhet të presë miratimin nga Parlamenti, votim që ende nuk është saktësuar se kur do të mbahet.
Emërimi i tij ka ardhur pas dorëheqjes nga ky post të Emil Boc, pas një seri protestash masive që përfshinë vendin kundër jetës së shtrenjtë dhe varfërisë.
Në komentet e bëra pas një takimi të fundit të kabinetit, Boc sqaroi se kishte hequr dorë nga mandati për arsyen e vetme se e sheh këtë të tanishmin si momentin e marrjes së vendimeve të rëndësishme politike.
Ndërsa lideri i opozitës, Victor Ponta kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe u shpreh se Partia e tij Social-demokrate ishte ndjerë e detyruar ta ndihmonte vendin për të gjetur rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë.
Ekonomia rumune shënoi rritje vitin e kaluar, megjithatë prej tre javësh njerëzit kanë dalë në protesta, të indinjuar nga masat e rrepta të qeverisë.
Kryeministri Boc imponoi reduktimin e pagave në sektorin publik me 25%, si dhe ngrirjen e pensioneve. Ndërsa taksat u shtuan në masën 24% në vendin e konsideruar i dyti për nga varfëria në Europë.